Profili social i një krijuesi

Nga Fran Gjoka

Çdo mendje njerëzore punon për të bërë diçka në çdo kohë, për të lënë trashëgiminë personale, lindur brenda një realiteti ku ka jetuar. Për disa njerëz, aseti më i madh i tyre janë mendimet e shprehura mbi letër në formën e poezisë, prozës, thënieve të mençura etj. Shumë prej këtyre janë sfiduese, janë frymëzuese dhe interesante, janë optimiste, por vetëm të vërtetat, ato që u rezistojnë brezave dhe ndihmojnë brezat, janë më të vlefshmet, të cilat shoqërojnë dhe nderojnë emrin e krijuesit të tyre. Por këto duan punë, mendim të pjekur, aftësi dhe talent si dhe studim të vazhdueshëm, për të krijuar origjinalitetin tënd.

Ne jetojmë çdo ditë me këta njerëz, përshëndetemi, pimë dhe kafe, bëjmë shaka të zakonshme, qeshim, ngrysemi, tregojmë. Në përditshmërinë tonë këta njerëz janë të zakonshëm, janë si ne, me ne, por harrojmë se shpesh këta janë ata që nesër do të lënë emrin e tyre të mbushur me vlera, që do t’u shërbejnë atyre për të kuptuar paraardhësit e tyre dhe për t’u frymëzuar prej tyre. Dhe kështu vendosin një “gur” mbi “murin e kështjellës” së historisë. Ndjejmë kënaqësi kur promovojmë librat e atyre, me të cilët sapo kemi pirë kafenë e mëngjesit. Ne pra, jemi ata që bëjmë historinë tonë, mbi të cilën do të lëmë gjurmët tona të vlefshme. Por diku dallojnë disa prej tyre. Një ndër ata krijues, studiues dhe mik i mirë, është poeti, prozatori, gazetari dhe psikologu Ndue Dragusha, i cili ka vite e vite që punon në mënyrë skrupuloze në fushën e mësuesisë, duke shfaqur veçantitë e tija kulturore, të traditës, aftësitë dhe potencen krijuese.

Ai ka botuar deri më sot katër libra me poezi: “Trishtim”, 2004, “Për një ëndërr tjetër”, 2006, “Sfidë për dhimbjen time”, 2008, “Kam etje”, 2010, dy monografi: “Mes dhimbjes dhe shpresës”, 2012 dhe “Dhimbje pa fund”, 2013.

Ka redaktuar, korrektuar dhe dizenjuar një numër të madh librash të autorëve të tjerë me saktësi profesionale. Ka bërë recensa librash artistikë dhe shkencorë, që lidhen me profesionin e tij të psikologut. Ka botuar artikuj të ndryshëm artistik, problemorë dhe kritikë letrare në faqet e shtypit periodik.

Ka në dorë dhe së shpejti e nis për botim një vëllim të ri me poezi të titulluar “Ashtu si jeta”, një vëllim me tregime “Një çast nga jeta e Leonorës” dhe një libër profesional mbi komunikimin në familje dhe ndikimi i tij në edukimin e fëmijëve, për të cilin ka disa vite që punon.

Mbi 15 vjet ka mbajtur “në këmbë” gazetën lokale “LISSALBA”, e cila është bërë shumë e këndshme për lexuesit e saj të shumtë. Një gazetë elegante, me materiale shumë të vlefshme, me pjesëmarrje të madhe me shkrime nga të gjitha shtresat e popullsisë dhe me një gamë të gjerë problemesh, përfshirë ato artistike, të cilat ishin në qendër të vëmendjes së kësaj gazete.

Ndue Dragusha qëndron në elitën e njerëzve të artit në Lezhë. Me qetësinë, maturinë, përkushtimin dhe dashamirësinë është në antitezë të plotë me urrejtjen, smirën, agresivitetin e shumë e shumë të tjera, që ulin vlerat njerëzore dhe intelektuale. Krijimet e tija janë të një niveli të lartë artistik, logjik, me gjetje interesante, plot pathos dhe ndjenjë, me dinjitet profesional, me një gjuhë të pasur, emocionuese dhe me fuqi shprehëse.

Por ai nuk kërkon lavdi, punon me qetësi, studion çdo ditë, krijon çdo ditë dhe gjithmonë është i gjendshëm për të ndihmuar me këshilla, si psikolog. Gjithmonë i qeshur, i shoqërueshëm, gazmor dhe i papërtueshëm.

Puna e palodhur e këtij krijuesi tashmë është e kristalizuar në vepra. Ai çdo ditë gjen kohë për të bërë diçka, gjen kohë për të komunikuar më shokë të moshave të ndryshme, me kolegët, me të rinj dhe të moshuar, gjen kohë për të marrë pjesë në aktivite të ndryshme social-kulturore, për të lehtësuar një dhimbje, për të ndarë një shqetësim, për të bërë një fytyrë të qeshë.

Origjinaliteti i të shkruarit, intensiteti i punës së tij, forca e pathyeshme e karakterit si krijues, mësues, gazetar i japin atij vlerat e veçanta  në komunikim, në gjetje, në perceptim të dukurive dhe fenomeneve, që në fund i përkthen në vlerë krijuese.

Shkrimtarja Vjollca Spaho, shkruan për Ndue Dragushën: “Ndër ata që nuk e kanë braktisur poezinë, që vazhdojnë të jetojnë me të, që krijojnë art vërtetësisht të zhveshur nga gënjeshtra, që mbeten besnik të ëndrrave dhe ideve më të kthjellta njerëzore, njëri nga ata pra, është dhe poeti lezhian, Ndue Dragusha… Dragusha paraqitet thjeshtësisht me vargje me peshë emocionale, ato janë prush që trazon ndjenja, teksa kolori i pasur u jep shkëlqim vezullues dhe mbresëlënës.”

Konceptet sociologjike, që formojnë botën kuptimore të marrëdhënieve sociale të këtij krijuesi, në një shkallë të lartë vetëdije, përbëjnë dhe portretin e tij social dhe krijues.

SHKARKO APP