Profesor Paolo Vitti, anëtar i Europa Nostra: Ja pse nuk duhet shembur Teatri Kombëtar
Intervista e profesor Paolo Vitti, pjesëtar i Europa Nostra për emsionin Tempora nga gazetarja Sonila Meço në RTV Ora.
Sonila Meço: Për të qenë më konkretë, ju e keni vizituar Tiranën dhe Teatrin Kombëtar. Çfarë e bën të vyer këtë Teatër si pasuri kuturore për Shqipërinë dhe Europën? Çfarë rrezikojmë të humbasim me prishjen e tij?
Paolo Vitti: Kam qenë në shtator të 2018 në Tiranë dhe jam angazhuar edhe në kuadër të disa kandidaturave të tjera në Shqipëri, si ato të kishave post bizantine të Voskopojës e Vithkuqit. Shkova të vizitoj Teatrin, por nuk më lanë të hyja. Më pas pata mundësinë të studioja relacionin mbi aspektin urban të ndërtesës, u konsultova edhe me një profesor të nderuar të arkitetkurës, Armando Vokshi, me të cilin diskutuam edhe kontekstin kohor të periudhës fashiste të ndërtimit të godinës.
Cila është rëndësia e kësaj ndërtese? E shoh në disa plane. Sigurisht nisim me rëndësinë e faktit se përbën projektin e parë të një plani më të gjerë urbanistiko – arkitektonik që është realizuar nga Brazini, si pjesë e një kompleksi që në aks të tij ka edhe sheshin Skëndërbej dhe atë Nënë Tereza e që në tërësinë e tij ruan një harmoni të plotë me projekte të tjera të po së njëjtës frymë. Shembja e Teatrit do të cënonte harmoninë e një kompleksi unik në llojin e tij dhe që përbën një pjesë të rëndësishme të historisë urbanistike të Tiranës.
Elementi i dytë është arkitektura. Ajo është kuptimplotë dhe e para brenda një sistemi arkitekturor që krijohet në një periudhë shumë të rëndësishme për arkitekturën, kalimi nga stili historik në atë modern. Teatri Kombëtar është shembulli i parë në Shqipëri i arkitekturës moderne, pra asaj racionaliste. I ndërtuar në vitet 38 dhe 39 ai përfaqëson shembullin e parë të kësaj arkitekture që në thelb do të thotë hapi i parë që lidh Shqipërinë me Europën. Pra po flasim për një vlerë të pamohueshme, që përfaqëson një etapë të rëndësishme.
Më pas ka edhe faktorë të tjerë, si për shembull struktura e ndërtimit. E jashtëzakonshme. Pavarësisht se struktura arkitektonike ka pësuar dëmtime me kohën, mbetet dëshmitare e një projekti të veçantë arkitektonik. Por dua të them edhe diçka të rëndësishme, në shpesh e kemi parë veten të përfshirë në nevojën për të ndryshuar qytetet tona. Këto veprime kanë krijuar progres, por shumë herë jemi keqardhur për prishjen e godinave dhe ndërtesave që më vonë kemi kuptuar se kanë vlera të jashtëzakonshme, unike. Por çfarë do themi pas 20 apo 30 vjetesh ne studiuesit e historisë së arkitekturës kur dëshmitë t’i kemi zhdukur?
/Ora News