Përse ndihma nga Kosova për fatkeqësinë natyrore ishte risi
PËLLUMB NAKO
Shqipëria postkomuniste për fat të keq ka njohur jo pak herë fatkeqësi me përmasa të dhimbshme humanitare. Disa herë, për shkaqe të mendësisë dritëshkurtër të politikës e se fundmi për shkaqe natyrore.
Të gjithë shqiptarëve iu kujtohen karvanët me ndihma humanitare të ardhura nga Greqia dhe Italia fqinje në vitin që pasoi rënien e komunizmit. Krizë kjo e shoqëruar me eksode masive qytetarësh, sidomos drejt këtyre dy vendeve. Po ashtu, në kujtesën tonë ka mbetur ende e gjallë prania policore italiane dhe ajo Europiane në vitin e mbrapshtë 1997. Në të dyja rastet, prag-katastrofat njerëzore të shqiptarëve kanë qenë të mahisura edhe nga mungesa e institucioneve kompetente të vendit. Herë inekzistente dhe herë të shkatërruara. Në logjikën tonë kolektive, emrat dhe ndihma e institucioneve të vendeve fqinje dhe të disa vendeve mike vazhdon të mbetet si një nga faktorët kryesorë, që në orë të vështira e mbajtën vendin tonë në këmbë.
Këtë radhë, popullata shqiptare e krahinës së Durrësit u përball me katastrofë natyrore. Përsëri institucionet e vendeve fqinje Itali e Greqi, së bashku me vende të tjera të shumta mike, u gjendën si zakonisht në ndihmën tonë. Për fat të keq, po ashtu si zakonisht, institucionet tona shfaqën mangësi. Emergjenca kombëtare në vendin tonë nuk ishin aty ku duhet, në lartësinë e detyrës. Pavarësisht se një zëvendësministre e Brendshme gjatë një interviste radiofonike, deklaroi se “jemi vend me popullsi të vogël dhe me burime të kufizuara njerëzore dhe financiare”, apo “aktualisht po ushtrohemi”, pavarësisht se Kryeministri theksoi se “emergjencat tona nuk mund të krahasohen me ato të vendeve të përparuara si Franca, Izraeli, apo Italia”, kjo nuk justifikon mangësitë e mëdha të konstatuara gjatë këtyre ditëve të vështira. Kur prania e tyre e specializuar ishte kaq shumë e kërkuar. Ku suksesi dhe mburrja më e madhe propagandistike u përqendrua te fakti se ndihmat e specializuara ndërkombëtare erdhën me urgjencë, në kohën e duhur. Ndërkohë, dihet që këto institucione prandaj mbërrijnë në kohën e duhur, sepse shpejtësia dhe gatishmëria që dominon mënyrën si funksionojnë, është pjesë e profesionalizmit. Humanizimi që i karakterizon dhe me të drejtë aq shumë i reklamuar, është përbërës dhe motivim i profesionit të tyre. Këtë fakt mangësish të emergjencave tona, nuk e zbukuron dot as shfaqja mediatike sipas modelit hollivudian, që me pompozitet njoftoi shqiptarët për ngritjen e Agjencisë së Emergjencave Shqiptare.
Por këtë radhë, në skenën reale të fatkeqësisë që pllakosi vendin, jo me stilin e mësipërm hollivudian, u konstatua diçka krejt e re. Mjaft befasuese që zemrën ta bën mal. Ndryshe nga herët e tjera, kur katastrofat pllakosnin mbi Shqipërinë, populli i Kosovës nuk u ndodh pranë vëllezërve të tij shqiptar vetëm me zëmër bujare e ndihma humanitare, por edhe me institucione të specializuara të Shtetit të Kosovës.
Të ekzaltuar dhe si zakonisht, të pushtuar nga një emotivitet i lartë në ngjarje të tilla, karakteristikë e popullit tonë, në rrjetet të shumta sociale iu bë jehonë e madhe solidaritetit të popullit kosovar me atë shqiptar. U fol për gjakun tonë të përbashkët apo edhe rrëzime kufijsh. U kujtua edhe eksodi i kosovarëve gjatë luftës në këtë vend. Shumë mirë. Gjithçka me vend. Por megjithatë, nuk mund të rrihet pa u vënë në dukje me thelbësorja. Kosova këtë radhë u ngrit në këmbë me institucionet e saj. Shteti i Kosovës dërgoi në Shqipëri ndihmë të specializuar. Institucionet e emergjencës kosovare iu përgjigjën profesionalisht nevojës ulëritëse të fatkeqëve të Durrësit. Njëlloj si rumunët, grekët, italianët, francezët e më gjerë. Ndryshe nga emergjencat shqiptare. Dhe ndryshimi nuk është i vogël.
Të organizuar, të mirëpajisur, të mirëtrajnuar, pa protagonizëm emotiv, ata ishin të parët që mbërritën dhe bënë atë që ua kërkonte jo vetëm zemra, por edhe profesioni i tyre. Në raste fatkeqësisht të tilla, nuk hynë në punë i vetëm as solidariteti, as ndihma për të mbijetuarit, por profesionalizmi për të shpëtuar jetë. Dhe këtë, Kosova e arriti me profesionalizëm.
Emergjencat kosovare erdhën në Shqipëri si një institucion i konsoliduar, i cili vepron jo vetëm në bazë të një ligji, por edhe në një mori dokumentesh administrative. “Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Emergjencave”, dokument ky i funksionimit të Emergjencave të këtij vendi, dëshmon qartë se shkëlqimi i ndihmës kosovare nuk ka në bazë vetëm zemrën, por edhe dijen profesionale. Tregon se drejtuesit e saj e njohin mirë karakterin ndërinstitucional që kanë emergjencat, ndaj dhe punojnë në mënyrë të integruar, duke e venë theksin te parandalimi dhe zbutja e rrisqeve. Të gjitha institucionet qendrore e lokale e kanë të parashikuar në mënyrë standarde detyrën dhe e njohin atë. Dhe njëlloj me ta, edhe organizatat e shumta joqeveritare. Punonjësit e emergjencave kosovare dëshmuan se e kanë të qartë konceptin “emergjencë”, ndaj dhe mbërritën shpejtë në terren. Ata e njohin konceptin gatishmëri, komandë e menaxhim, ndaj dhe u organizuan si rrufe me të gjitha pajisjet. Ata i kanë tashmë të standardizuara të gjitha procedurat e veprimeve që kryejnë e po ashtu Planin Kombëtar të Reagimit. Dhe mbi gjithçka, janë të trajnuar dhe të mirëpajisur.
Nuk dua ta besoj, por ndoshta pikërisht shkëlqimi i institucionit të emergjencave kosovare duket se krijoi diçka që këtej, nga ana tjetër e kufirit, u përjetua me siklet duke u përtypur me vështirësi. Duket se shkëlqimi i profesionalizmit të tyre dëmtoi rëndë imazhin e ndërtuar me djersë e mundim nga propaganda qeveritare për liderin tonë politik qeverisës që ka marrë përsipër të rregullojë Ballkanin. Por që emergjencat kosovare i treguan se ai nuk ishte në gjendje të ngrejë strukturat e duhura te specializuara për të ndihmuar qytetarët e tij. Më kot, shefi u mundua të justifikohet duke cituar se emergjencat civile shqiptare nuk mund të jenë në nivelin e atyre të Izraelit apo të disa vendeve të tjera. Kosova ishte aty, po aq profesionale sa gjithë të tjerët.