“Pika mua dhe shokut Enver për brezin që po rritim!”

 

Një ngjarje e trishtë në natën e Vitit të Ri 1961

Nga Skifter Këlliçi

Ishte pasdite e 31 dhjetorit të vitit 1961, kur nxënësit e njërit prej teknikumeve të Tiranës ishin mbledhur në një sallë të madhe, për të kaluar mbrëmjen e Vitit të Ri. Pritej të vinte drejtori që të hapte mbrëmjen dhe t’u jepte nxënësve të dalluar diploma e dhurata dhe pastaj së bashku të shihnin një shfaqje nga grupi artistik i shkollës, me këngë, valle dhe recitime.

Mirëpo drejtori, gjithnjë i saktë si sahat, habitërisht po vonohej dhe nxënësit e gjorë, ngaqë nuk kishin ç’të bënin, zunë të ngacmonin njëri-tjetrin. Nuk mjaftoi kjo, por rrëzuan edhe pemën e Vitit të Ri.

U ba kaq zhurmë, sa një nga mësuesit që jepte matematikë, dhe ishte shumë kërkues ndaj nxënësve, sidomos për ndaj atyre që nuk ia thonin dhe aq shumë numrave, thyesave dhe ekuacioneve, u fut me rrëmbim në sallë. Dhe kur pa të përmbysur pemën e Vitit të Ri, pastaj copëra pambuku, shirita, toptha të larushitur dhe ca llamba elektrike, të degdisura nëpër dyshemenë e sallës, që ishin shkëputur prej saj, fatlumturish asnjëra e thyer dhe disa nxënës, të cilët po bënin mundje, si ata luftëtarët e filmave prej qëmoti që kishin nisur të mbushin ekranet e kinemave tona, nuk duroi më dhe klithi në zë të lartë:

“Ç’bëni bëni kështu, more të prapë!

Mësuesi ishte njeri ndershëm, por që urrente komunizmin e ca më shumë dhe diktatorin Enver Hoxha. Por, për të treguar para nxënësve sa e nderonte figurën e tij, si heshti një grimë,dreqi e di se ç’e shtyu të shtonte: “Pika mua dhe shokut Enver për brezin që po rritim!”

Pa mbaruar mirë fjalët e fundit, në sallë pllakoi heshtje mortore. Ishte përmendur emri i shoku Enver!.. Dhe sebep ishin bërë ata që kishin shkaktuar këtë zallamahi. Kështu, sa të hapësh e mbyllësh sytë, shumë nga nxënësit fët e fët e ngritën pemën dhe e stolisën sërishmi me copërat e pambukta, topthat dhe llambat elektrike; pa edhe rregulluan këmishët që u kishin dalë mbi pantallona, krehën edhe flokët e shpupuritur dhe u bënë të urtë si qengja.

Kështu që, kur drejtori, dhe pas tij mësues të tjerë, u futën në sallë, nxënësit të tërë rrinin sus, thua se para disa dekikash të mos kishte ndodhur hiçmosgjë. Kjo e habiti drejtorin, ngaqë e dinte se kishte midis nxënësve nga ata ngatërrestarë që nuk linin dy gurë bashkë.

Atëherë mësuesi i matematikës, që të dëftente se përse nxënësit po rrinin të tulatur, i shpjegoi ç’kishte ngjarë dhe kësisoj, për t’ua mbledhur rripat, kishte nxjerrë nga goja ato fjalët përvëlakë, pra: “Pika mua dhe shokut Enver për brezin që po rritim!”

Dhe drejtori, vërtet komunist i vjetër dhe vëlla dëshmori, rënë gjatë luftës kundër zaptuesve të huaj, e përgëzoi me fjalët:

 “Paske bërë mirë që u përmende shokun Enver .- Ndaj dhe ata kanë rënë squkë.

Kështu kaloi kjo mbrëmje… Pastaj filluan pushimet e semestrit të parë dhe u duk se këtë mesele askush nuk kishte për ta kujtuar.

Mirëpo njëri nga nxënësit, na paskësh qenë biri i një punonjësi të… Sigurimit. Por atë na e paskëshin kishin pezulluar nga puna, ngaqë pas arrestimit të një qytetari, ai, duke bërë bastisje në shtëpinë e këtij të fundit tij, se mos, gjendej ndonjë gjë “komprometuese”, revole, bombë, a materiale propagandistike, kishte dashur të përdhunonte të shoqen e qytetari bjerrafat, e cila tërë mllef u ishte drejtuar eprorëve të Sigurimit.

Ta pret mendja që sigurimsi në fjalë kishte mohuar, por sa të shkoqitej kjo mesele ai, ndër punonjësit më të besuar të Sigurimit, kishte mbetur i pezulluar, ndonëse rroga i ecte për mrekulli…

Jo vetëm kaq, por biri i tij, ishte nxënës shkatarraq sa nuk bëhet, që në matematikë katrat kishte renditur njëra pas tjetrës. Por të tëra këto, sipas sigurimsit, për faj të atij mësuesit, ndonëse drejtori i shkollës i kishte ftilluar urtë e butë se mëkatet na i kishte i biri që nuk mësonte, paçka se mësuesi e ndihmonte sa nuk bëhej edhe pas orëve të mësimit.

