Promovohet në Bruksel Libri “ Diplomacia për të gjithë”

Ishin të pranishëm edhe Ambasadorja e Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian,  zonja Suela Janina, Ambasadorja e Kosovës, zonja Mimoza Ahmetaj, Ambasadori i Maqedonisë, Lazar Elenovski, deputeti  shqiptar i sapozgjedhur në Parlamentin e Brukselit, zoti Ahmet Gjanaj, e ngarkuara me Punë e Ambasadës, Suzana Sulollari, etj. 
Takimin e çeli Presidenti i Komitetit Kombëtar Evropian Shqiptar, intelektuali i njohur Ramadan Gjanaj. Më pas përshëndeti të pranishmit Sekretari i Përgjithshëm i CERIS, zoti Andre Miroir, i cili shprehu kënaqësinë që promovimi i këtij libri me vlera të spikatura bëhet në auditorin që mban emrin e një prej diplomatëve më të shquar belgë, A. Cohen.
Në vijim, të pranishmit dëgjuan përshëndetjen e Drejtores së Përgjithshme të Shtëpisë Botuese “ Toena, zonjës Irena Toçi, e cila evidentoi risitë  e këtij libri të  “ shkruar në kohën e duhur dhe nga një diplomat i duhur.”
Gazetari dhe publicisti Gjovalin Kola foli mbi vlerat që prezanton ky libër lidhur me dimensionin e diplomacisë zyrtare dy dhe shumëpalëshe, sfidat dhe problemet që kanë sjellë dukuritë e reja në këtë drejtim, arritjet dhe mangësitë e saj, etj. Pedagogja e shkencave politike dhe sociale të Universitetit të Lirë të Brukselit, Dr. Teuta Vodo u ndal me theks të veçantë në diplomacinë publike dhe kulturore, pëvojën ndërkombëtare dhe risitë në diplomacinë tonë, si dhe zhvillimet më të fundit në këto fusha përparësore për imazhin e vendit; profesori i shkencave politike të Universitetit të Leuvenit, Dr. Elhami Shaqiri u fokusua në raportet e politikës me diplomacinë, vlerat e analizës tërësore në diplomaci dhe të analistëve të shquar diplomtikë, si Shaban Murati e të tjerë;  Ermelinda Hajdari, menazhere marketingu në firmën e njohur belge “SIM” u përqëndrua  në aspekte të diplomacisë ekonomike dhe atë qytetare. Ajo bëri dhe një kalim në galerinë e pasur të portreteve dhe personazheve të shqiptarëve të dalluar me banim në Bruksel që vlerësohen gjerësisht në libër. 
Autori i librit falenderoi të pranishmit, panelistët, të ftuarit specialë dhe në veçanti dhe kolegët dhe drejtuesit e dikasterit për nxitjen dhe motivimin e tyre të vazhdueshëm në veprimtarinë intensive diplomatike të vendit tone.
Në përfundim të takimit, Ambasadorja Suela Janina përshëndeti të pranishmit, duke vlerësuar librin dhe përvojën e autorit; ajo i ftoi të gjithë bashkëatdhetarët të vijojnë në përpjekjet tona të përbashkëta për përballimin me sukses të sfidave madhore për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe si faktor i rëndësishëm në stabilitetin rajonal e më gjerë.
Bashkëbisedimi u kthye në një takim shumë miqësor ndërmjet bashkëatdhetarëve dhe të pranishëve të tjerë.
Përshëndetja e Botueses Irena TOÇI për pjesëmarrësit në ceremoninë e promovimit të librit   nw Bruksel
Të nderuar miq,
 "Diplomacia për të gjithë" i autorit Jorgji Kote nuk është libri i parë i tij, por është libri më domethënës që vjen si rezultat i natyrshëm i karrierës së tij të gjatë diplomatike, përplot me eksperienca jetësore dhe profesionale por edhe i kulturës së tij të gjerë akademike në këtë fushë.
Si rrjedhojë, do të thosha se është libri i duhur, i ardhur në momentin e duhur, i shkruar nga personi i duhur.
Por, kuptohet se ky libër nuk do të ishte lexuar me kaq kërshëri, dhe nuk do të kishte tërhequr vëmendjen e një numri të madh lexuesish nëse nuk do të ishte shkruar me një gjuhë të pasur por të thjeshtë, me argumenta e shembuj të kuptueshëm, me tema e trajtime interesante dhe me citime nga figura të shquara të diplomacisë botërore.
Por, veç të tjerash, veç kënaqësisë që përfton duke e lexuar, veç horizontit të qartë që të hap leximi i tij, mendoj se referimi dhe përqasja me realitet tona diplomatike, do kurajë dhe ndërgjegje të thellë profesionale dhe njerëzore e diplomati Jorgji Kote i ka dëshmuar të dyja me këtë botim.Ky libër vjen edhe si një etyd për të gjithë plejadën e diplomatëve të karrierës që kontribuuan në këtë fushë duke krijuar e ndërtuar kohë pas kohe dhe situatë pas situate imazhin e duhur për vendin tonë.
E përgëzoj autorin e palodhur, Jorgji Kote, për punimin e tij të radhës dhe e falënderoj për bashkëpunimin e tij të gjatë dhe frytdhënës me Shtëpinë Botuese Toena ndër vite.
Ambasadorja Suela JANINA duke përshëndetur të pranishmit.
 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?