Plakja e popullsisë, sociologu shpjegon arsyet e fenomenit: Emigracioni efekte të jashtëzakonshme
Sociologu Edmond Dragoti, ka komentuar fenomenin e plakjes së popullsisë në vendin tonë.
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Dragoti shprehet se disa nga arsyet që kanë çuar drejt plakjes së popullsisë dhe rënies së lindjeve janë ekonomia e dobët, e cila sipas tij ul perspektivën tek shoqëria.
“Tendenca demografike e vendit është drejt rënies, qoftë pakësimit të lindjeve popullsisë dhe plakjes së saj. Ajo që e pëson është shoqëria shqiptare dhe kryesisht ndikimi jepet tek rritja e zhvillimit të vendit. Problemet demografike ndikojnë në mënyrë të papërballueshme.
Ekonomia e dobët dhe e pamundur për të përballuar nevojat e zhvillimit të vendit, ritmet e duhura të ekonomisë për të hapur perspektiva për shoqërinë, ritmet e ngadalta nuk japin sigurinë. Këto pakësojnë motivimin e të rinjve për të pasur fëmijë. Dobësohet familja, rritet numri i divorceve, dhe futja e elementëve të tjerë siç është bashkëjetesa dobësojnë nevojën për martesë. Kjo bën që të ulet lindshmëria në vendin tonë, mosha mesatare e grave që lindin të jetë gjithmonë më e lartë dhe të ulet dhe mosha e lindshmërisë. Këto krijojnë hendekun midis moshës së vjetër dhe moshës së re.”
Ndër të tjera ai shprehet se një nga shkaqet që ndikon jashtëzakonisht tek plakja e popullsisë.
“Popullsia shqiptare duke qenë se është një shtet i vogël e ndjen shumë emigracionin, e ndjen shumë dhe rënien e lindshmërisë. Emigracioni tek ne ka efekte të jashtëzakonshme sepse janë moshat e reja ato që largohen dhe forcat riprodhuese.”