Promovohet monografia, “Ansambli Mirdita – Mjeshtër i Madh” i autorit, Gjergj Marku

Zv/ministri i Kulturës, Zef Çuni – publicistit Gjergj Marku: Kjo është një nga ditët me të veçanta që kam përjetuar në këtë institucion”

Nga Albina Gjergji

Është promovuar ditën e hënë në sallën “Tefta Tashko Koço” të Ministrisë së Kulturës libri, “Ansambli Mirdita – Mjeshtër i Madh” i autorit Gjergj Marku. I konceptuar ndryshe dhe larg klisheve që zakonisht hasim nëpër evente të ngjashme, që në hyrje të Ministrisë së Kulturës mund të ndjeje aromën e një feste të madhe familjare dhe atmosfere të ndezur.

Dashamirës të autorit që kishin udhëtuar me kilometra për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje, kostumografia e veçantë e zonës së Mirditës, tingujt dhe instrumentet unikalë, si dhe zërat brilantë të rapsodëve që harmonizoheshin me njëri-tjetrin krejt natyrshëm, ishin vetëm disa nga detajet që të binin menjëherë në sy në korridoret e institucionit kulturor.

Në promovimin e këtij libri, për të cilin faqja online e Ministrisë së Kulturës me të drejtë shkruan që, “përmbledh një dekadë histori kulture të përcjellë brez pas brezi nga më të moshuarit deri tek çikat e bjeshkëve”, morën pjesë emra të njohur të fushës së letrave, medias, politikës e më gjerë. Disa prej tyre në fjalën e mbajtur dhanë vlerësime për punën e bërë me aq përkushtim nga autori.

“Ansambli “Mirdita” na solli sot aromë bjeshke e gurgullime lumi në ambientet e Ministrisë së Kulturës, me zërat e pastër burimorë, me tingujt e çiftelisë, kërcimet dhe hiret e vajzave si shtojzovalle që duket sikur vijnë nga legjendat. Mirënjohje për punën e palodhur të autorit Gjergj Marku në ruajtjen e trashëgimisë jomateriale dhe një falënderim për të rinjtë e Mirditës që vazhdojnë të ruajnë rrënjët e të parëve”, shkruhet në faqen zyrtare të MK.

Ndërsa zv/ministri i Kulturës, Zef Çuni, do ta quante ditën e djeshme si një nga më të veçantat dhe surprizueset që ka përjetuar në këtë ministri deri më sot.

Në fjalën e tij, mbajtur pikërisht në sallën “Tefta Tashko Koço”, z. Çuni do ta vlerësonte maksimalisht autorin jo vetëm për monografinë, “Ansambli Mirdita – Mjeshtër i Madh”, por në përgjithësi për gjithë kontributin që publicisti Gjergj Marku ka dhënë ndër vite edhe si drejtor i Pallatit të Kulturës – Rrëshen. E me të drejtë, pasi gazetari, publicisti, moderatori, rrëfimtari Marku konfirmohet me krenari nga gjithë mirditorët e pranishëm që është një nga zërat më të fuqishëm e pasionantë në pasqyrimin e vlerave dhe traditave të gjithë krahinës së bukur të Mirditës.

“Ansambli Mirdita – Mjeshtër i Madh” i autorit Gjergj Marku, pa frikë mund të cilësohet si një libër me vlera të rralla kulturore, i cili afron lexuesin shqiptar me traditën e bukur të Ansamblit dhe Mirditës, por që njëkohësisht mund të shërbejë edhe si manual për brezat e rinj, të cilët (duke u rritur dhe shkolluar jashtë vendit) mund t’i ndihmojë ata që të njihen më në detaje me vlerat e Ansamblit Mirdita e jo vetëm…

Mes shumë emocioneve, duke falënderuar MK dhe të pranishmit që u bënë pjesë e kësaj ngjarjeje të bukur kulturore, Marku përshkroi në vija të përgjithshme përmbajtjen e monografisë, si dhe shprehu mirënjohjen e madhe për të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë libër.

