Profil i paautorizuar/ Lulzim Basha, nga KOP-i i Berishës te 25 prilli, “beteja e jetës”

Nga Alfred Lela

Ende pa u njohur nga publiku dhe as nga partia, Lulzim Bashës iu çel një avenju e gjerë mes fushave politike të PD. Pa u shpallur i famshmi KOP, ku Basha u paraqit me kostumin e tij ikonik, stilin e të cilit nuk e ka ndërruar kurrë, kryetari Berisha thërriti një nga një disa gazetarë në media të rëndësishme për t’iu prezantuar pasuesin e tij.

Porosia ekskluzive e Berishës ishte: përveç meje ky është imazhi i PD në media.

Pjesa tjetër është histori.

Njerëzit e PD e mbajnë mend Lulzim Bashën, pak a shumë siç është sot. I buzëqeshur, distant, i pashokë, i gjatë dhe fluid. Domethënë imazh.

I qartë për detyrën e tij, prej asaj dite vesh të njëjtin kostum, të njëjtën kravatë, të njëjtën këmishë. Sigurisht, ka ndërruar qindra të tilla, por duket i njëjti. Siç janë edhe sprovat e tij politike.

Lulzim Basha u fut në PD nga Kosova, por jo nga Rruga e Kombit. Ky itinerar duket se i përcaktoi identikitin politik, për mirë apo për keq. Kaq i fortë është ky identikit, sa e ka shtyrë shpesh ta quajë veten Kosovar, ndërkohë që të atin e ka dibran.

Është njohur me Berishën që herët, para se të shkojë në Holandë. Si përkthyes i një bamirësi holandez që ofroi disa bursa për studentët shqiptarë, i pari në listën e të cilëve ishte vetë. Që atëherë kur kthehej në Tiranë kujdesej t’i çonte një mesazh mirënjohjeje Berishës, në forma të ndryshme.

Fati e solli që dashurinë t’ia shfaqte nëpërmjet njohjes që krijoi me të bijën dhe dhëndrin e tij në Kosovë. E furnizoi rregullisht, si një 007, me materialet e përkthimeve që u bënte hetimeve të Gjykatës së Krimeve të Luftës në Kosovë.

Ky shërbim farkëtoi fshehtësinë e lidhjes, e cila mbetet e tillë, pra e fshehtë, edhe kur Berisha bën sikur nuk e mbështet, si p.sh. në votimet e 2013 apo 2017 për kryetar.

Edhe pse i diplomuar për jurist në një shkollë të mirë, ofertës së Berishës për të qenë pjesë e kabinetit të tij, që në vjeshtën e vitit 2004, iu përgjigj me entuziazëm, por vetëm me një kusht: jo ministër Drejtësie. Ndoshta në pasiguri të thellë për formimin, e ndoshta për të tjera arsye.

Dëshira e tij shihte kah ministria e Jashtme ose Integrimi, ku profili i tij, kur iu dha rasti më vonë, qëndroi mjaft mirë në kornizë. Por, këshillat e duhura e orientuan drejt ‘yndyrës së pushtetit’.

Posti i parë ishte ministria e Transporteve, Punëve publike dhe Telekomunikacionit.

Në fushatën e 2005 kapitalizoi gjithë efektin pozitiv të lëvizjes gjeniale të Berishës, KOP-in. Detyra e parë që i dha kryetari i PD ishte koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave.

Në përballjen e parë kishte një zonë të mirë, njësitë 7 dhe pjesërisht 11, një zonë që në vitin 1991 e kishte fituar Genc Ruli. Një demokrat rishtar si Basha e fitoi edhe në 2005 përballë Arben Ahmetajt, asokohe një nga promovimet e Nanos në politikë, i ndihmuar edhe nga lsi-sti Edmond Haxhinasto.

‘Djepi’ i Berishës e përkundi nina-nana që në votimin e parë në Kuvendin Kombëtar, duke e bërë  më të votuarin pas vetes, Topallit dhe Topit.

Mbas këtij rezultati për Lulin nuk kishte asnjë pengesë. PD, hiq Jozefina Topallin, e pranoi princin e vet trashëgimtar.

Në ministrinë e Transporteve do të mbahet mend vetëm si shoqëruesi buzagaz i Berishës. Që në shtypjen e butonit për hapjen e tunelit të Kalimashit, deri te prishja e murit ndarës dekorativ në mes të tij. Pati akuza për procedurën e paeksperimentuar më parë të kontraktimit të Bechtel Enkas. Gjë që i kushtoi jo pak kokëçarje në hetimin e Prokurorisë.

