Pjerin Kolnikaj, skulptori që flet me veprën e tij

 

Më 27 nëntor u përurua shtatorja e Dedë Gjon Lulit, vepër e skulptorit Pjerin Kolnikaj. Skulptori Pjerin Kolnikaj mund të quhet pa dyshim skulptori i heronjve dhe njerëzve më të shquar të kombit shqiptar. Vepra si ato të Skënderbeut, Rrapo Hekalit, Nënë Terezës mbajnë vulën e punës së tij në këto vitet e fundit. Ai ndihet krenar dhe modest e fjalëpak si gjithmonë, e ka shumë të vështirë të flasë për veten e tij. Aktiviteti i sotëm ishte krejt i vecantë dhe shumë emocionues për skulptorin, sepse vepra e tij për Heroin Dedë Gjon Luli është vendosur në qendër të Tiranës, në krah të Muzeut Kombëtar. Sot ai ndihet krenar edhe pse kjo vepër i dedikohet një heroi, për të cilin ai kish lexuar e dëgjuar edhe nga të parët e tij për luftërat heroike qysh në fëmijëri. Ndihet krenar, sepse sot në Ditën e Pavarësisë përurohet vepra e tij kushtuar një Heroi që luftoi për pavarësinë e Shqipërisë me kryengritjet e udhëhequra prej tij. Pjerini, sic shprehet edhe në këtë intervistë, nuk ndalet me veprat për njerëzit e shquar të kombit shqiptar.

 

Zoti Pjerin si e morët iniciativën për të krijuar një atelie skulpture?

E nisa si diçka krejt personale, një dëshirë për të krijuar një minifonderi për punime skulpture me format deri në 70 cm. Më pas filluan kërkesat për punime të një formati më të madh e kështu na u desh të eksperimentonim, ndonëse pas shumë dështimesh, derisa arritëm derdhjen e saktë dhe preçize. Kjo lloj zejtarie gati 3000 vjeaçare për vepra arti në Shqipëri u zhvillua nga shteti në vitin 1975 me veprën e ‘Monumentit të pavarësisë’. U specializua për 5 vjet në fonderinë e derdhjes së veprave të artit në Çeki, zoti Petraq Dhimitri. Veprat e Skulptorit të Popullit, të madhit Odise Paskalit, ishin derdhur në Itali para vitit 1944 dhe vepra e tij “Skënderbeu” e vendosur në sheshin qendror të Tiranës po ashtu është derdhur në Itali mbas vitit 1967. Ndërsa vepra e skulptorit Janaq Paço “Skënderbeu” e vendosur në qytetin e Krujës është derdhur në Hungari. Atelieja shqiptare ku u derdhën me qindra vepra skulpturore sot nuk ekziston. Ligji i pronësisë i la skulptorët pa atelien e tyre, që parakupton fonderinë në një kapanon të madh e me aksesorët e saj siç janë vinçat e istrumentet karpartier, e të tjera.

Cilat janë problemet  e skulpturës shqiptare në ditët e sotme?

Së pari nuk ka asnjë plan ide mes hapësirës së cilës do t’i duhej një vepre artistike dhe qëllimit të vendosjes së saj. Bëhet një konkurs i cili edhe pse zhvillohet për arsye konjukturale, ose pa konkurs fare, pa i ofruar skulptorit asnjë ide se ku mund të jetë hapësira e vendosjes së veprës. Në shumë  raste ka ndodhur, që vepra si ajo e Nënë Terezës, apo Adem Jasharit e Azem Hajdarit, u janë ndryshuar vendet ose janë bërë pa u menduar. Se është tjetër ta bësh një vepër për ambiente të mbyllura, tjetër gjë për një hapësirë në natyrë, sepse duhet një harmoni mes skulpturës dhe vendit ose objekteve që janë pranë. Vendin do të duhej ta përcaktonin para se të realizohet vepra. Sot ne bëjmë akoma buste për heronjtë e kombit, sepse duhet plotësuar ky boshllëk i krijuar në shekuj. Por e them me dhimbje, sot shqiptarët gëzohen kur mbushen gropat e rrugëve të qyteteve a fshatrave me çakull e asfalt e të mbushësh sheshe e parqe të qendrave urbane me vepra skulpturore jashtë tematikës heroike apo epike, do të ngjante sikur po flisje për diçka jashtë realitetit, ose do të  paragjykonin si një njeri të çartur. Së dyti, po ju jap disa fakte interesante. Në fundvitet ‘80 mora pjesë në Ekspozitën Kombëtare. Në të dyja rastet skulpturat hyjnë në Fondin e Galerisë së Arteve, d.m.th. u blenë prej saj. Pas kësaj pjesëmarrjeje vepra ime konkuroi në Bienalen e Turqisë. E kundërtëta ndodhi me Konkursin Mbarëkombëtar me temë figurën e Skënderbeut, ku fitova çmimin e parë. Mendova se skulpturën do ta blente sërish Galeria e Arteve të Kosovës, por ata mu përgjigjën se nuk kishin fonde(para) për ta blerë. Arti i skulpturës për 25 vjet nuk do të ketë asnjë gjurmë në Fondin e Galerisë së Arteve. Paradoksalisht jemi i vetmi vend në botë me më pak skulptura dhe nuk kemi asnjë skulpturë për të mbushur historinë e artit shqiptar.

