Poeti i dashurisë dhe dhimbjes

Nga Fran Gjoka

Ka vite që njihem me shokun dhe mikun tim, Ndue Dragusha, i cili ka sjellë përherë në ndërgjegjen time vetëm respekt. Përherë i qeshur, modest, gazmor dhe gjithmonë i “armatosur” me njohuritë e nevojshme për çdo ambient dhe për çdo publik. Ndue Dragusha ka mbaruar shkollën e Mesme Pedagogjike “Shejnaze Juka” në qytetin e Shkodrës dhe që në atë periudhë ka filluar të shkruajë poezi, të cilat filloi t’i botojë dhe në shtypin e kohës, si në gazetën “Mësuesi”, “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë” etj. Pasioni i tij ishte dhe mbeti letërsia artistike, me të cilën vazhdon të “bashkëjetojë”, por edhe studimet shkencore në shkencën e psikologjisë, të sociologjisë dhe të didaktikës. Për të zgjeruar dhe certifikuar njohuritë e fituara, mbaroi dhe universitetin në qytetin e Shkodrës, nga ku mori me vete dhe vlerat e traditat e humorit shkodran, që e ndihmuan për t’u futur më shpejt dhe në kulturat e tjera dhe për të zbuluar më shpejt ndjesitë njerëzore dhe reagimin e tyre ndaj realitetit. Puna e tij si mësues e ka ndihmuar në mënyrë periodike për të rritur aftësitë dhe cilësinë e punës dhe të kërkimit shkencor në fushën e mësimdhënies, por dhe i ka dhënë impulse të reja për krijimtarinë e tij në vazhdim. Shpeshtësia e proceseve sociale dhe dëshira për t’u ingranuar brenda këtyre proceseve me dinjitet, i ka dhënë një formë më specifike, përherë në ngritje, krijimtarisë së tij, duke bërë të mundur kalimin nga një formë, në një formë më të lartë si në strukturë të krijimit ashtu dhe në formën e përmbajtjen ndjesore, perceptive dhe asimiluese, për ta kaluar më tej në “filtrin” e ndjenjës, për t’ia sjellë lexuesit ashtu, butësisht, ëmbël dhe shumë natyrshëm krijimtarinë e tij. Kështu lindën dhe librat e parë me poezi. Deri tani ka botuar katër libra me poezi, dy monografi dhe ka në proces një monografi, një vëllim me tregime, një vëllim me poezi si dhe një studim në fushën e social-psikologjisë mbi komunikimin në familje dhe ndikimin e këtij komunikimi në edukimin e fëmijëve. Për të përmbushur individualitetin e tij kulturor dhe shkencor, në vitet e ndryshimit të sistemeve politike në Shqipëri, mbaroi dhe një universitet të dytë në Psikologji dhe Master Shkencor në këtë disiplinë. Pasioni i tij për punën dhe vlerat e këtij njeriu janë një relike për çdo qytet. Me pasionin e veçantë arriti të funksionalizojë dëshirën e tij dhe të miqve të tij, duke hapur njërën nga gazetat më jetëgjata me emrin “LISSALBA”, që i rezistoi kohës për mbi 15 vite, duke u bërë kështu dhe një mbështetëse e të gjithë atyre që kishin dëshira për të shkruar dhe pasqyruar realitetin tonë në një media të tillë të shkruar. Kjo gazetë i kaloi kufijtë shqiptar dhe u bë shumë shpejt e dashur dhe shumë e pëlqyer. Ndue Dragusha gëzon respektin e njerëzve të vërtetë tek të gjithë ata që kanë dëshirë të punojnë, është pjesë kontributive dhe mbështetëse përherë. Sa herë është bërë promotor i talenteve të reja, të cilët do të gjenin njeriun e sigurt si nga ana profesionale ashtu dhe nga ana teknike e shkencore për realizimin e ëndrrave të tyre krijuese. Sa e sa libra janë redaktuar, korrektuar dhe sistemuar nga dora e Ndue Dragushës. Jo vetëm poezi apo prozën e gjatë, si tregime, novela, romane dhe libra historikë, por puna e tij është dukur edhe në literaturën akademike, ku ka dhënë një kontribut të veçantë në libra të tillë, si “Vetëvlerësimi Mësimor”, “Vizioni mësimor” etj., libra këto që sot studiohen në Universitetet Private shqiptare. Dora e Ndue Dragushës ka qenë mjeshtërore në punë të tilla, çka ka dëshmuar për aftësi profesionale, për dije shkencore dhe rentabilitet krijues, mbase dhe në luftë me mediokritet sterile, që shfaqen herë pas here në formën e “artistëve” të mëdhenj. Shoqëria jonë ka evoluar jashtëzakonisht shumë, duke sjellë në “cirkuitin” e saj edhe skorje, të cilat mbushin rrugët apo kafenetë, por edhe duke i vënë në vende dhe pozicione të mira dhe që lëshojnë “rrënjë” me mediokritetin e tyre, sa që përpiqen të zënë rrugët e gjithkujt. Ndue Dragusha nuk i ka rritur aftësitë e tij thjeshtë duke u përzier dhe shfrytëzuar politikën, por si një intelektual i pavarur, duke mbështetur gjithmonë politikat progresive për vendin dhe shoqërinë, ka dhënë kontributin e tij modest përmes punës së tij cilësore si dhe përmes medias. Shpesh në biseda shoqërore me këtë njeri gazmor, që ka mbetur gjithmonë i ri dhe shumë i thjeshtë e i dashur, të sjell në vëmendje një shprehje të Bertrand Russell, i cili thotë: “Problemi me këtë botë është se njerëzit mediokër janë tepër të sigurt dhe inteligjentët plot dyshime.” Tek ky njeri kam gjetur përherë njeriun, mjeshtrin e të shkruarit, modestin, njeriun e dashur, tolerantin dhe të sinqertin, cilësi këto që pakkush mund t’i ketë. Nuk e di si ndjehem kur më qorton dashuria, prandaj ëndrrat e mia e justifikojnë ekzistencën time në të ardhmen.