Arben Kraja, që sot drejton SPAK-un, e pat neglizhuar hetimin përtej afateve ligjore duke i dhënë avokatëve të Bashës mundësinë e artë të ‘mbylljes për procedurë’, gjë që nuk i dha rastin atij që të krenohej si i pafajshëm, edhe pse gjasat janë të jetë vërtetë i tillë. Kjo i hapi rrugë kundërshtarëve politikë për një refren të gjatë akuzash që vazhdon edhe sot.

Prova e dytë që kishim të bënim me një djalë fatlum pas prekjes së Berishës, si të mbretit Mida, vjen nga një prej njerëzve më kritikë të tij, Besnik Mustafajt dhe dorëheqjes së tij të papritur. Pasi disa figura politike refuzuan postin e ministrit të Jashtëm, Berisha u kujtua pë pasionin e parë të djaloshit Lul Basha-teatrin ndërkombëtar.

Vetëm dy javë më pas pritet nga Kondolezza Rajs dhe dy muaj më vonë është i pari shqiptar që shtrëngon dorën në tarmakun e Rinasit me presidentin George Bush.

Nga ai funksion shoqëroi sërish Berishën në suksesin e tij më të madh, NATO-n. Me këtë famë dhe kurorë të përndritur drejtoi fushatën në Elbasan në vitin 2009. Përsëri fati ishte në anën e ‘djalit të artë’. Socialistët fituan me një diferencë prej rreth 8 mijë votash, por nuk bënë dot një mandat më shumë. Kështu në kujtesën e të gjithëve u regjistrua rezultati 7 me 7. Falë sërish shërbimit të LSI, që nuk arriti dot të bënte mandatin e saj.

Behari i 2009-ës ishe ‘fejesa’ e tij me LSI. Ditë të tëra të kaluara familjarisht me Ilir Metën në bregdetin shqiptar të cilit do t’i dorëzonte ministrinë e Jashtme. Kjo miqësi do t’i nxirrte frikën Ilir Metës nga ndonjë hile e Berishës, kur ‘princi’ u caktua ministër i Brendshëm.

Përsëri vullneti i Berishës konvertohet në fat. Sfida e Doktorit ‘do bëjmë çdo gjë për të siguruar liberalizimin e vizave’, e gjen duke shoqëruar një grup të rinjsh pa viza në Europë. Fotografi dhe ngjarje që, ashtu si NATO do t’i stërpërdorte në fushatat e veta politike. ‘Princi trashëgimtar’ mori nga mbreti Berisha të drejtën e përdorimit, jo vetëm të partisë, por edhe sukseset e tij.

Mbasi i bëri lak garës së 2007 për Bashkinë duke ia lënë përballjen me Ramën ‘qingjit të tij të sakrificës’, Sokol Olldashit, në 2011, me ‘policën e sigurimit’ të Metës, hyri në garën e parë me Ramën.

Gurutë mediatike shtruan fushën me ‘lulet e Lulit’ ku ‘kaktusi’ i Berishës nuk dukej askund. Fushata e tij pozitive me moton ‘Rama nuk është armiku, por kundërshtari’, e dha suksesin e vet. Vendimi paqësor i Arben Ristanit për ta parë Bashën fitues e çoi drejt zyrës së Qytetarit të parë të Tiranës duke shkelur mbi pikat e freskëta të gjakut të kurbanit.

Historia e tij në Bashki mund të përshkruhet shkurt e thjeshtë: nuk bëri ndonjë gjë të keqe. Nuk kishte kë shoqëronte në beteja dhe ngjarje suksesi. Ky ishte një mësim për të dhe për Berishën.

Berisha dha dorëheqjen nga partia pas humbjes në parlamentaret e vitit 2013, por ‘abdikimi i mbretit’ nuk u bë asnjëherë i plotë. As në garën e kurorëzimit të princit. Basha fitoi përballë Olldashit, edhe pse ky konsiderohej shumë më politik dhe shumë më dinamik, por pa sharmin e princit.

Pas ardhjes në krye të PD iu desh një ngadalësi breshke, me plot 1 vit e gjysmë për të krijuar forumet drejtuese të partisë, të cilat duhet thënë se i banalizoi nëpërmjet një artificialiteti numerik. Kësaj i parapriu me një instrument stonues, grupin laraman të koordinatorëve, një ripërjetim i katapultimit të tij në politikë.

