Plasi libri në Shqipëri, politikanë e vipa dalin përpara bibliotekave kur flasin për koronavirusin
Këto ditë të vështira karantine, me koronavirusin e tmerrshëm nëpër këmbë, kanë zbuluar një anë mjaft interesante të popullit tonë, më konkretisht të shtresës elitare, atë të politikanëve dhe vipave.
Duke qenë se komunikimet me mediat dhe emisionet televizive, po realizohen nga shtëpia, në ekranet tona kanë parakaluar biblioteka të ndryshme, të tejmbushura, që shërbejnë si sfond, për personat që flasin për koronavirusin.
Edi Rama: Kryeministri ka një bibliotekë të majme, me libra të shpëndarë në të katër anët, në mënyrë të paorganizuar, pak a shumë si paraqitja e tij, veshjet e zhubrosura të karantinës dhe mjekrra, që tani në kohë koronavirusi, ka dalë fare jashtë kontrolli.
Lulzim Basha: Lideri i opozitës, ka një koleksion librash shumë uniforme në zyrën e tij, me pamje identike, mjaft të ngjashëm edhe me prezantimin e tij në publik, ku mbizotëron bluja e thellë dhe ngjyra kafe. Edhe librat e Bashës, kanë pothuajse të njëjtën hekurosje dhe uniformitet, si këmishat, kostumet dhe flokët me brilantinë. Madje, aq uniforme dhe të ngjeshura me njëra tjetrën janë këto libra, sa po të heqësh njërin prej tyre, efekti domino hyn menjëherë në veprim dhe e gjithë biblioteka pëson kolaps. Imagjinoni, se çfarë heq kryetari i opozitës, kur i qëllon të prekë me dorë ndonjërin prej këtyre librave…
Monika Kryemadhi: Ndryshe nga Rama dhe Basha, Kryemadhi ka preferuar të ketë si sfond, Nënë Terezën, për këtë kohë koronavirusi. Kjo ka ndodhur, për shkak se Kryemadhi e përdor sfondin me libra edhe në kohë të zakonshme, pa viruse. Ajo bën lidhje të shumta direkte nga zyra e saj dhe në LSI, i kanë ndërtuar një bibliotekë për sfond, për t’u patur zili edhe nga Rama, por sidomos nga Basha, që i nevojitet urgjent diversitet në bibliotekën e tij në dukje demokratike, por me një uniformitet të frikshëm.
Erion Veliaj: Kryebashkiaku i Tiranës, ndryshe nga shumica e qenieve njerëzore, qëndron në këmbë kur flet përpara bibliotekës, të cilën me thënë të drejtën, nuk ngjason aspak me pushtetin e tij të madh. Biblioteka vshtë e vogël, si tip biblioteke adoleshentësh dhe aty më shumë shquhet një targë me mbishkrimin “Lali Eri”, se sa librat.
Në këtë kohë virusi edhe shumë vipa të tjerë në fusha të ndryshme, na kanë njohur me bibliotekat e tyre të pasura, por duke qenë se janë të shumtë, sepse ky popull siç e dini merret vetëm me libra dhe lexime, ne publikuam vetëm katër politikanët kryesorë në vend.
/TPZ.al