Pleqëria e bekuar

Nga Miron Çako*
Kur lind një njeri të gjithë e urojnë: “Me jetë të gjatë”. Vlera e jetës është relative brenda kohës edhe hapsirës së botës kuptohet më shumë kur i afrohet fundi i saj. Mosha e tretë e kupton më shumë vlerën e jetës dhe rëndësinë e kohës, që papritur një ditë përfundon me vdekjen. Pavarësisht se pleqëria si proçes është i pashmangshëm njeriu përsëri nuk e do pleqërinë, sidomos kur ajo shfaq shenjat e saj si: thinjat,rrudhat,kërrusjen e trupit etj, njerëzit fillojnë të shqetësohen, madje të stresohen. Disa e kanë të vështirë të mësohen me ato duke ndërhyrë psh: lyejnë flokët, bëjnë makjazh,apo ndërhyrje estetike, por më në fund i nështrohen pleqërisë si një proçes dialektik i jetës në tokë.
Udhëtimi në jetën toksore, i ngjan udhëtimit të diellit i cili lind në mëngjes, shkëlqen në mesditë edhe perëndon në mbrëmje, madje sikur e përpin toka. Por ashtu si përëndimi i diellit është shumë i bukur për ta soditur edhe pleqëria si një stad i perëndimit i jetës njerëzore, ka bukurinë edhe kënaqësinë e saj për ata që dinë ta vlerësojnë.
Kur pleqëria në vetvete është tregues i një jetë të gjatë thonë: “Rrojte pa u plake”edhe në Fjalët e Urta të Solomonit thuhet : “Flokët e bardha janë një kurorë lavdie.”(Fjalë të Urta 16:31)
Po ashtu pleqëria është mosha kur njeri lehtësohet nga puna aktive nga rinia e tij edhe gëzon mundin e pasurisë më të madhe që janë fëmijët e mbarë, bashkë me nipër e mbesa ose “mjalti i mjaltit” apo siç thotë një fjalë e urtë:“ Bijtë e bijve janë kurora e pleqëve dhe lavdia e bijve janë etërit etyre”(Fjalët e Urta: 17 -6)
Ata që kanë një pleqëri të tillë nuk i tremben vdjekjes, por e presin atë me qetësi dhe paqe, sepse e shijuan jetën tokësore, u ngopën me ditët e jetës kalimtare, ashtu siç e thotë edhe urtësia Sirakidit: “O vdekje vendimi Yt është i mirseardhur duke qënë ligji i Zoti për çdo gjallesë.(Sirakidi 41 3 -5)
Pleqëria në rendin shoqëror është edhe një testim për brezin e ri dhe një sfidë për ata, sepse janë urdhëruar me porosi: “Ndero atin edhe nënën tënde me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokë, që Zoti Perëndia po ti jep “( Eksodi: 20-12 ). Urdhëri nuk thotë thjeshtë t’i duash, por t’i nderosh, që do të thotë t’i respektosh si personat më të rëndësishëm mbas Perëndisë. Prindërit janë bashkëpunëtorë me Zotin në krijimin e fëmijëve edhe në ritjen e edukimin tyre. Fëmijët duhet t’u binden atyre, ashtu siç thotë edhe Shkrimi i Shenjtë: “Fëmijë dëgjoni pridërit për të gjitha sepse kështu e do Zoti”( Kolosianët 3:20). Mos bindja e fëmijëve është e justifikuar vetëm kur prindi në padituri, dobsi apo pasion mëkatar e orienton fëmijën e vet në rrugën kundër Zotit, ligjit edhe moralit, ashtu si thuhet nga Krishti: “Kush do atin apo nënë më shumë se mua nuk është i denjë për mua”( Mateu : 35 37). Fëmijët duhet të kujdesen për prindërit në pleqëri, kjo është si një larje borxhi mes brezash, që do të thotë, prindërit u kujdesën dhe sakrifikuan për fëmijët në rini, vjen koha të kujdesen fëmijët për prindërit në pleqëri. Këtë përkujdesje dhe dashuri brezash e gjejmë edhe tek insektet, shpendët, kafshët, aq më shumë tek njeriu që dallon nga kafsha se dashuron edhe vepron i nxitur jo thjesht nga instikti, por edhe nga arsyeja. Historia njerëzore ka shumë ngjarje prekëse në lidhjet e dashurisë të fëmijëve ndaj prindërive edhe fatkeqësisht anasjelltas të braktisjes dhe keqtrajtimit të prindërve.
“Kur grekët fituan mbi Trojanët, i urdhëruan banorët të braktisnin shtëpitë e tyre, pasi të kishin marrë nga ato vetëm një send (orendi). Enea, biri i mbretit të Trojës mori një statujë të “perëndisë” që mbronte shtëpinë e tij .Grekët e pëlqyen shprestarinë e tij dhe për këtë lejuan që ai të merrte edhe diçka tjetër. Kur ai hyri për herë të dytë në shtëpi, e panë të dilte duke mbajtur në shpatulla babanë e tij plak. Grekët u çuditën dhe admiruan dashurinë e Eneas, për perëndinë edhe për prindin. Por sa në antitezë qëndron kjo sot me veprimet e fëmijëve indiferent ndaj kujdesit prindëror, madje duke i keqtrajtuar edhe braktisur në “fatin” e tyre të keq, duke detyruar prindin t’i mallkoj.Këta fëmijë kurrë nuk do të bëjnë përpara në jetë, sepse mbi veten kanë zemërimin e Zotit dhe hidhërimin e prindit.
Nderimi prindërve është tregues se sa e nderon Zotin prandaj edhe apostull Pavli thotë për fëmijët që nuk kujdeseshin për prindërit, por me hipokrizi hiqen si besimtar : “ Në qoftëse nuk kujdeset për të vetët dhe më tepër për ata të shtëpisë(prindërit),ai e ka mohuar besimin edhe është më i keq se një i pabesë” (1 Timotheu: 5-9)

