Plazhi socialist, si “pushohej” gjatë diktaturës

Nga Kastriot Dervishi –

Klasa punëtore merrte dy javë leje në vit. Fshatarësia kooperativiste nuk pushonte.
Punëtori pasi siguronte një fletë kampi për në Golem apo Durrës, përjetonte sfidën heroike të bartjes së plaçkave nga vendbanimi në kabinën prej dërrase të plazhit. Dita e shkëmbimit të pushuesve në trena ishte tmerr i vërtetë. Stacionet i përngjanin vendeve si Bangladeshi. Si ata që vinin e ata që iknin, dallonin për dengjet e plaçkave, bidonat, furnelat e vajgurit, tenxheret me presion, pjatat, etj, të cilat mezi i bartnin në tren. Ndonjë më i guximshëm merrte me vete edhe televizorin plumb të rëndë.
Në plazh, kabina e vockël prej dërrase nuk kishte WC. Pushuesi sa herë kishte nevoja të ngushtme i drejtohej WC-së kolektive, e cila kutërbonte jo vetëm nga era karakteristike, por edhe nga klori i hedhur pa kujdes aty. Në kabinë, kur nuk flinte, pushuesi gatuante. Erërat e gatimit ishte gati të njëjta: nga specat.
Larja ishte vetëm në det dhe te ndonjë dush i shtrëmbër publik me ujë të ftohtë (nëse kishte).
Në magazinën e plazhit, pasi e paguante dhe dorëzonte letërnjoftimin, pushuesi merrte një çadër mesjetare gjithë myk.
Pasi ditët mbaronin, kthimi ishte po me të njëjtin mundim si dita e parë.
(Këto rreshta janë përjetime nga fëmijëria. Për fat të mirë, këto skena vetëm i kam soditur).

SHKARKO APP