Përse testi i maturës 2020 nuk më habiti?!
Nga Jonila Godole, pedagoge
Testi do të më habiste
⁃ sikur gjendja e arsimit në Shqipëri të ishte më e mirë se sa propaganda që i bëhet – por që nuk është;
⁃ sikur të ishin investuar miliona nga buxheti për formimin profesional të mësuesve, të hartuesve të testeve, të kushteve të mësimdhënies – por që nuk është bërë;
⁃ sikur testet dhe provimet e mëparshme të kishin qenë të kulluara – por që nuk kanë qenë;
⁃ sikur tekstet shkollore të mos ishin të mbushur plot me gafa – që për fat të keq janë;
⁃ sikur komisionet përzgjedhëse të teksteve, mësuesve apo hartimit të testeve, të zgjidheshin vetëm mbi kritere profesionale dhe jo ato politike – por që nuk është;
⁃ sikur plagjatura në teste, në tekste, në doktoratura dhe vepra akademike të dënohej si një krim dhe jo të shpërblehej me grada dhe poste – se për fat të keq kështu është;
⁃ sikur kritikat e vitpasvitshme ndaj maturës të qenë marrë seriozisht dhe, dikush të kishte mbajtur përgjegjësi për dështimin e politikave arsimore – por që nuk është bërë;
⁃ sikur peshku të mos ishte qelbur nga koka dhe fryma e arrogancës, e llumit, e parasë, e injorancës dhe e korrupsionit moral e material të mos shtrihej nga parlamenti e deri në krye të institucioneve arsimore – se për fat të keq kështu është;
⁃ sikur të rritej prestigji i mësuesve, dhe në arsim të shkonin studentët më të mirë dhe jo ata me notë mesatare 6 – por që kështu është;
⁃ sikur prindërit të kërkonin me forcë cilësinë në mësimdhënie më shumë se notën – se për fat të keq kështu është;
⁃ sikur ne të gjithë të mos flinim, kur roja, mësuesi, ministria dhunon nxënësit, secili në mënyrën e vet dhe, falë mirëbesimit tonë të verbër ndaj autoritetit shkollë – por që nuk është.
⁃ sikur ta kishim riformuluar konceptin e „shkollës“ sipas kërkesave të kohës dhe të mos gatuanim çorba eksperimentale për të hedhur lumin – se për fat të keq kështu është.
Pozitive ishte që testi i maturës 2020 dëshmoi hapur skandalin me testimin e deritanishëm të dijes dhe të funksionimit të arsimit shqiptar.
Le të dali ministrja e të thotë pastaj se „arsimin e rilindëm dhe jemi ku e ku më mirë se bota“.