Promovimi i turizmit të aventurës në rajonet e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës

Zona ndërkufitare mes tri shteteve, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës, mbetet një destinacion shumë tërheqës turistik, ku vizitorët kombinojnë ndryshimet e terrenit dhe larminë joshëse të ndalesave natyrore, duke përdorur shtigjet e panumërta në eksplorim. Orientimi drejt turizmit të aventurës ka zgjuar dhe komunitetet lokale të biznesit, të cilat janë duke investuar për shtimin e kapaciteteve në përgjigje të interesimit të grupeve të vizitorëve nga vende të ndryshme.

Ky realitet i ri ka nxitur Qendrën TED, (Qendra “Trajnim, Edukim, Demokraci”) për të zbatuar projektin “Promovimi i Turizmit të Aventurës në zonën ndërkufitare në rajonet e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës”, me synimin për të mbështetur turizmin e qëndrueshëm dhe destinacioneve turistike në Qarkun Shkodër dhe Qarkun Kukës në Shqipëri, Bashkinë Rozaje dhe Bashkinë e Barit në Malin e Zi, dhe Komunën e Decanit dhe Komunën e Pejës në Kosovë. Veprimtaritë që u realizuan së fundmi ishin investim që përmes promovimit dhe aktiviteteve të zgjerohen kapacitetet për komunitetet lokale dhe sipërmarrësit e rinj.

Manual mbi aftësitë dixhitale e marketingun online

Realizimi i projektit përfshiu fillimisht një analizë të boshllëqeve, duke siguruar një paraqitje të qartë të situatës aktuale të sektorit të turizmit në zonat e targetuara, duke identifikuar pikat e forta dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori, si dhe duke dhënë rekomandime për përmirësime të mundshme. Pas një shqyrtimi të situatës aktuale të sektorit të turizmit në zonën e projektit, si dhe duke patur si objektiv rritjen e kapaciteteve të sipërmarrësve vendas dhe përmirësimin e aftësive të tyre dixhitale në fushën e promovimit dhe marketingut online, u përgatit nga ekspertët e projektit një manual trajnimi, i cili u përdor gjatë disa trajnimeve të kryera në kuadër të këtij projekti në të tre shtetet kufitare.

Aktiviteti permbyllës trajnues iu dedikua nga TED-i marketingut dixhital dhe përfitimeve të sektorit të turizmit nga promovimi online. Sipërmarrës lokalë qëndruan në Pejë, Kosovë, së bashku me përfaqësues të shoqërisë civile dhe anëtarëve të komunitetit. Prezantimet e ekspertëve të Qendrës TED si dhe diskutimet e pjesmarrësve u përqëndruan më shumë mbi ndikimin e internetit në industrinë e turizmit, ndikimin e krijimit të profileve online të biznesit (faqe web, media sociale), hapat që duhet të ndiqen për hartimin e një strategjie të suksesshme të promovimit të biznesit, reklamat me pagesë, etj.

Këto elementë ndikojnë në përmirësimin e imazhit të një biznesi dhe shumica e tyre janë me kosto praktike zero, pasi vetë bizneset mund të menaxhojnë profilet e tyre në internet. Pjesëmarrësit treguan një interes të veçantë lidhur me ndërveprimin në rritje midis operatorëve turistikë për krijimin e paketave tërheqëse turistike. Krijimi i paketave turistike të cilat përmbajnë aktivitete të ndryshme ka ndikim pozitiv në kohëzgjatjen e qëndrimit të turistëve dhe rrjedhimisht në rritjen e të ardhurave në këtë sektor. Këto trajnime dhe takime u kanë shërbyer pjesëmarrësve gjithashtu si një mundësi ndërveprimi, rrjetëzimi dhe bashkëpunime në rritje midis sipërmarrësve në zonën ndërkufitare të projektit.

Menaxhimi i profileve në internet

Qendra TED, përmes projektit “Promovimi i Turizmit të Aventurave në zonën ndërkufitare në rajone të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës” ka mbështetur bizneset lokale, jo vetëm duke u siguruar trajnime dhe mundësi bashkëpunimi, por edhe duke ndihmuar disa prej tyre për të krijuar dhe përmirësuar profilet e tyre online. Për më tepër, duke synuar të promovojë turizmin e aventurës dhe vendet turistike në zonën ndërkufitare në Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë, duke përdorur mjete dixhitale, Qendra TED ka përgatitur disa video dhe grupe fotografish nga destinacionet natyrore më të bukura e të pazbuluara nga turistët në zonën e projektit.

Aktivitetet janë realizuar përmes një granti të siguruar nga Projekti i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për Zhvillimin dhe Promovimin e Turizmit. Projekti është financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga RCC në përpjekje për të kontribuar në rritjen dhe konkurrueshmërinë e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor duke mbështetur zhvillimin dhe promovimin e ofertës së përbashkët rajonale kulturore dhe të turizmit të aventurës.

SHKARKO APP