 Ju dini të mbroheni këtu, ndërsa unë këtu jam si lepur, nuk di të mbrohem. Unë vij këtu me shumë kënaqësi, por nuk besoj se mund ta përballoj të vij e të jetoj përgjithmonë këtu. Ka shumë frustracion të jetës së përditshme. Jeta është shumë e shkurtër e unë nuk kam kohë të përplasem në pengesa, vetëm për të arritur diçka, kur në një vend tjetër e arrij menjëherë dhe pastaj jetoj jetën time.” – thotë Robert Elsien. Por megjithatë, njeriu që do dhe di të punojë pa përfillur “egon” negative të të tjerëve, patjetër që arrin atje ku duhet dhe në këtë vend kaq të “egër”, sipas Elsien. Shembulli më tipik këtu është dhe Ndue Dragusha, i cili në çdo moment ka pavarësinë e tij intelektuale dhe qetësinë e admiruar për të punuar dhe për të ndihmuar e frymëzuar të tjerët, që janë kureshtarë dhe kreativë, njeri që përfill dhe vlerëson idetë pozitive, pavarësisht se kush është personi. Nganjëherë, duke qeshur, portretizon ato tipa mediokër, që bëjnë përpjekje mjerane për të treguar haptas mediokritetin e tyre, përmes një fabule të shkurtër. Një gjarpër po gjurmonte një xixëllonjë. Xixëllonja e diktoi dhe i tha: “A mund të të pyes diçka para se të më vrasësh? Gjarpri ju përgjigj: “Megjithëse nuk e kam zakon që t’i dëgjoj ata që dua t’i vras, fol.” “A bëj pjesë unë në listën e ushqimeve të tua apo të armiqve të tu?” – pyeti xixëllonja. “Jo!”, – u përgjigj gjarpri. “Atëherë përse kërkon të më vrasësh?” -vazhdoi xixëllonja. “Thjeshtë, sepse nuk e duroj dot shkëlqimin tënd, prandaj dua të të vras.” – ju përgjigj gjarpri. Por të gjithë ne e shajmë njeriun me tipare dhe vese negative, -shprehet Ndue Dragusha, – i themi “i lig”, por asnjëherë nuk na shkon ndërmend të mendojmë se sa e vështirë është jeta e “të ligut”. Po ta mendonim, të gjithë do të përpiqeshim ta rregullonim atë, t’i ofronim mundësi që të zgjidhte të mirën. Fatkeqësisht ne vetëm shajmë, gjykojmë njerëz dhe asnjëherë nuk mendojmë për ide, nuk futemi në “lëkurën” e tyre, e cila do të na “mësonte” se të gjithë jemi të rrezikuar nga rrethanat. Ky është njeriu Ndue Dragusha, i cili pavarësisht nga rrethanat e krijuara, asnjëherë nuk shfaq inate, mëri, cinizëm apo të përpiqet për t’u hakmarrë, cilësi këto që gjenden tek njerëzit që i përkasin civilizimit europian dhe vlerave të veçanta të atyre që duan të ketë një botë më të mirë për të gjithë.

