Promovohet libri “Shqiptarët, diamantet e pagdhendur” i autorit Ylli Polovina

 

Me këtë rast, Rektor i AAB-së, prof. dr. Lulzim Tafa, e duke e vlerësuar lart veprimtarinë e shkrimtarit Polovina, ndër të tjera tha:

 

“Në 14 vjetët e funksionimit tonë, ne kemi promovuar libra edhe të autorëve të shumtë  edhe jashtë Kosovës, e sidomos të autorëve nga Republika e Shqipërisë. Në fushën e tregut të librit, AAB ka një treg krejtësisht të unifikuar me Republikën e Shqipërisë, pasi që autorët shqiptarë pa dyshim i kërkojnë lexuesit shqiptarë kudo që janë, qofshin ata në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe gjithandej”.

 

Duke folur për librin “Shqiptarët, diamantet e pagdhendur”, autori, Ylli Polovina, tha se libri është ndërtuar duke shkëmbyer opinionet me bashkëkombësit që duan të zbulojnë se çfarë mendësie kanë shqiptarët, cilat karakteristika kryesore të identitetit shfaqin, natyrën psikologjike, temperamentin apo të dhënat antropologjike të tyre.

 

Ky libër dëshiron të ofrojë ndihmën e vet në njohjen e tij edhe për të gjithë ata të huaj që merren me popullin dhe shtetin tonë, tha Polovina.

 

Z. Polovina gjithashtu bëri një përmbledhje të  të gjithë librave të botuar deri më tani, por më shumë u fokusua tek veprat e botuara me temë për Kosovën.

 

Ylli Polovina ka lindur në Berat në Republikën e Shqipërisë. Në vitin 1970 i përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Ka punuar si pedagog në shkolla fillore dhe të mesme, si drejtor teatri, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë. Nga dhjetori 1997 deri në mars 2002 ishte  i angazhuar në shërbimin diplomatik  i Republikës së Shqipërisë në Itali. Gjithashtu, ka punuar edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë në Tiranë.

 

Deri tani ka botuar mbi 24 libra, nga to katër libra në gjuhë të huaj.

SHKARKO APP