Pogradeci në rrjedha të historisë

Albert Z. Zholi

Biblioteka memorialistike kombëtare këto ditë u pasurua me një botim të ri, “Pogradeci në shtypin e viteve”, me autor shkrimtarin dhe studiuesin Kristaq Nanushi. Siç nënkuptohet nga titulli, vepra është një bibliografi që përmbledh gjithë ç’është thënë në shtyp për Pogradecin dhe krahinat e tij që nga fillimi i gazetarisë shqip, më saktë nga viti 1887, e deri në mbarim të vitit 1944.

Duke shfletuar librin, bie në sy që në fillim volumi i madh i koleksioneve që janë hulumtuar: gazeta, revista, kalendarë, buletine, fletore zyrtare etj., gjithsej 285 tituj koleksionesh, që kanë dalë jashtë e brenda Shqipërisë. Gjen në to, gjithashtu, të gjitha gjinitë e gazetarisë: artikuj, njoftime, lajme, reportazhe, fotografi, portrete njerëzish, vendime gjyqesh, reklama, letra, telegrame, urime…Për secilin shkrim jepet titulli i organit ku është botuar, data, vendi dhe një shënim shpjegues përse bëhet fjalë në të.

 Ashtu siç shprehet në parathënie gazetari i shquar Niko Nikolla, ishte e pritshme që ky autor pogradecar, pas një kohe të gjatë studimesh dhe botimesh të pasurisë kulturore të vendlindjes së tij, të dilte para opinionit mbarëshqiptar me një libër të tillë. Në letërsinë bibliografike kombëtare, për fat të keq jo të pasur, libri vjen si shembull i lartë për të gjithë ata autorë, që vënë themele në studimet historike e kulturore të trevave të tyre. Madje u vjen në ndihmë edhe familjeve të thjeshta të qytetit e të zonave pranë, për të njohur më tej e më mirë trashëgiminë e të parëve. Ata do të ndjejnë me të drejtë krenari legjitime për ndërgjegjen e lartë kombëtare që kanë patur pogradecarët në rrjedha të historisë. Shumë nga të parët, njerëz të thjeshtë e intelektualë, brenda dhe jashtë atdheut, individualisht apo të grupuar në çeta luftëtarësh e në shoqëri patriotike u bënë atdhetarë të shquar të pushkës e të penës. Ata i gjejmë si manifestues, si protestues, si denoncues, si organizatorë dhe pjesëmarrës nëpër mitingje e demostrata, si luftëtarë me armë në dorë, si ndihmëtarë në të holla për shkollat, për librat në gjuhën shqip, për shtetin, për bashkinë e qytetit, për gazetat përparimtare per kishat e deri për fëmijët jetimë të dëshmorëve të lirisë. Me të drejtë prof.dr.Eduard Sulstarova shprehet në recensën e tij: “E vlerësoj së tepërmi punën e madhe që autorit i është dashur të bëjë për hartimin e kësaj vepre. Mendoj se ajo ka vlerë të madhe njohëse për këdo, veçanërisht për studiuesit”.                  

Bibliografia, që dëshmon për mprehtësi intelektuale, është strukturuar sipas kriterit kronologjik. Pas parathënies së gazetarit të mirënjohur Niko Nikolla, që e prezanton përmbajtjen me kompetencë e gjuhë të lartë profesionale, vjen një fjalë e autorit që e përcjell lexuesin në leximin dhe kuptimin e saktë të disa teknikaliteteve. Pastaj, vitet 1887-1944 vijnë kronologjikisht të grupuara sipas tri periudhave historike: Rilindje, Pavarësi, Lufta II Botërore. Është për t’u vënë në dukje vendosja si ballinë e kohës e një pasqyre me emrat e shquar të secilës periudhë. Përshembull, në Rilindje gjejmë emrat që u shquan në fushën e shkencës dhe të shkollave shqipe, si prof.Gjergj Pekmezi, Koço Sotiri, Aleks Oshteça, Gjokë Pjetër Shqiptari, Muhamer Minarolli etj. Po kështu edhe veprimtarë të shquar për çështjen kombëtare si Spiro Naço, Llazar Kozma, Marko Kërxhalli, Zisi Tushemishti e të tjerë në SHBA. Gjejmë dhe luftëtarë me çeta në luftë për pavarësi, si Jashar Starova, Kajo Babieni e Hasan Çela.

