Pikëpyetjet që la pas Nexhmije Hoxha (Xhuglini)
Emisioni “Ju flet Moska” në RTV Ora trajtoi këtë të enjte pikëpyetjet që la pas e bashkëshortja e diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha që pas ndarjes nga jeta.
Ajo shkroi disa libra ku shpjegon se nuk ishte e mundur kontakti i Partisë Komuniste të Shqipërisë me Moskën.
Në analizën e tij, gazetari Kastriot Myftaraj shpjegon se në atë kohë kishte dy kanale që mundësonin kontaktin me Rusinë
Kastriot Myftaraj: Nexhmije Hoxha ka vdekur në moshën 99 vjeçare duke qenë në 20 vitet e fundit të jetës së saj shumë aktive si publiciste dhe studiuese e kohës së komunizmit nga pikëpamja e saj. Madje ajo shkroi librin e parë të saj në vitin 1998 në moshën 77 vjeç. Kur botoi vëllimin e parë të kujtimeve të saj, ishte një kombinim i kujtimeve dhe studimeve për kohën komuniste. Në librin e fundit të publikuar disa javë më parë bën dhe njëherë përpjekje për të justifikuar gjithçka ka ndodhur në atë periudhë. Por, aq sa tentoi t’i përgjigjej pyetjeve në atë periudhë aq më shumë ngre pikëpyetje. Kur e lexon librin ajo shfaqet e shqetësuar për të argumentuar dhe njëherë se përse u desh ndërhyrja e të dërguarve jugosllavë për të ndërtuar Partinë Komuniste të Shqipërisë dhe përse për një periudhë këta kanë qëndruar si instruktorë. Nexhmija këtu shpjegon atë që ka thënë Enver Hoxha ku pa se duhet t’i ishin drejtuar Moskës ku ishte qendra e Comintern-it. Çdo Parti Komuniste që krijohej merrte leje nga Comintern-i dhe quhej zyrtarisht Seksioni Internacionales Komuniste. Nexhmija ashtu si Enveri dikur thotë se ishte e pamundur të komunikoje me Moskën. Në fakt është e kundërta, kishin dy kanale shumë të sigurta dhe të thjeshta për të komunikuar me Moskën. Në shtator të vitit 1941 nuk bëhej luftë në Ballkanin e jugut ku ishte dhe Shqipëria. Shqipëria kishte në kufi Bullgarinë sepse me ndryshimet territoriale që u bënë pas shpërbërjes së Jugosllavisë mbretërore nga gjermanët, kufiri bullgaro-shqiptar erdhi afër Prespës. Në Bullgari kalimi bëhej i lirë. Bullgaria kishte një marrëveshje të fshehtë me Moskën pasi për shkak të marrëdhënieve të mira me Rusinë, ajo nuk i shkëputi asnjëherë. Ishte shumë e mundur të bëhej një kontakt në Sofie midis komunistëve shqiptarë dhe Moskës.
Për më tepër shikoni videon e emisionit të plotë: