Poeti dhe shkrimtari, Shpendi Topollaj nderohet me çmimin “Pushkin”

 

 

-Një koinçidim interesant me botimin e dy librave të kohëve të fundit nga Shpendi Topollaj-, ku njeri prej tyre është “Ironia  e moshës”, me poezi të zgjedhura-

Para pak  ditësh, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve letrare, akorduar nga ana  e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rusisë. Poetit,  shkrimtarit dhe kritikut Shpendi Topollaj nga krijimet e të cilit janë përkthyer dhe botuar në Rusi, katër libra ku dallohen romanet e tij “Lotët e Zambakut”, “Pushkatimi” dhe të tjerat me tregime dhe novela, iu akordua çmimi “Pushkin”, me motivacionin “Për bukurinë e fjalës dhe të mendimit”. Këtë çmim e solli   Sekretari i Përgjithshëm  i  Lidhjes  së Shkrimtarëve dhe Artistëve të  Rusisë, poeti i mirënjohur lirik, Vladimir  Masallov dhe e dorëzoi   ambasadori i Federatës Ruse zoti  Aleksandër  Karpushin.

Këtë çmim e meritoi, gjithashtu, për përkthimet e saj cilësore edhe zonja Myzejen Shapllo. Për Shpendi Topollajn ky çmim koinçidoi me botimin e dy librave të  tij, “Ahu në mes të pyllit” – tregime dhe novela të zgjedhura dhe “Ironia e moshës”- poezi të zgjedhura, për të cilin është komentuar më poshtë.

Libri “Ironia e moshës”, është përmbledhja e poezive të zgjedhura të Shpendi Topollaj, i cili në harkun e këtyre njëzet e pesë viteve ka shkruar  disa libra me poezi. Poezitë e Shpendi Topollaj ashtu si e ka përcaktuar dhe kritika letrare, janë plot ndjenja dhe dashuri për jetën, njerëzit, natyrën, Shqipërinë, dashurinë e vërtetë. Me të drejtë Prof. Dr. Gjergj Zheji ka thënë për botimin e këtij libri se: “Dishepulli i Poradecit, Topollaji, di të hidhet në botën e poezisë lasgushiane, në shkollën e tij tepër të stërholluar, tepër të ngjeshur me sentimente dhe përjetime jo rrallë trashedentale, duke u përpjekur, megjithatë, të jetë sa më origjinal duke iu ruajtur epigonizmit të kollajtë. Ajo që e shqetëson Topollajn në këtë vëllim është më tepër misteri i jetës, ekuilibri midis ndjenjës dhe arsyes, çudia e fjalës poetike kthehet e bëhet mistikisht fjalë e vetë esencës së jetës, “Fjalë e Perëndisë”. Me të drejtë ky përcaktim profesionist  është ashtu si e trajton dhe e krijon poezinë Shpendi Topollaj. Poezitë e zgjedhura janë vetëm një përzgjedhje që vetë autori e ka bërë duke u bazuar edhe në eksperiencat e fituara, nga vlerësimet e bëra nga lexuesit e shumtë si dhe nga kritika e specializuar. Janë me dhjetëra artikujt që janë botuar në shtypin qendror shqiptar, emisionet televizive për krijimtarinë poetike të poetit dhe shkrimtarit, kritikut Shpendi Topollaj. Nëse e lexon me kujdes këtë libër të ri do të gjejmë pikërisht përpjekjet  dhe kujdesin delikat të autorit për të ruajtur pikërisht ekuilibrin midis ndjenjave dhe arsyes, midis dëshirës për të thënë gjithçka dhe vetëpërmbajtjes, një qëllim që Shpendi Topollaj i ka vënë vetes që të ruaj origjinalitetin e tij poetik. Dhe ia ka arritur qëllimit më së miri. Për më tepër, ai nuk konfondon stilet duke udhëtuar midis poezisë dhe prozës, midis poetikës dhe shkrimeve kritike apo sociale që ai i realizon në krijimtarinë e tij të pasur. Ai është poet ashtu sikundër mund të jetë edhe një poet që nuk shkruan fare në prozë. Kjo është një veçori që pak autorë shqiptarë e kanë. Botimi i  librit me poezi të zgjedhura “ Ironia e moshës” është një ngjarje për poezinë shqiptare të kohëve tona.

SHKARKO APP