Pleqëria është një thesar i mbledhur, përvojë jete, pa këtë përvojë brezi i ri nuk mund të përparoj, prandaj në çdo kohë edhe çdo qytetrim pleqtë kanë pasur autoritetin e këshillës edhe vendimit, edhe këto këshilla quhen pleqësi.
Në një përrallë të vjetër tregohet: “Një mbret i ri mbasi fitoi edhe po ndërtonte themelet e mbretërisë tha se pleqtë janë të tepërt, prandaj bijte e tyre duhet t’i braktisin në mal t’i lënë të vdesin .Por njeri prej të rijnve nuk e zbatoj urdhërin e mbretit edhe mbajti të fshehur atin e vet. Kur mblidhej mbreti me djemurinë për këshillë, ky djalosh jepte përgjigje edhe këshillat më të sakta nga të tjerët sikur kur të kishte përvojën e një të moshuari. Kur mbreti e pyeti nga i gjen këto keshilla atëhere djaloshi tha: “O mbret ato mi thotë im at, të cilin unë nuk e braktisa sipas urdhërit tënd.” Atë kohë doli ligji që fëmijët të pleqërojnë prindërit e tyre se janë të vyer për nga urtësia.”
Prandaj përsëri Sirakidi thotë: “Sa bukur u ka hije thinjave gjykimi dhe pleqve njohja edhe këshilla! Sa e hijeshme është për të vjetrit urtia dhe për të shquarit këshilli kurora e pleqve përvoja e madhe e mburja e tyre frika e Zotit ( Sirakidi 25:5-8).

Dituria e plakut i vjen nga përvoja e gjatë jetësore, por urtësia i vjen nga Zoti, prandaj në Shkrimin e Shejntë pamja e të përjetëshmit Perëndi shfaqet si një plak i motçëm: “Unë vazhdova të shikoj deri sa u vendosën fronet dhe i Lashti i ditëve u ul. Veshja e tij ishte e bardhë si bora, flokët e kokës së tij ishin si leshi i pastër”( Danieli 7:9) Por edhe ata që rrinë rreth Zotit në oborin e mbretërisë Qiellore shfaqen si pleq të urtë: “Dhe rreth e qark fronit ishin njëzet e katër frone, dhe mbi frone pashë ndenjur njëzet e katër pleq të veshur me petka të bardha; dhe mbi kryet e tyre kishin kurora:”… “Dhe të njëzet e katër pleq ranë përmbys dhe adhuruan atë që rron në shekuj të shekujve ( Zbulesa 4 : 4 -10 ).