Në garën e 2015, i vetëm përballë të gjithëve, i dha hapësirë partisë dhe proceseve politike që çuan në një rezultat inkurajues. Kandidatët e tij morën 670 mijë vota, dhe në disa bashki të rëndësishme si në Tiranë, Berat, Gjirokastër, Maliq dhe Sarandë rikuperuan në mënyrë surprizuese. Madje duke fituar në Bashki si Pogradeci, Ballshi dhe Selenica, të njohura si të së majtës.

Këtë rezultat inkurajues nuk ia vlerësuan kundërshtarët apo rivalët, por për fat të keq as ai vetë. Mënyra si e trajtoi partinë nga ai moment i ngjante lojës së bilardos me karambol, ku çoku i bardhë i Bashës duhet të godasë të paktën dy gurë kundërshtarë, dhe çdo protagonist të vjetër apo të ri politik.

Fitorja më e rëndësishme politike e tij deri më sot i përket së njëjtës periudhë: miratimi i ligjit të dekriminalizimit dhe shtrëngimi i mazhorancës për një zbatim të sforcuar të tij. Këto ishin dy fitoret që ai ndau me të tjerët, para se çoku të fillonte rrokullimën mbi të gjithë, duke u shndërruar në një çadër të bardhë në Bulevard.

Kjo stërvitje me çokun karambol me të vetët, i dha lehtësinë e padurueshme për ta imituar veten edhe me ndërkombëtarët. Reforma në drejtësi, edhe pse e duartrokitur si një negociatë plot talent nga Basha, zgjoi edhe te të huajt atë dyshim dhe mosbesim që ushqehej prej kohësh për figurën e tij nga shqiptarët. Nga ky moment ai do të rendte në avenjunë politike, si i pabesueshëm nga të gjithë. Si dikush që të gënjente për orën dhe kur të jepte dorën.

Nën shenjën e betejave të forta, qëndroi përtej çdo imagjinate kalendarike, shtrydhi çdo energji opozitare, për ta mbyllur, me entuziazmin e fitores, vetëm 10 ditë pas paktit me Ramën, në zarfin e bardhë që mbante Ivi Kaso dhe një shoqërues i tij. Ai zarf, në të cilin një prej postierëve nuk e gjeti emrin dhe u kthye në mes të rrugës, u shndërrua në mallkimin më të madh politik të Lul Bashës.

Lista e 2017 do jenë gjithmonë standardi i gjurmës politike të Bashës. Ato mbeten edhe sot caku i përfytyrimit të tij politik. Në një fushatë me shënjestër të gabuar, si ai që i bie pragut të dëgjojë dera, zhdëpi me sulme LSI-në duke shpresuar se do të mundte PS-në. Fushata e 2017 filloi me sytë e përlotur të demokratëve prej dritave difektoze kineze të dekorit të mitingut përmbyllës, dhe përfundoi me sytë e skuqur të Bashës nga rezultati katastrofik i 25 qershorit.

Të gjitha këto nuk i prodhoi çadra, por një marrëveshje në dukej naive me Ramën, e cila si gjithmonë në stilin e tij, ishte shoqëruese e një marrëveshjeje tjetër, më hileqare, bërë mes ujqërve të vërtetë politikë, Berisha dhe Meta.

Që nga ai moment është sjellë si pulë pa kokë, si agresor dhe si viktimë, si trim dhe frikacak, si vizionar dhe dritëshkurtër. Me të vetmin çmim: të blejë kohë!

Bojkotet, akti dramatik i djegies së mandateve, vetëmohimi politik i mosshkuarjes në zgjedhje, fushata e protestave permanente, deri te parakalimi i ndrojtur te portat e zemërimit amerikan, qenë të gjitha konvulsione epileptike, në një ndërkohë ku askush nuk mund të bëjë një inventar ngjarjesh, energjish të shpenzuara, suksesesh dhe dështimesh.

Një ndërkohë që s’të linte radhë të kuptoje se po kalonte koha.

Nën këtë shenjë hyn në ring për raundin e tij të 12-të. Çfarë tingëllime do të ketë gongu i 25 prillit mbetet enigmë, por gjasat janë që të mos dëgjohet.

Nuk do të ketë nokaut, por pikë.

Marrë nga Ora News

SHKARKO APP