Presidenti: Paraqitja e fakteve në dokumentin e Venecias është e pabalancuar dhe e paplotë

Presidentit Ilir Meta i ka dërguar sot një letër Presidentit të Komisionit të Venecias, Giani Buquicchio. Letra përmban komentet dhe qëndrimin e Presidentit të Republikës mbi “Projekt-Opinionin” e Komisionit të Venecias. Në dokumentin e publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, kreu i shtetit vlerëson punën e ekspertëve, por vë në dukje se informacioni që ata kanë pasur për situatën në Shqipëri nuk ka qenë i plotë.

Presidenti shprehet se “Paraqitja e fakteve dhe rrethanave në projekt-opinion është e pabalancuar dhe e paplotë. Ekspertët do të duhet të ndërtonin ose një opinion teorik, duke iu referuar vetëm bazës ligjore, jurisprudencës dhe doktrinës kushtetuese, ose një opinion në themel, duke u futur plotësisht në brendësi të çështjes. Shmangia dhe pamundësia e një procesi të plotë faktmbledhës që dëshmojnë përmasën e thellë dhe të gjerë të krizës politike në Shqipëri sjell vlerësim të gabuar edhe të situatës juridike”.

Gjithashtu, Presidenti shprehet se mosnjohja e zhvillimeve politike në Shqipëri, nga ana e ekspertëve është pranuar nga këta të fundit dhe gjatë takimit që kanë zhvilluar në Tiranë.

“Duke mirëkuptuar pozitën e pazakontë ku është vendosur Komisioni i Venecias, për t’u shprehur rreth një çështjeje që prek si aspektin politik ashtu edhe atë juridik dhe që ka ardhur si rezultat i zhvillimeve të paprecedent, e gjej me vend të theksoj se vetëm një njohje e thellë e situatës në Shqipëri do të mundësonte vlerësimin objektiv të veprimtarisë kushtetuese të Presidentit. Këtë bindje e përforcova gjatë takimit që pata me reporterët e Komisionit të Venecias në Tiranë, të cilët më shfaqën hapur shqetësimin se nuk e njihnin aspak as historinë dhe as kontekstin e zhvillimit të ngjarjeve, duke e konsideruar si element kyç për interpretimin e saktë të veprimtarisë kushtetuese të Presidentit të Republikës. Pika 7 e projekt-opinionit pohon se kronologjia e fakteve nuk është e plotë dhe nuk përbën provë për ndonjë nga ngjarjet e përmendura”,- thuhet në letrën e kreut të shtetit.

Presidenti Ilir Meta, letër Komisionit të Venecias

SHKARKO APP