Ngjarjet që përfshihen në kapitullin e Rilindjes janë mbresëlënëse. Veçojmë atë të hapjes më 1887 të Mësonjëtores Shqipe në lagjen e Toplecit, një javë pas asaj të Korçës, gëzimin popullor, letërkëmbimet për të midis Th.Mitkos e J.De Radës, midis J.Kosturit e V.Dodanit. Këtu gjejmë portretet dhe jetëshkrimet e dy rilindësve mokrarë, Gjokë Pjetrit dhe Aleks Andreas, që u vranë për shkollat dhe librat shqip. Gjejmë Gj.Pekmezin si shkencëtar, diplomat në Vjenë e patriot i madh, M.Minarollin që rihapi shkollën shqipe më 1908, S.Naçon si patriot në “Vatra” të SHBA dhe si kryetar i parë i Bashkisë Pogradec. Gjejmë çetat me foto të J.Starovës dhe të Gorës, shoqëritë patriotike që ngritën ndërgjegjen kombëtare në luftën për Pavarësi. Po ashtu, shpërfaqet përditshmëria e jetës nën sundimin otoman, me trazira të llojllojshme, me hajdutë, kërcënime, vrasje e kusari, si dhe me përpjekjet për të mësuar shkrim-këndim shqip fshehurazi nëpër shtëpi. “Lavdi pastë Perëndia që më 1900 e gjer më sot kanë mësuar të shkruajnë e të këndojnë shqip më tepër se 45 shpirt, pa shkolla e mësonjës, njëri nga tjatri”, shkruan një mokrar nga Pleshishti në gazetën “Drita” të Sofjes, dt.15 Shkurt 1908.

Është një jetë më të dhëna krejt të panjohura, sepse edhe rrëfimet e të parëve tanë sot, pas 100 e ca vjetëve, nuk mbahen mend. Është ashtu siç shprehet prof.dr.N.Jorgaqi: “Kjo bibliografi ngrihet si një monument kulturor për vendlindjen dhe i jep historisë shqiptare një kuotë të re njohjeje për Pogradecin”.

Në “ballinën” e Pavarësisë (1912-1939) emrat e personave dhe personazheve të kohës, të aktivizuar në shtypin brenda e jashtë Shqipërisë, janë më të shumtë. Shquhen ndër ta Gj.Pekmezi, J.Bashko, L.Poradeci, M.Kuteli, por dhe të tjerë si Koço Semini, Dhimitër Tushemishti, Hilmi Leka, Xhevat Starova, Nevruz Starova, Gjokë Gusho, Sulejman Starova, Vasil Alarupi, Llambi Basho, Kolë Koçi, Zisi Tushemishti, Thanas Kërxhalli, Banush Hamdiu që u dalluan në fushën e gazetarisë, të politikës, të pushtetit vendor etj.

Nga ngjarjet me jehonë të kësaj periudhe veçohen provokacionet sërbe në trojet shqiptare, aneksimi i Shën Naumit brenda kufijve të Jugosllavisë, lufta kundër esadistëve më 1914, protestat e qytetarëve pranë kishës më 1921 për t’i kënduar liturgjitë në shqip e jo greqisht, botimi i revistës “Kalendari Pogradeci” më 1919 dhe 1920, po ashtu i gazetës “Liqeni” më 1923, veprimtaritë e shumta të Shoqërisë “Trupi gjimnastik” nga viti 1916 e më pas, drama “Besa” e S.Frashërit që u luajt së pari më 1919, veprimtaritë e “Trupit Bojskaut” e sidomos, veprimtaritë e Shoqërisë Kulturore-Sportive “Dragoi” e cila në vitet ’30 u bë me nam në të gjithë vendin.