Prandaj në çdo stad të jetës sidomos në pleqëri nuk duhet humbur vigjelenca dhe përpjekja për t’u bërë gati, sepse vet pleqëria është një sinjal që po i afrohemi stacionit të fundit të jetës së përkohshme edhe duhet të bëjmë gati dy valixhet (besimin dhe veprat) që do mbajmë me vete kur të hyjmë mbas vdekjes në dimesionin e përjetshëm në përballje me Zotin, gjykatësin me drejtësi. Është një mendjeletësi për ata të moshuar që duke menduar se iu iku mosha përpiqen të përfitojnë nga çdo çast edhe rethanë, për të kënaqur instiktet mëkatare duke treguar një korupsion edhe padrejtësi skandaloze si:“Një plak flligështar që e ka lënë mëndja” (Sirakidi 25 4), apo duke e çuar dëm kohën aq të çmuar që i ka mbetur për t’u bërë gati për gjykim. Pleqëria edhe pse nuk mund të bëjë punë fizike ëshë koha më e mirë për punë më të larta edhe të rëndësishme,ato shpirtërore, pregatitjen e shpirtit, me anën e besimit, lutjes, pendimit rëfimit, ashtu si Zoti Krisht paralajmëron: “Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj.” (Mateu 24:42) Edhe një njeri i tillë që punon me frikë perëndie deri në fund për shpëtimin e shpirtit tij, që të fitoj pensionin e përjetshëm në Parajsë është :”Si një palmë e mbjellur anës ujit të lumit,që sjell pemë në stinën e vet dhe nuk thahet fleta dhe çdo gjë që të bëjë do të ketë mbarësi.Të paudhët jo ,ata janë si kashta që i fryn era tutje.Prandaj të paudhët edhe mëkatarët nuk do të qëndrojnë dot në gjykatoren dhe në mbledhjen e të drejtëve.Sepse Zoti njeh udhën e të drejtëve,po udha e të paudhëve do të humbasë”(Psalmi 1)

Pleqëri e bekuar, është për ata që i besuan Zotit edhe e bënë gati veten të bashkohen me Perëndinë, por që t’i afrohet dikush Perëndisë sipas Zotit Krishti duhet të bëhemi fëmijë nga shpirti edhe plak nga mendja:“Në të vërtetë po ju them se kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të”.( Marku:10:15) Apostull i kombeve Pavli thotë përsëri:“Vëllezër, mos u bëni kalamaj nga mendja, por bëhuni foshnje për të ligën, dhe burra të pjekur nga mendja”.(1 Kor 14 :20 ).

Prandaj pleqëria me të gjithë barrën e saj është një proçes shenjtërimi dhe ndihmon në përulësinë, thjeshtësinë, bindjen dhe çiltërsinë, një cikël i mbyllur i jetës, një kthim nga ku e nisëm kur lindëm si fëmijë të pafajshëm.

Si përfundim sipas teologjisë së krishterë pleqëria që paraprin vdekjen është pasojë e mëkatit të njerëzve të parë (Adam – Eva). Pleqëria është lejuar nga Perëndia si një proçes i nevojshëm mbas rënies në mëkatin fillestar,sepse qenia njerëzore që e humbi rininë e përjetëshme, mund ta fitoj atë përsëri ,duke kaluar nga vdekja në jetën nëpërmjet Krishtit Birit të Perëndisë dhe Birit të Njeriut, i cili nuk u plak sepse nuk kishte mëkat, por në moshën e pjekurisë burrërore 33 vjeçe, u kryqëzua për mëkatet tona të shumta që e plakin edhe vdesin natyrën njerëzore. Ai vdiq si njeri vullnetarisht dhe u ngjall të tretën ditë sipas shkrimeve si Perëndi-Njeri, duke mundur vdekjen në territorin e saj, për të na dhënë përsëri neve që i besojmë Atij Shpëtimtarit, rini të përjetëshme, ashtu si Zbulesa na i zbulon këtë mister eskatologjik: “Dhe pashë një qiell të ri edhe një dhe të ri; sepse qielli i parë edhe dheu i parë shkuan…Dhe dëgjova një zë të madh; “ Ja tenda e Perëndisë bashkë me njerëzit, dhe do të rijë bashkë me ata, dhe ata do të jenë populli i tij dhe Perëndia vetë do të jetë bashkë me ata. Edhe do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekja nuk do të jetë më, as vaj, as britmë,as dhimbje nuk do të ketë më,sepse të parat shkuan.Edhe Ai që kishte ndenjur mbi fron tha: “Ja, të gjitha po i bëj të reja”. ( Zbulesa 21:1-45)

*Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit, pranë Kryepeshkopatës K.O.A.SH, Tiranë.

SHKARKO APP