Piktorët e rinj të SOS Fshatrave të Fëmijëve Shqipëri, ekspozitë në “Shtëpinë e Evropës”

Nga Entela Binjaku –

Në javën e fundit të muajit tetor, një ndër aktivitetet që u mbajt në kryeqytet ishte ekspozita e pikturës me titull “Mbështet talentin tim”.

Kjo ekspozitë u çel me krijimet e piktorëve të rinj të SOS Fshatrave të Fëmijëve Shqipëri. Ideja për këtë nisi muaj më pare, kur gjatë Javës së Evropës (në muajin maj) Delegacioni i BE-së në Shqipëri shpalli konkursin për vullnetarizmin me temë: “Pse dal vullnetar”. Në këtë konkurs fitues i  çmimit të tretë rezultoi  Alfred Muharremi,  një nga ish të rinjtë që ka marrë përkujdesje nga SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri.

Shtëpia e Evropës dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri ndihmoi fëmijët në pasionin e tyre për artin. Ekspozita përmbante 42 piktura të cilat u shfaqën për herë të parë në pasditen e 29 tetorit.

I pranishëm në ekspozitë ishte z. Mario Mariani, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri. Ekspozita qëndroi e hapur në Shtëpinë e Evropës dhe pikturat qëndruan në shitje deri më 1 nëntor.

Në fjalën e saj Drejtorja Nacionale e SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri znj. Teuta Shkenza ju drejtua të pranishmëve me mirënjohjen për ekspozitën duke shprehur dy arsye kryesore:

“Së pari, pasi po zhvillohet në bashkëpunim me Shtëpinë e Evropës dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe me nismën e një ish-të riu SOS, Alfred Muharremit, pasqyrë e një modeli të suksesshëm për të gjithë fëmijët që kanë qenë më pak të favorizuar në jetë, por që me këmbënguljen e tyre dhe me mbështetjen e parreshtur të Fshatit SOS, shërbejnë si shembuj frymëzimi për të gjithë ne.

“Së dyti, pasi ndihemi krenarë për talentet e shumta që fëmijët tanë kanë dhe zhvillojnë dita-ditës, talente për të cilat ju ftojmë edhe ju të jepni kontributin tuaj të vyer, me blerjen e këtyre pikturave të realizuara me shumë krijimtari nga piktorët tanë të vegjël”.

Për të pranishmit znj. Shkenza bëri edhe një paraqitje të shkurtër të SOS Kinderdorf International e cila është organizata ombrelle e 136 shoqatave Kombetare në të gjithë botën me qendër në Insbruk të Austrisë. Kjo organizatë e themeluar nga Herman Gmeiner  kujdeset për fëmijët që e kanë humbur kujdesin prindëror apo janë në rrezik për ta humbur atë.

Viti 2019, është në një vit i veçantë në rang global për SOS Kinderdorf International pasi:

– Këtë vit festohet 70 vjetori i SOS Kinderdorf International

– 30 vjetori i Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës

– 10 vjetori i Udhëzimeve të OKB-së për Kujdesin Alternativ të Fëmijëve mbi te cilat bazohet puna që kryen SOS.

Më tej ajo foli për disa nga projektet që po vijojnë dhe priten të nisin nga kjo organizatë.

Për 23 vjet me radhë, SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri kanë qenë shtëpia e 260 fëmijëve pa kujdes prindëror të cilët falë donatoreve tane kanë gjetur një shtëpi të dashur dhe të ngrohtë.

Një ndër programet që realizon organiza SOS është Fuqizimi i Familjes që mbështet familjet në gjendje më të brishtë në komunitet.  Falë tij janë mbeshtetur 1098 familje dhe 2745 femije prej te cilave 551 familje kane lene programin me sukses.

Aktualisht organizata është duke vijuar me një projekt 3 vjecar të Bashkimit Europian që titullohet  “ Zhvillimi i organizateve te shoqerise civile”. Kështu SOS po shndërrohet edhe në promotore e  fuqizimit të sistemit të familjeve kujdestare ne Shqiperi.

Sot në Shqipëri ka rreth 700,000 fëmijë që përfaqësojnë më shumë se 24 përqind të popullsisë, ku pothuajse 0,12% e popullsisë së fëmijëve jetojnë në kujdesin rezidencial. Ndaj edhe  de-institucionalizimi (DE-I), zhvillimi i kujdesit familjar dhe veçanërisht progresi i kujdestarisë, vihet në dukje në të gjitha axhendat dhe politikat e qeverisë si reagimi më i mirë për fëmijët në kujdesin alternativ.

Me mbështetjen financiare të Ministriës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik (BMZ) dhe Fondacionit “Hermann Gmeiner” janë mbështetur  200 prindër dhe 100 të rinj.

Ky projekt tre vjeçar që ka për qëllimin trajtimin e përjashtimit social ekonomik dhe paqëndrushmerinë sociale të të rinjve dhe familjeve në rrezik, është tashmë drejt përfundimit dhe  po i hap rrugën nje projekti tjeter rajonal.

Projekti do të fillojë të zbatohet në janar 2020 dhe titullohet: “Perspektiva që mundësojnë punësimin e të rinjve” i financuar po nga Ministria Federale e Gjermanisë për bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe Fondacioni Hermann Gmeiner Deutchland e.V.

Por qëllimi i SOS Fshatrat e fëmijëvë Shqipëri është t’i rrisë dhe tu ofrojë fëmijëve kujdes në kuadër të një familjeje duke i integruar ata në shoqëri dhe duke i mbështetur në rrugën drejt autonomisë dhe pavarësisë.  Sepse siç Drejtoresha e SOS Fshatrave të Fëmijëve, znj. Shkenza, u shpreh: “nuk ka prioritet më të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë sesa investimi për rritjen, edukimin dhe integrimin sa më të mirë të rinisë dhe sidomos të fëmijëve pa kujdes prindëror”.

Në fund me mirënjohjen ndaj donatoreve,  individë, kompani apo sponsorë femijësh që mbështesin çdo vit në punën e organizatës, në cilësinë e drejtueses së kësaj organizate lider në fushën e kujdesit për fëmijët dhe të rinjtë, znj. Shkenza i drejtoi një thirrje të përsëritur Qeverisë shqiptare të mbështesë financiarisht organizatën SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri dhe të ndjekë në vazhdimësi integrimin e mëtejshëm të brezave që dalin nga ky komunitet mjaft cilësor.

 

 

 

 

SHKARKO APP