Piktori i njohur me Covid-19, vajza thirrje Ramës dhe Manastirliut: Babai im meriton vëmendjen maksimale të shtetit
Piktori dhe pedagogu Mustafa Arapi infektohet me Covid-19.
Gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar duke bërë që të shtrohet në spitalin Covid 2 “Shefqet Ndroqi”.
Vajza e piktorit, studiuesja, Dorina Arapi, përmes një postimi në rrjetet sociale, apelon te kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu që të kujdesen për të, duke vënë në dukje cilësitë e babait, për çka e sheh si vlerë të kulturës shqiptare.
Postimi i plotë i Dorina Arapit:
Dje babi im, Mustafa Arapi, u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Për shkak të kovidit, i është prekur një pjesë e mushkërive.
Mustafa Arapi, babai im, është baba e bashkëshort i shkëlqyer, mik, njeri i nderuar, piktor i nivelit botëror, restaurator i shkëlqyer me një kontribut prej 40 vjetësh në fushën e restaurimit.
Nga puna e tij restauruese, sot brezat e rinj dhe kultura shqiptare trashëgon dhe admiron Onufrin, Qipriotin, Çetirët, Zografët, banesa tradicionale, kisha, afreske, ikona e studimeve e plot të tjera. Pedagog, artist, studiues, pjesëmarrës i lëvizjeve të dhjetorit ’90, Mustafa Arapi meriton vëmendjen maksimale të shtetit, pavarësisht të gjitha shërbimeve që mjekët e infermierët po i ofrojnë.
I falënderoj shumë mjekët, infermierët e gjithëkënd në spital që po i dedikohen pacientëve në këto momente të vështira!Por i drejtohem Kryeministrit z. Edi Rama, Ministres së shëndetësisë znj. Ogerta Manastirliu, që shteti dhe institucionet të japin vëmendjen e duhur për babain tim dhe për këtë personalitet të kulturës shqiptare. Unë e dua babain tim me jetën time, por ai është dhe një Vlerë për shtetin e kulturën shqiptare.
Ju faleminderit nga zemra gjithëkujt për ndihmën e vëmendjen!Shpërndajeni këtë mesazh,… kush dëshiron.