Nën moderimin e Arlinda Kondit, (përgjegjëse sektori në Ministrinë e Kulturës), pas fjalimeve dhe duartrokitjeve të shumta që iu adresuan autorit, aktiviteti u pasua më vonë me një tjetër festë interesante, në të cilën mbizotëronin tinguj, këngë, hare dhe valle mirditore.

Aktivitetin e përshëndeti edhe ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, e cila priti në zyrën e saj gazetarin Marku dhe një nga bukuroshet e Mirditës, zbukuruar me veshjen tradicionale të zonës.

Ansambli Mirdita u krijua në vitin 1960 dhe publicisti Gjergj Marku, përveçse një promovues i rrallë i tokës së tij, Mirditës ka dhënë një kontribut të çmuar edhe në përçimin e traditës ndër breza. Në vitin 2015,  Ansambli është nderuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me titullin “Mjeshtër i Madh”.

 

Përse ky libër?

Mbaj mend se kur isha fëmijë, aty nga vitet ‘69, në mënyrë fatlume kishin ardhur dritat edhe në fshatin tim dhe në familjen time të thjeshtë, sapo ishte blerë një “radio me korent”, siç i thoshim. Zgjimin e agut të ditës e kisha të hershëm, prej një fakti të vetëm, radio-postës së orës 05:00 të mëngjesit që shoqërohej me këngë nga gjithë trevat e vendit në Radio- Tirana.

Nën batanije, si në dimër apo në verë, prisja me atë ankthin fëmijëror, këngët e Mirditës. Sapo tingëllonte çiftelia dhe në altoparlant shpërndahej zëri i magjishëm i Fran Vorfit e Gjystes me “Oj mollë e kuqe”, apo “Bjen boria bregut  të Fanit”, pastaj zërat e Kol Zefit e Nikollë Precit me “S’ka pas gëzim ma t’madh Mirdita”, “Qeshë i vogël e sot u rrita”, këngët rapsodike të Simon Tucit apo Tom Nikollës, Drane Geges e Frrok Haxhise, Preng Koticës së katundit tem e me radhë këngët e dasmave etj., për të shijuar “Qamilin e Vogël” të Kosovës, e plot të tjera nga Kukësi, Mati, Dibra e Tropoja etj., mua fëmijës së dhënë pas muzikës, më dukej aq e madhe “Mirdita e Artit”, sikur prej këtu kishte lind’ e gjithë bota e muzikës së bukur!

Pastaj u rrita së bashku me këngën e folkut dhe atë të kultivuar, me “trion” e mrekullueshme dhe me “grupin e burrave” dhe kurrë nuk e shqita nga mendja dhe ana estetike e shijimit, edhe pse më ra të admiroj fort operën, apo baletin, The Beatles më hershëm apo Michael Jackson sëvoni, etj.. Sërish ajo kënga burimore më rrinte fort në kokë dhe më dukej se dhe Jazz-i përtej Oqeanit nuk do kishte kuptim pa të. E në fakt, e kam lidh gjithnjë “epopenë” e të kënduarit nga Simon Beleshi i lahutës, apo vikamën-akapelo majë malesh; me Gent Bushpepen, rockstar-in ma të mirë shqiptar; apo kitaristin “ma të çmen shqiptar”, që nuk ia gjen shokun në Ballkan, siç asht Sokol Keci, me virtuozitetin e çiftelirënësve të Mirditës ndër mote e mote!

E atëherë, fati me solli që për afro një dekadë, të vazhdoj të punoj e të drejtoj këtë grup unik në Shqipëri, me emrin e madh, me metaforën ma të bukur në botë: MIRDITA!

Ndaj, si mund të rrija pa e sjellë një përmbledhje të tillë të veçantë dedikuar këtij grupi të talentuarish, që e duan aq fort mirditorët dhe shqiptarët kudo janë, këtu dhe në çdo kontinent.

Janë këta bij e bija të maleve kreshtnalta të Mirditës sonë të bukur, Mjeshtra të Mëdhenj, që vijnë krejt thjeshtë e natyrshëm edhe përmes këtyre radhëve.

Gjergj Marku,

Autor i librit

 

SHKARKO APP