Përtej magjisë së plazhit

Nga Çapajev Gjokutaj –

Nga kafja ku jam ulur shoh plazhin 100 – 150 metra më tej. Më bën përshtypje lëvizja e njerëzve. Ngjajnë si në një film me projektim të ngadalësuar. Pamja përcjell një lloj qetësie, përzier me nge, shkujdesje dhe përzëmërsi.

Më kujtohet nëpër të një poezi e Driteroit. Ç’qe kjo hata e madhe që na bëre, o plazh, thotë poeti, na i hoqe rrobat si fletët e pemëve. Dhe kështu lakuriq na ngjan vetja si fëmijë të dashur e të çiltër. Po sikur të veshim kostumet e të lidhim kravatat, çiltërsia avullon në çast, bëhemi hijerëndë siç e kërkon sëra e distanca.

Swiss Digital Desktop Reklama

Çiltërsia që gjeneron të jetuarit në natyrë më kujton Beniamin Franklinin që, gati tre shekuj më parë, fliste për një fakt të çuditshëm.

Swiss Digital Mobile Reklama

Fëmijët e indigjenëve që kapeshin dhe rriteshin nga kolonët e bardhë nuk para krijonin afinitet me jetën moderne dhe në rastin më të parë iknin. E kundërta ndodhte me të bardhët, fëmijë e të rritur, që për një arsye a tjetrën jetonin në tributë indigjene. Shumica nuk para kishin dëshirë të ktheheshin.

Është vështirë të thuash pse jeta e indigjenëve u dukej më tërheqëse sesa jeta gjithë lehtësi e komoditet e qytezave.

Natyra, thonë disa, është si dashuria e parë, gjeneron nostalgji dhe të tërheq drejt gjirit të vet gjithë jetën. Stërgjyshrit e lashtë të njeriut s’kishin shtëpi të ngulura, jetonin në natyrë.

Antropologë të tjerë thonë se ishte liria ajo që i ngashënjente kolonët drejt jetës tribale. Të jetosh pa orare e disiplinë të rreptë, me veshje bazike pa shumë konvencione e kotësi, me ndalesa minimale në marrëdhëniet e seksit, ngjan si çlirim nga verigat e civilizimit.

Të tjerë thonë se është egalitarizmi apo barazia social që e bën ngashënjyese jetën e tribusë. Si mbledhës e gjahtarë, tributë e indigjenëve bënin jetë nomade dhe s’ishin të interesuar për kamje e rraqe të tepërta që do t’ua bënte lëvizjen ferr.

Vërtet kamja dhe katandia i sigurojnë jetë të rehatshme njeriut të qytetruar, por edhe po e shtyjnë t’i ikë jetës kolektive e të përjetojë një vetmi gati-gati pathologjike.

Jo vetëm kaq, kamja dhe komoditeti e shtypin dhe e stresojnë njeriun me preokupimet për t’i siguruar e për t’i ruajtur.

Mes këtij stresi të vazhdueshëm për karrierë, status e kamje, bëhet e kuptueshme pse në qytetërimin e sotëm njerëzit kanë aq shumë çrregullime psikologjike e mendore, thotë Sebastian Junger në librin ‘Tribe: On Homecoming and Belonging’, nga kam marrë faktet e mësipërme.

Me sa duket njeriu i qytetërimit të sotëm jeton një kontradiktë ndrydhëse. Më njerën anë ka dëshirën për liri e egalitarizëm, që ia kanë programuar në gen dhjetēra mijëra vjet të jetës nomade si gjahtar e mbledhës. Më anë tjetër ka dëshirën për status, karierë e kamje, që ia ka mësuar kultura në këto 10 – 12 mijë vjetët e fundit.

Dhe ndodh që, i stresuar nga lufta e natyrës me kulturën humbet toruan e ndonjëherë dhe mendjen. Tek tributë çrregullimet psikologjike e mendore janë gjë e rrallë, kurse tek kafshët që rriten në natyrë nuk ndodhin kurrë.

Me sa duket çdo arritje e ka një çmim. Vetëm se nuk paguajmë me para, por me pjesë nga vetja, si ai djaloshi i legjendës që, për të kaluar në botën tjetër, ushqente shkabën me mish nga trupi i vet dhe, kur arriti në të përtejmen ishte bërë skelet.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?