Propozimi i ri për Piramidën: Të bëhet Muze Kombëtar Arkeologjik

Mungesa e një muzeu por edhe një laboratori për përpunimin e objekteve arkeologjike mund të vërë në pikëpyetje serioze gjurmët e disa periudhave mesjetare në vendin tonë. Instituti arkeologjik, në bodrumet e të cilit qëndrojnë mbi 20 mijë objekte, i drejton një apel qeverisë të financojë me fonde këtë pasuri të madhe ndërsa kërkon Piramidën si një nga objektet më të përshtatshme për tu kthyer në një Muze Arkeologjik. Ndërkohë ekspertët duket se kanë gjetur disa  vendbanime të rëndësishem në liqenin e Prespës.

Tirane- Mbi 20 mijë objekte qëndrojnë në një tunel në Institutin  Arkeologjik.

Një ambient që edhe pse i përshtatur duket se nuk i përmbush të gjitha parametrat për t’i ruajtur këto objekte  të padëmtuara.

Kreu i Insitutit të Arkeologjisë ka një apel të përsëritur jo vetëm për më shumë fonde por për një laborator të mirëfilltë për përpunimin e objekteve.

Luan Përzhita: Ne kemi nevojë për shtesë buxheti, kemi nevojë dhe për mbështetje financiare, por falë edhe bashkëpunimit me të huajt ne i kemi realizuar më së miri kërkesat që kanë të bëjnë me kërkimin në terren, me studimim dhe ngritjen e shkollës së doktoraturës me shkëmbimet që janë bërë nga fondacione ose nga donacione të ndryshme. Për hir të së vërtetës edhe pse mendojmë që nevoja është shumë e madhe sërisht mendojmë që arkeologjia po ecën në rrugën e duhur.

Një ndër problemet kryesore lidhet me investimet që duhet të bëhen kryesisht në infrastrukturë, që ka të bëjë me një laborator që duhet të shërbejë për përpunimin e materialit, konservimin dhe restaurimin.

Shqipëria numëron deri tani 100 mijë objekte arkeologjike që janë një provë e rëndësishme e kultures iliro-shqiptare.

Ndërkohë 20 mijë objekte arkeologjike nuk janë ekspozuar në një muze ku çdokush mund të shkojë për të shuar kureshtjen për periudhën antike apo edhe për të dhënat, mënyrën si kanë jetuar në kohën e mbretërisë ilire.

Piramida te jete Muze Arkeologjik

Një nga mundësitë që Instituti ka hedhur për ta kthyer në Muze Arkeologjik është ndërtesa e Piramidës e cila vijon të jetë një objekt i braktisur dhe i lënë në mëshirë të fatit edhe pse ndodhet në qendër të metropolit shqiptar.

Luan Përzhita: Ne kemi një pasuri mjaft të madhe arkeologjike që i kalon mbi 100.000 objekte. Ato përveçse duhet të konservohen duhet të reastaurohen por edhe duhet të mirëmbahen herë pas herë në mënyrë që ato të jenë një thesar i rëndësishëm i kultures iliro-shqiptare. Herë pas here kemi bërë një propozim që mbase godina e Piramidës t i jepet arkeologjisë për ta kthyer atë në një Muze Arkeologjik Kombetar.

Aktualisht Institutit Arkeologjik ka 18 projekte në të gjithë vendin midis të cilave janë gërmimet në Shkodër, Koman, Durres, Bylis, Butrint, Antigone ndërsa dy zona të reja ku po gërmohet dhe me shumë interes janë Sarta dhe Foinike. Me interes kohët e fundit shihen zbulimet nënujore.

Luan Përzhita: Po bëjmë kerkime nënujore sic është rasti i dy kërkimeve që kemi bërë në liqenin e Ohrit dhe të Prespës, ku në të parin është zbuluar një vendbanim neolitik palafit dhe tepër i rëndësishëm për turizmin. Po dhe një vendbanim tjetër që është zbuluar në liqenin e Prespës dhe që lidhet me kulturën ilire, kryesisht të bronzit të vonë dhe të hekurit.

Të gjitha gërmimet synojnë të zbulojnë kulturën arbëreshe dhe periudhën mesjetare  çka do të rriste interesin e vizitorëve jo vetëm vendas por edhe të huaj.

SHKARKO APP