Petri Bozo çon “Miss Globe” në Kanada
Një mision të përmbushur e ka quajtur Petri Bozo, organizimin për 11 vjet të “Miss Globe” në Shqipëri. Producenti shqiptar, mbajtës i patentës së konkursit ndërkombëtar të bukurisë, i treti për nga rëndësia në botë, këtë vjeshtë do të shënohet si i pari shqiptar që do të organizojë një event të përmasave të tilla jashtë kufijve të Shqipërisë. Kështu “Deliart Association” këtë mes shkurti ka nënshkruar kontratën që parashikon që edicioni i 42-të i “Miss Globe” të zhvillohet në Toronto të Kanadsë. I njëjti staf shqiptar që për 11 vjet ka organizuar garën e bukurisë në Shqipëri, në muajin shtator do të transferohet në Toronto për t’i dhënë formë garës përtej oqeanit tashme. Rreth 60 vende të botës nga të pesë kontinentet do të çojë përfaqësueset e tyre në Kanada dhe në datat 13 shtator – 4 tetor do të jenë ditët kur ky konkurs bukurie do të mbahet në Toronto nën drejtimin e Petri Bozos. Paraditen e 19 shkurtit në Don Valle Hotel & Suites është organizuar e para konferencë zyrtare në të cilën është bërë i ditur lajmi, i ndjekur me interes nga mediat vendase dhe komunitete të ndryshme.
“Miss Globe është një sipërmarrje e madhe botërore dhe ka një ndryshim thelbësor krahasuar me të ngjashmit e vet në botë: Ai është më shumë se një garë bukurie. Themeluesi i saj, Charlie See, kur e ka nisur, e ka filluar si një spektakël, mbi të gjitha social, në të cilin çdo konkurrente, – pa dallim statusi social, kombësie a etnie, – do të mund të përmbushte një ëndërr, ka thënë producenti Bozo për mediat kanadeze. “Është një konkurs bukurie i shanseve të mëdha për çdo vajzë, anë e kënd botës, që ka një dëshirë për tu plotësuar dhe ky është themeli i “Miss Globe”, një traditë e trashëguar për 41 vjet me radhë. Dhe është shumë e rëndësishme që kjo traditë të ruhet. Prandaj ndodhem sot këtu mes jush. Zgjodha Kanadanë sepse është vendi më multietnik në botë, pra shumë i përshtatshëm për vetë natyrën e Miss Globe dhe ky mision i ri që i kemi vënë vetes si qëllim, bashkarisht, i shërben formulës dhe vetë ambicies së këtij spektakli të madh. Është një marrëdhënie që jep e merr në mënyrë të ndërsjelltë”.
Gjithashtu Bozo u ka bërë me dije medieve kanadeze historikun 11-vjeçar të “Miss Globe” në Shqipëri dhe përfitimet që vendi i vogël në Evropën Juglindore përfitoi prej tij, duke iu prezantuar botës ashtu siç është në të vërtetë. “Kam 11 vjet që bashkëjetoj me Miss Globe dhe e kam parë me sy dhe ndjerë me zemër se çfarë efekti shkakton kjo garë bukurie. Shqipëria është një vend shumë i vogël në Evropën Juglindore dhe këtu e 11 vjet të shkuara dukej mision krejt i pamundur organizimi i një spektakli të tillë kaq të madh atje. Por Shqipëria kishte shumë për t’i treguar botës dhe qindra bukuroshe të botës njiheshin me ne dhe shijojin traditën dhe historinë tonë, të cilën më pas e merrnin me vete në vendet prej nga vinin. Ky konkurs i dha Shqipërisë atë që çdo lloj politike tjetër prezantuese do të kishte nevojë për shumë më tepër kohë, punë dhe përpjekje: Prezantimin dinjitoz të asaj çfarë je dhe përfaqëson. Një shërbim të tillë mund ta bëjë vetëm një spektakël si Miss Globe, i lindur për të qenë shumë më tepër se një konkurs bukurie”. Por Bozo ka thënë gjithashtu edhe se e ka shumë të vështirë të ndahet prej vendit të tij, prej maleve dhe detit, por kjo është një sfidë dhe sipërmarrje e re për të cilën, Bozo ka thënë se është i vetëdijshëm që duhet të punojnë fort.
Të pranishmit i ka përshëndetur gjithashtu edhe drejtorja Nacionale e Kanadasë, Mia Santa Ana Pilar, Konsulli shqiptar në Kanada, Genc Tirana, “Miss Shqipëria 2014”, Anisa Petrela dhe “Miss Globe”, e zgjedhur në Shkodër nëntorin e kaluar, Jacqueline Wojciechowski.