Prestigjozia “Artforum” shpall ekspozitën e Helidon Gjergjit, ndër më të mirat e vitit 2014

Revista mujore ndërkombëtare “Artforum”, prestigjoze dhe e specializuar në promovimin dhe kritikën drejt artit bashkohor me qendër në Neë York i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe artit e artistëve bashkohorë shqiptarë. Në numrin e fundit të botuar në dhjetorin e vitit të kaluar, Cathryn Drake ka shkruar për ekspozitën e quajtur “E-Mages” nga artisti Helidon Gjergji, ekspozitë kjo e cila është çelur po gjatë vitit të kaluar në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë (31 korrik – 7 shtator 2014) e kuruar nga vetë drejtori i GKA-së z. Artan Shabani. Shfaqja e fotografive të fragmentuara të familjes së Joseph Stalinit dhe miqtve të tij, fotot këto të cilat janë projektuar mbi një pasqyrë të thyer (krisur), të shtrira në dysheme, përpara projektorit apo të reflektuara nëpër muret e GKA-së, duket se nuk ka ngelur pa u vënë re nga prestigjozia “Artforum”, e cila përveç shkrimit që i ka dedikuar kësaj ekspozite, e ka renditur këtë shfaqje të veçantë mes ngjarjeve më të mira në fushën e artit bashkëkohor, për vitin që lamë pas. Artikulli i Cathryn Drake i botuar në “Artforum” “Best of 2014”, në revistën më të rëndësishme të artit bashkëkohor në të gjithë botën është një këndvështrim profesional, i cili vlerëson gjetjen dhe realizimin e artistit Helidon Gjergji në këtë shfaqje, artikull ky i cili vjen i shoqëruar me fotografi të performancës.

Projeksionet e imazheve të sjella nga Ketevan Geladze, nëna e Stalinit, “e cila” ka përzgjedhur disa fotografi prej albumeve të familjes së saj, të cilat erdhën të ndërthurura në një mënyrë elegante në shoqërimin e valsit të Shostakovitch në sfond, ishin një ngacmim për median sociale si një formë e propagandës personale”, shkruan Cathryn Drake në revistën Artforum, duke veçuar edhe përshtatshmërinë e video-instalacionit me arkitekturën e sallës së Galerisë së Arteve dhe duke shtuar se “ndërkohë që statujat e Stalinit ruhen ende mbrapa Galerisë së Arteve, poema verbuese e Gjergjit kushtuar rrënjëve të së ardhmes sonë, na kujton se historia nuk duhet as varrosur dhe as romanticizuar”. “Nëse mund të mësojmë prej saj, atëherë ka mundësi për shpresë”, citon Drake në artikullin e saj kushtuar shfaqes. Renditja e ekspozitës “e-mages” nga revista Artforum në më të mirat e vitit 2014, të hapura në galeritë, muzetë dhe qëndrat më të mëdha të artit në mbarë botën është një vlerësim ndërkombëtar për performancën e Galerisë Kombëtare të Arteve gjatë vitit së sapo u mbyll.

SHKARKO APP