Më kujtohet se i paharruari dhe i talentuari, i madhi Ndoc Gjetja, kur folëm në Lezhë për librin e dytë të Ndue Dragushës, u shpreh: -Ndueja nuk ka bërë një hap përpara, por një kapërcim përpara! Kjo thënie e poetit të madh shqiptar më mbeti në mendje dhe dëshiroja me gjithë zemër që kapërcimi të kishte kalërimin e vazhdueshëm të Pegasit, që i ngjitet Parnasit. Më vjen mirë që je në rrugë të mbarë. Pegasi tënd fluturon i sigurt, me objektiv Parnasin dhe kështu ti e pasuron dhe jep një kontribut të ndjeshëm në poezinë shqipe. Urime, Ndue Dragusha! Kam bindjen se po rrezaton dhe ndriçon rrugën e poezisë me dritën tënde poetike, origjinale, realiste, alegorike dhe shpresëdhënëse.” Ndërsa shkrimtarja Vjollca Spaho, shkruan: “Ndër ata që nuk e kanë braktisur poezinë, që vazhdojnë të jetojnë me të, që krijojnë art vërtetësisht të zhveshur nga gënjeshtra, që mbeten besnikë të ëndrrave dhe ideve më të kthjella njerëzore, njëri nga ata pra, është edhe poeti lezhian, Ndue Dragusha. Poezia e Ndue Dragushës pulson disi ndryshe, ajo ka natyrshmërinë dhe të veçantën e vet. Forca përgjithësuese e simbolikës së dhimbjes shfaqet si një refren tronditës në faqet e librit, të krijon përshtypjen se poeti s’ka harruar pa përmendur asnjë dhimbje të ndjerë. Kjo nuk do të jetë befasuese për shumë lexues dhe as për mua, që jetoj në të njëjtën kohë e hapësirë, të ngarkuara me dhimbje, por njëkohësisht them se “atje ku është dhimbja, atje është dhe dashuria e vërtetë”. Dhe këtë sentencë të ndjerë na e shpreh mrekullisht në vargje poeti i talentuar lezhjan, Ndue Dragusha.” Kurse poeti dhe gazetari durrsak, Mark Brunga, shkruan: “ Arbëreshët thonë: “Kush ka zjarr, rron, kush ka bukë, vdes.” Realisht tek poeti Dragusha ka zjarr dhe ky zjarr është fisnikëria e poetit, është njerëzorja, sensi i drejtësisë, mbi një realitet të padrejtë, jo për t’u bërë hero, por për të pasur shpirt tek gjithçka që dhemb, por dhe që zbukuron jetën dhe marrëdhëniet brenda saj.” Ky është Ndue Dragusha, poeti, mësuesi, psikologu, njeriu, gazetari. Gjithmonë në ballë të së vërtetës, në krah të së drejtës, përherë i qeshur, përherë njeri.

SHKARKO APP