Duke kaluar nëpër ngjarjet historike të kësaj periudhe shohim edhe përditshmërinë e jetës së qytetit dhe të fshatrave, me zhvillimet dhe sukseset për kohën, por dhe me krizat fianciare, me shqetësimet kufitare, me lajme të mira e trishtuese, me krijimtarinë letrare të Lasgushit e të Mitrushit, që priten me aq entusiazëm brenda dhe jashtë Shqipërisë, me veprimtarët e shquar në SHBA, Rumani e gjetkë, me përhapjen dhe konsolidimin e shkollave në rreth, me reklamat për hotel e plazh, për birrari, për fabrika mielli, për rrobaqepsi, për servis makinash etj. Të bën përshtypje qytetaria e pogradecarëve me kostume, gravata, borselina, me pikniket që bënin në Kopshtin e Kalasë, në Kabash e në Katjel, në Shën Naum e Shën Prokop, manifestimet në data festash, grupet artistike të teatrit, të korit të kishës, të mandolinatës, të fanfarës, ekipet sportive të futbollit, të atletikës, të notit, të kanotazhit etj. Gjallëri e zhvillim  solli ndërtimi i centralit elektrik të Kaboshit më 1928, që i dha dritë elektrike qytetit e fill pas kësaj, ndërtimi i kinemasë që u quajt “Afërdita” (pastaj “Nacional” e pas çlirimit, “Pokska”). Gazetaria e kësaj periudhe ka informacione për krizën ekonomike në vend e në botë, ka këshilla agronomie për vreshtarinë, pemëtarinë e për gështenjat, ka propagandën për zgjedhjet në bashkinë e qytetit e në Kuvendin e Shqipërisë etj.

Shumë ngjarje të kësaj periudhe, edhe pse më e afërt, janë gjithashtu pak ose aspak të njohura.

Periudha e tretë, Lufta e II Botërore, përfshin shkrimet nga 7 Prilli 1939 e deri në mbarim të vitit 1944. Në ballinën që prin kapitullin gjejmë persona e personazhe të periudhave të mëparshme, si L.Poradeci, M.Kuteli, J.Basho, por edhe emrat e Heronjve të Popullit R.Çollaku e K.Karafili, të dëshmorëve të lirisë e të luftëtarëve me armë në dorë, si T.Laçka, L.Çomo, M.Gjoka, P.Vako, të veprimtarëve shoqerorë dhe krijuesve të tjerë, si F.Papajani, K.Tushemishti, H.Leka, V.Alarapi, K.Koçi, S.Minarolli, B.Zhudi etj.

Përditshmëria e kësaj periudhe është e mbushur me lajme nga frontet e luftës, me Luftën e Pojskës dhe goditjet e tjera mbi fashistët, me buletinët dhe komunikatat e brigadave partizane, me tri djegiet e qytetit e deri në çlirimin e tij nga partizanët më 30 Gusht 1944.

Vlerë të posaçme merr bibliografia me tre treguesit (indekset) që e mbyllin atë: me emrat e autorëve të shkrimeve, me emrat e njerëzve që përmenden nëpër shkrime dhe me emrat gjeografikë (toponomastika), ku zhvillohen ngjarjet. Kjo e lehtëson kërkimin dhe gjetjen e personave dhe të vendeve sipas interesave dhe përkatësive që kanë lexuesit. Është një punë tjetër e mundimshme kjo, që Kristaq Nanushi ka marrë përsipër dhe ia ka dalë me sukses, për t’ua dhuruar lehtësisht informacionin bashkëqytetarëve të vet. “Sa shumë pogradecarë të penës!- thotë prof.dr.J.Basho.- Me këtë libër autori vërteton se Pogradeci është thesar edhe në këtë drejtim. I uroj suksese dhe botime të tjera dinjitoze!”

Në përfundim, libri prej 525 faqesh ka dy gjetje të bukura metaforike, të vendosura një në kopertinën para (në ballinë) dhe një kopertinën prapa. Ajo në ballinë ështe e Piktorit të Merituar Anastas Kostandini (Taso), i cili me pamje grafike e paraqet librin si një mjellmë (shpend i bardhë, paqësor e poetik i liqenit), duke fluturuar me zell e gaz drejt Pogradecit, me lajmin se po sjell dhuratë një arkiv të pasur, të panjohur e të rëndësishëm për sot e për të ardhmen. Fasha në gojë “shtypi press-shtypi press…” është përmbajtja e dhuratës. Një imazh që e konkretizon bukur mesazhin.

Shprehja e dytë metaforike, ajo në kopertinën prapa, është e poetit dhe gazetarit të mirënjohur Xhevahir Spahiu, i cili kuintesencën e këtij botimi e shpreh me pak fjalë: “Ky libër është nënë librash të tjerë”.

SHKARKO APP