Presidenti i Shoqatës Botërore të Akuarelistëve i dhuron portretin Dritëro Agollit

 

Dritëro Agolli, kolosi i letrave shqipe, në ngjyrat e akuarelit të Presidenti të Shoqatës Botërore të Akuarelistëve, Atanur Dogan

Presidenti i Shoqatës Botërore të Akuarelistëve i dhuron portretin Dritëro Agollit

Në kuadër të Panairit "Klik Ekspo Group" në datat 21-25 Nëntor, Shoqata VIZart çeli Bienalen e Parë Ndërkombëtare në Tiranë në bashkëpunim me "Klik Ekspo Group", ku morën pjesë të gjithë artistët më të shquar në botë për veprat e akuarelizmit të kryesuar nga Presidenti i Shoqatës Botërore të Akuarelistëve, Atanur Dogan.
Artisti Atanur Dogan hodhi në letër me ngjyra portretin e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli dhe ia dhuroi ditën e djeshme në shtëpinë e tij, duke treguar se dashuria dhe nderimi për kolosin e letrave shqipe, nuk është e izoluar vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe jashtë saj. Dritëllo Agolli, i emocionuar nga kjo dhuratë nuk ka hezituar të krijojë një mjedis shplodhës dhe plot batuta.
“Mirëseerdhët në Shqipëri. Ne kishim dëshirë që të rrinit më shumë. Në këtë botë të turbullt ardhja juaj na dha pak dritë, sepse jeni një pelegrin i artit, i qetësisë së njerëzve që të mos ketë terrorizëm dhe ardhja juaj na dha optimizëm. Shqiptari është shume optimist sepse e ka në gjak optimizmin. Jemi shumë të gëzuar dhe mendoj se do të jeni miku ynë i përhershëm. Ne kemi me Turqinë marrëdhënie shumë të mira. I kemi patur edhe përpara jo vetëm tani. Në këto fjalorët që kemi këtu ka 2 mijë fjalë turqisht. Që në kohën e osmanllinjve deri tani ka pasur më shumë. Në këtë dhomë shiko sa fjalë turqisht ka, sofra, oda, tavan, penxhere, dysheme, raki”, tha shkrimtari Agolli. Pas Agollit edhe artisti Dogan, nuk i ka kursyer fjalët e mira për Shqipërinë duke shprehur ngjashmërinë e madhe të kulturave, ushqimit dhe fjalëve.
Shkrimtari i madh Dritëro Agolli vlerësoi shumë edhe letërsinë turke, duke u ndalur edhe tek poetët dhe shkrimtarët e preferuar të tij. Nga ana tjetër, artisti turk Dogan vlerësoi figurën e shkrimtarit të madh Agolli duke  thënë se “jeni shumë i respektuar dhe e kuptoj pushtetin tuaj në letërsinë shqiptare që kur e pikturova portretin tuaj.”
Lidhur me faktin nëse do ti ndryshonte diçka portretit të Dritëro Agollit, tani që e takoi nga afër ai u shpreh se të gjitha këto pjesë të personalitetit i ka përfshirë në pikturë.
Në një ambjent familjar, në prani të shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli, “Klik Ekspo Group” vlerësoi shoqatën VIZart dhe artistët Ormira Lulani dhe Helidon Haliti me medaljen “Shqiponja e Artë” për promovimin e zhanrit të akuarelit,  të lëvruar nga artistët shqiptarë dhe ndërkombëtarizimin e vlerave të tyre, përcjelljen e ngjyrave dhe artit botëror në Tiranë , duke sjellë për herë të parë Bienalen Ndërkombëtare të Akuarelit. Kjo ceremoni u zhvillua në shtëpinë e Dritëro Agollit, ku brezat bashkëjetojnë më së miri.

SHKARKO APP