Përse nuk bën përpara Shqipëria
Nga Ilir Levonja-
Për të kuptuar se përse nuk bën përpara vendi ynë, mjaft të bëjmë një krahasim të thjeshtë, mes Edi Ramës dhe Angela Merkelin. Plot dy vjet më parë Angela Merkel dha dorëheqjen nga kreu i CDU, pra partisë. E mori në vitin 2000 dhe e dorëzoi në vitin 2018. Edhe pse fitoi zgjedhjet e përgjithshme, ndofta më të vështirat, prapë në konventën e partisë deklaroi se largohej nga posti i kryetares dhe për rrjedhoj nuk do kandidonte më. Megjithatë do përfundonte mandatin në detyrë si kancelare a kryemistre e Gjermanisë, gjë që po e bën.
A kishte arsye të largohej? Ndofta asnjë. Politikisht u bë liderja de fakto e Europës. Sheshoi balancat tradicionale pozitë opozitë duke qeverisur me kundërshtarin vetëm për të mirën e vendit. Cilësohej si gruaja e hekurt. Vajza e Hamburgut lindor, aktivistja e unifikimit kombëtar konsolidoi ekonominë, jo rastësisht krizat europiane e botërore nuk iu afruan fare Gjermanisë. Mbajti peshën kryesore në krizat e lindjes së mesme karshi emigrantëve a të ikurve për shkak të luftrave civile. Sot shteti i saj është dominant në vendimmarrjet e Këshillit Europian. Përse duhej të largohej atëhere ajo nga drejtimi i partisë? Thjesht se e tillë është demokracia.
Tani merrni shefin tuaj. Jo më larg por dje nga Elbasani deklaroi se nuk ka ndërmend ta lëshoj postin e partisë. Ndau zonat duke ndërruar vendet dhe jo njerëzit. Megjithëse fryma demokratike kërkon që forumet janë ato që vendosin dhe kjo ndodh në bazë të shifrave, apo rezultave që ke arritur. Politikisht për 8 vjetë përçau dhe zbrazi vendin, 40% e shqiptarëve janë emigrantë. Zhvilloi politikën më konfliktuale deri në mbajtje zgjedhjesh lokale pa opozitën. Nuk i çeli negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës. Nuk e përfundoi reformën në drejtësi. Ka 8 vjet në pushtet dhe vendi kap rreth 80% borxh publik, karshi 62% nga qeverisja e parë n 2013. Sot sipas atyre pak kërkimeve ekonomike në raport me qytetarin dhe të ardhurat, nga një investik i TopStory-it rezulton se, qytetarit shqiptar me të ardhurat e deklaruara i duhet 70 vjet të laj një kredi bankare, nëse blen një apartament. Praktika botërore qoftë edhe në vendet e dyta është 30 vjet. Bëjeni vet dallimin. Por le të vazhdojmë me ”gjeniun” e shqiptarëve që kërkon mandat kryetari e kryeministri, e kërkon se ka mendimin se i takon. Ndryshoi Kushtetutën e vendit pa konsensus politik, pa opozitën, vetëm e vetëm të manipulojë qoftë socialistët në rast të një humbje drastike, por edhe qytetarët duke përgatitur terrenin e kulturës vrastare të mos njohjes së rezultatit. Nëse Angela Merkel kontribuoi në unifikimin kombëtar, ky e largoi Shqipërinë dhe Kosovën. Sikur Shqipëria të kishte Angelën, sot Morini nuk do ekzistonte. Vendi do ishte me kohë në Europë. Dhe deputet do zgjidhej ai që kishte djersitur në shkollë dhe jo ai që blen diploma.