Këtij nxënësi, në një nga ditët e para të Vitit të Ri iu ndërmendën ato fjalë aq të rrepta të mësuesit që kishin bërë të rrëqetheshin tërë nxënësit në sallë. Ndaj pa humbur kohë, ia tefterosi të atit:

“Mirë që mësuesit mund t’i bjerë pika ngaqë ne, nxënësit, ta themi ashiqare e shkelëm atë mbrëmje, po përse duhet t’i bjerë pika shokut Enver!…”

Me të dëgjuar këto fjalë, të atit i fërfëlluan qepallat, i xixëmuan sytë dhe tërë shend dhe ia ktheu:

“Të lumtë, bir, që më kallëzove se ç’paska ndodhur në mbrëmjen e Vitit të Ri. Kjo tregon se je vigjëllues si unë…”.

Dhe vrikthi ia mbathi për në shkollën e djalit, që një orë e më parë të takonte drejtorin e shkollës.

E gjeti vetëm në zyrë, sepse, ngaqë kishin nisur pushimet dimërore, edhe mësuesit ato ditë vinin më rrallë në shkollë. Sidoqë e mbajti veten, drejtorit i hipën kacabunjtë, se e mori me mend se ky tuhaf burrë, kishte ardhur të ankohej përsëri për mësuesin e matematikës, që në semestrin e parë, si ngaherë, i kishte vënë të birit notë pakaluese. Por u çmerit kur dëgjoi nga goja e tij se çështja që po i shtronte, vërtet kishte të bënte me mësuesin, por gjëkundi nuk lidhej me të birin,por me fjalët që ai kishte nxjerrë nga goja: “Pika mua dhe Enver Hoxhës për brezin që po rritim”.

Atëbotë zuri t’i sqaronte se mësuesi i matematikës, burrë i matur dhe mbi të gjitha i përgatitur ideologjikisht, bash me mësimet e shokut Enver, me ato fjalë kishte dashur të thoshte se nga sjelljet e pahijshme të nxënësve mërziteshin jo vetëm mësuesit, por edhe vetë shoku Enver dhe mërzia ishte aq e madhe sa atij si dhe mësuesve mund t’u binte pika…

Sigurimsi e dëgjoi me shumë vëmendje drejtorin, i dha fytyrës së tij të zeshkët një pamje babaxhane dhe duke u larguar, shqiptoi thuajse përvujtërisht:

“Ke shumë hak, shoku drejtor dhe të faleminderit për sqarimin, se kot së koti desh i rashë më qafë mësuesit të matematikës”.

Por kur u ndodh në rrugë u murrëtye dhe një nënqeshje lehtane dhe dashakeqe i rrëshqiti nga buzët.

“Veç atij mësuesit edhe këtë drejtorin e kalla në të njëjtin thes, – bërbëliti me vete. Tani me vrap në Komitetin e Partisë”.

Kështu u grahu shpejt këmbëve, duke sjellë ndërmend ç’kishte ndodhur një vit më parë në një nga ministritë: Një grup punonjësish një ditë, pa aguar mirë, po ecin njeri pas tjetrit në një monopat, për të shkuar në një fshat, ku do të ndihmojnë kooperativistët për të mbledhur të lashtat … Befas njeri prej tyre si me të qeshur ia pret: “Më shpejt, zezakë, se po ju zë gjumi më këmbë!”. Shokët zënë edhe ata të qeshin dhe vërtet shpejtojnë hapat… Pastaj solli ndërmend njërin prej tyre që e kishte halë në sy atë që përdori fjalën “zezak”, sepse ishte specialist, ku e ku më i zoti, i cili që të nesërmen kishte shkuar te zëvendësministri i asaj ministrie dhe i kishte raportuar se ai që kishte quajtur “zezakë” ata që shkonin të ndihmonin fshatin, kishte bërë një gabim të pafalshëm politik e duhej të dënohej…Pastaj sigurimsi kujtoi shpjegimin që i kishte dhënë zëvendësministri se nuk duhej rrëmbyer, se ai shok, shumë i ndërgjegjshëm dhe i shquar në punë,e kishte përdorur krejt me shaka fjalën “zezak”, siç ndodhte rëndom në biseda. Pastaj kujtoi se raportuesi e kishte ndalur vrapin jo në Komitetin e Partisë, por në Komitetin Qendror, ku kishte kritikuar jo vetëm atë që kishte përdorur fjalën “zezak”, por edhe zëvendësministrin, dora vetë…

Atëherë në atë ministri ishte kurdisur një mbledhje e madhe ku zëvendës ministri, terbiet burrë, ishte shtrënguar të bënte autokritikë për mungesë vigjilence dhe ai specialistzavalli vetëm për fjalën “zezak” ishte dënuar me një vit punë prodhuese, tamam në atë fshat, ku punonjës të asaj ministrie po shkonin atë mëngjes për ndihmë…