Po pse ndodh që në mediat tona flitet vetëm për skulptorët e brezit të parë?

Po është normale që ata u memorizuan në mendjen e popullit, sepse në rradhë të parë ata ishin të rinj me plot ëndrra në një Shqipëri shumë të prapambetur të viteve 1920. Kishin mundësitë që të mos ktheheshin në Shqipëri, por me një romantizëm nacional, të ushqyer nga Rilindja Kombëtare besonin se edhe me art mund ta ngrinin shpirtin e popullit. Pas çlirimit u kalua në shkollën e Lindjes dhe erdhi një brez shumë i talentuar, i cili mori përsipër një barrë të rëndë. Sundimi shekullor i pushtuesve kish zhdukur nga faqja e dheut çdo produkt artistik të artistit shqiptar. Skulptorët e Shkollës së Venedikut, si Gjoni dhe Jeronimi me origjinë shqiptare krahasoheshin me dy skulptorët më të mëdhenj të antikitetit Fidias dhe Polikleti. Artistë po aq të shquar me origjinë shqiptare, ishin skulptorët Mark Basaiti (1460-1525) apo Viktor Kërpaçi (1455-1526). Ata morën rrugën e mërgimit. Por nuk mund ta plotësosh këtë boshllëk të historisë në kaq pak vite dhe në kushtet e Partisë Shtet. Ekzistonte vetëm një media, shteti i asaj kohe i jepte një hapësirë të veçantë veprës skulpturore edhe për arsye propogande.

Cili është raporti juaj me studentët?

Jam Profesor i lëndës së kompozicionit, në Fakultetin e Arteve Figurative prej 17 vitesh. Ndihem i respektuar nga kolegët e mi, të vjetër e të rinj. Ky fakt sinjifikativ i shkëmbimit të përvojave më bën të besoj, se kemi punuar për brezat që do vijnë, sikurse punuan profesorët tanë të nderuar me ne.

Studenti i skulpturës sot vjen me entuziazmin e talentit dhe përfundom me ndjenjën e zhgënjimit, pasi atij nuk i jepet asnjë shans për të ushtruar artin e tij. Shkurt, i mungon motivi dhe për shkak të kësaj arsyeje bie dhe konkurrenca mes artistëve. Dikur ata iknin për një jetë më të mirë jashtë shtetit dhe nuk e kultivonin artin e tyre. Tash që është liberalizimi i vizave atyre u duhet të punojnë, dy ose tri punë, për të mbajtur veten dhe ngarkesa mësimore anashkalohet.

Po të ishte në dorën tuaj çështja e skulpturës, si mendoni ,a do të mund ta ngjallnit këtë lloj arti?

Po si çdo njeri edhe unë dëshiroj që të ardhmen ta shoh me optimizëm. Do të mjaftonte një ligj i cili do nxiste çdo ndërtues pallatesh, ku  të shkruhej: “Në rast se subjekti ndërtues merr përsipër të vendosë një skulpturë në pallatin që ndërton, çka do të thotë se ai mbron artin, shtetit i lind detyrimi t’i uli taksën, apo të ndërhyjë në koston e pallatit, në varësi të kostos së veprës skulpturore.”

Intervistoi: Kastriot  Kotoni

 

 

 

SHKARKO APP