Policia private e Ramës…

Nga Agim Xhafka –

Sot e diel. Kryeministri nga frengjia e Facebook-ut lëshoi urdhrin, liridalje për nënat me fëmijë deri 10 vjeç. Burrat mbyllur në shtëpi, mundësisht duke gatuar.

Përfytyrova Ramën duke bërë lakror. Nuk di pse, por më është ngulitur në tru se ai është njohës i mirë i miellit e doçkat e tij e qajnë byrekun.

Dola dhe unë nga shtëpia e pas dhjetë hapash më bërtet një polic nga trotuari tjetër:

-Hej, or ti, hajde pak këtu!

-Unë e kaloj rrugën veç te vijat e bardha, eja ti – i thashë.

Doli vrik si egërsirë, bashkë me kolegun e vet.

-Pse ke dalë?

-Largohu 2 metër – i thashë.

M’u ngjit në surrat. Me sy të kuq. Sigurisht nga inati. I ktheva kurrizin.

-Ke leje?

-Po.

-Ta shoh? – dhe zgjati dorën me dorezë.

-Ta jap po vendose dorezë të re – i thashë.- Ose shihe nga larg.

-Qenke gazetar?

-Po.

Bëri një pauzë.

-Cili ligj nuk më lejon të dal të dielën? – e pyeta,

-E dëgjove kryeministrin mbrëmë? – ma ktheu me pyetje.

-Cili ligj lejon liridalje veç për nënat?

-A e dëgjove kryeministrin?

-Nuk dëgjoj Ramën. Më thuaj ligjin. Me numër e datë.

Në këtë çast u nxeh. E ngriti zërin:

-Çfarë gazetari je ti, more?! Gazetar me tuta dhe atlete.

Atje nuk mbajta më. Ia plasa:

-Ç’polic je ti more, që të del Rama çdo ditë në TV me atlete, tuta e benevrekë e ti sheh veshjen time?

Aty nuk duruan të dy.

-Do vish në komisariat! Urgjent. Na ke bërë presion në krye të detyrës.

Qesha dhe u futa te makina e tyre. Nuk durojnë po u preke shefin e madh. Sa u nisëm, i ngacmova:

-Po lakuriq a e keni parë Ramën? Po çomangen?

Më zbritën pas 100 metrave. Nuk mora vesh pse. Mbase e kuptojnë ndonjë çast se nuk bëjnë mirë kur marrin urdhra nga Facebook-u. Njerëz janë dhe ata. Kanë ndërgjegje.
Ose kanë frikë nga e nesërmja. Vjen shpejt ajo…

SHKARKO APP