Këto bloi me vete sigurimsi zemërgalduar, derisa u ndodh në hyrje të Komitetit të Partisë. Të takonte jo më sekretarin e parë, por edhe ndonjë nga sekretarët e tjerë, e kishte shumë të vështirë, ndaj, sapo pikasi një nga instruktorët që e njihte prej kohësh, e takoi dhe kështu e… ashtu… iu zbraz si thes me miell, por pa zënë në gojë drejtorin e shkollës, atë leshko, të cilit i kishte “kaluar miu nën mustaqe”, domethënë ai mësuesi i matematikës, i cili kishte dashur që shokut Enver t’i binte pika!…Dhe e bëri këtë për të ditur se ç’përgjigje do t’i jepte instruktori i partisë.

Ky e dëgjoi mikun e vjetër me nge dhe ashtu si drejtori i shkollës e qartësoi butë e butë se ai mësuesi nuk e kishte pasur me të keq, kur kishte thënë që shokut Enver, që përpiqej aq shumë, veçanërisht për brezin e ri, t’i binte pika dhe ishte shprehur në mënyrë të figurshme, në vend që të thoshte se udhëheqësi ynë i madh do të dëshpërohej pa masë…

Sigurimsit i gufoi zemra nga gëzimi kur shestoi se jo më drejtorin, por edhe këtë goxha instruktor tashmë e kishte futur në grackë. Ndaj bëri ç’nuk bëri dhe një mëngjes gjeti rast të takonte sekretarin e Komitetit të Partisë për probleme ideologjike.

Dhe ky sekretar, duke e dëgjuar sigurimsin me vëmendje të pamasë, sidoqë e kuptoi me mend se mësuesi i gjorë i matematikës i kishte shqiptuar pa të keq fjalët: “Pika mua dhe shokut Enver për brezin që po rritim!”, e mori mend se po të mos i jepte duman kësaj meseleje, ky sigurims kokëkrisur që me kërcënime kishte dashur me çdo kusht të shtinte në dorë gruan e atij qytetarit të arrestuar dhe nuk ishte as i pari dhe as i fundit, se këtë e kishin bërë edhe sigurimsa të tjerë, do t’ia mbathte drejt e në Komitetin Qendror. Një djall e merr vesh, ato fjalë mund t’i vinin në vesh edhe vetë shokut Enver  dhe atëherë atë vetë do ta merrte lumi….Njëherë e përgjithmonë!..

Ndaj pasi sigurimsi reshti së ligjëruari, u ngrit më këmbë, e rroku fort për qafe dhe i tha:

“Të lumtë dukesh se je syçeltësor si tërë sigurimsit, me të cilët shpejt do të bashkohesh”.

Kështu pas disa ditësh ky sekretar, pasi mori imzanë edhe nga sekretari i madh që e kishte mbi krye dhe mori pas vetes dhe instruktorin e partisë, kurdisi një mbledhje në Këshillin Pedagogjik të asaj shkolle, ku ishin jo vetëm mësuesit, por edhe sigurimsi me djalin e vet dhe nxënës të tjerë, të cilët kishin qenë shahitë të fjalëve: “Pika mua dhe shokut Enver për brezin që po rritim”, që nafakëziu mësues kishte shprehur, për të dëshmuar “dashurinë e tij të pakufishme ndaj shokut Enver”, dhe të cilat tani po ia hanin kokën.

U detyrua së pari drejtori i shkollës, edhe pse komunist i regjur, të bënte një alamet vetëqortimi, sepse nuk ishte treguar syçeltësoras si ai nxënësi, domethënë biri i atij sigurimsit; u detyrua s’do mend edhe vetë mësuesi i ngratë të shante vetveten që kishte nxjerrë nga goja ato fjalë të qederosura për shokun Enver, që jeta t’i bëhej sa malet… Pa u detyrua të bënte vetëqortim edhe instruktori i Partisë, sepse pas dëshmisë që i kishte dhënë sigurimsi nuk kishte njoftuar partinë…

Si përfundim, mësuesi u dënua të shkonte në prodhim me afat të pacaktuar dhe kjo iu cilësua masë e lehtë, falë qëndrimit të tij shembullor si mësues. Drejtorit të shkollës iu vu vërejtje në kartën e regjistrimit, masë që më pas u mor edhe për instruktorin e Komitetit të Partisë.

Mbi të gjitha, sigurimsi për këtë bëmë të lartë syçeltësore u kthye në organet e Sigurimit.Vendin e mësuesit të matematikës e zuri një mësues tjetër, i cili, jo vetëm i vinte nota kaluese, por edhe të mira birit të sigurimsit, i bindur se kështu nuk do të kishte me të andralla, ndonëse e merrte me mend se nxënësit e tjerë të klasës e përflitnin pas mësimit.

Por më mirë kështu, se sa me pasoja ndoshta më të rënda se mësuesi që kishte zëvendësuar.  

SHKARKO APP