Politika shqiptare do jetë edhe më keq pas Covid-19?!

Nga Ben Andoni –

Kanë mjaftuar pak javë për të kuptuar sesa bajate është politika e përditshme, që bëhet tek ne. Më shqetësues është fakti, se pas disa javësh, kur të kthehet normaliteti i munguar kuptohet se e gjithë kjo periudhë e madhe reflektimi do të shikohet që nuk ka shërbyer për asgjë.

E ndjen këtë në luftën pa-kompromis të faktorit të brendshëm politik dhe anatemën ndaj njëri-tjetrit por edhe në mungesat e strategjive afatshkurtra, si kjo e Covid-19 për t’u përshtatur.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga ana tjetër, e gjithë kjo po nxjerr handikapin e madh të një opozite, që tashmë është e bllokuar dyfish: njëherë prej vendimit të paprecedent për ikjen nga parlamenti dhe e dyta prej fatit të keq, që po ndodhet në kulmin e një pandemie, të paparë në kohët tona: koronavirusit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Dhe, për të neutralizuar fuqinë e madhe të qeverisë Rama, jo pak herë konfuze, ajo bën gabime pas gabimesh. Dhe, atëherë kur mundej t’i paraprinte me shembujt e saj të mirë dhe me fuqinë e logjikës, ajo e prish me anatemat pa sens dhe me kritikat pa masë.

Kryeministri ka gjetur kohën më të papërshtatshme për t’i qesëndisur e jo pak herë edhe për ti fyer me cinizmin e tij të natyrshëm.

Ndërkohë që politikanë të dy anëve, kuptohet me numra më të pakët sesa para Covid-19, mundohen të vazhdojnë luftën e llogoreve, ku çdo gjë që bëjnë shefat respektivë të partive hidhet poshtë dhe nëpërkëmbët. Do të duhej jo pak, që të vlerësohej vendimi i qeverisë shqiptare për të përcjellë grupin jo fare modest të 30 mjekëve dhe infermierëve drejt Italisë. Kjo nuk ndodhi, ashtu si u përdor shëmtuar.

Nga ana tjetër, as nuk përfillen fare masat e propozuara të opozitës, që duket se shpesh nuk janë në kohë dhe vendin e caktuar, porse për respekt mund të konsideroheshin. Ashtu si opozita nuk mundi kurrë të zbriste në terren, si të ishte pjesë normale e realitetit, por u mundua ta nxijë gjithçka.

Dhe, e fundit, ndoshta jo më pak e rëndësishme ajo që po ndodh me intervistën e fundit të kryeministrit Rama, në përplasjen me një punonjës italian policie, që duket se po ngjall sërish pasojat e një Ligji, që ka shkaktuar aq shumë probleme mes politikës. Bëtë një ligj, që e katranosi më shumë, paçka se në rrjetën e tij ranë jo pak persona.

Me të gjitha, e kupton, se politika shqiptare është çështje ditësh të mos fillojë e të sillet shumë më keq sesa deri më tani, pra sa të bjerë trau i pakalueshëm i Covid-19. Nuk është ndonjë gjë e rrallë, të paktën kur shikon rastin e Polonisë dhe Hungarisë, këtë e beson. Dhe, Shqipëria nuk është përjashtim i asaj që po ndodh në historinë politike në Lindje.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?