Profesionet më të paguara në Shqipëri

Të dhënat e fundit për grup-profesionet tregojnë se njerëzit që kanë mbaruar studimet në fushën e ekonomisë dhe arrijnë në pozicion drejtues, administrativ apo komercial, kanë mundësinë që të përfitojnë më shumë të ardhura. Së fundmi, një nga industristë që po zhvillohet më tepër është edhe teknologjia e informacionit.

Sipas INSTAT (via Monitor.al) drejtuesit administrativë dhe komercialë kanë një pagë mesatare bruto prej 154 mijë lekësh në muaj. Në vend të dytë janë sërish drejtuesit, por ata të prodhimit dhe shërbimeve të specializuara, me 114 mijë lekë në muaj. Edhe ky grup ka shënuar një rritje të pagës me 9%.

Specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit kanë kaluar për herë të parë në vend të tretë, me një pagë mujore prej 92 mijë lekësh. Zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë dhe nevoja e bizneseve për t’u përshtatur dhe qenë konkurrues, po i bën gjithnjë e më të kërkuar profesionistët e IT-së.

Specialistë të administrimit dhe biznesit kanë të ardhura bruto mujore prej rreth 83 mijë lekë. Mësuesit paguhen mesatarisht me 63.4 mijë lekë, me rritje 3.3% me bazë vjetore. Më pak i vlerësuar është profesioni i mjekut, i cili sidomos sot ka marrë një rol të veçantë. Grup-profesioni “Specialistë të shëndetësisë” ka një pagë mesatare mujore bruto prej 60 mijë lekësh, me një rritje prej 2.8% me bazë vjetore. “Asistentë të specializuar të shëndetësisë” paguhen me 48 mijë lekë.

SHKARKO APP