Protesta me kokë, protesta me pil!

Nga Arian Galdini –

Antipolitika është shndërruar prej disa vitesh në maskën e përsosur të Elitave Politike Kënetore Postkomuniste.

Ngase e dinë se liria ose i çon në pension ose në burg, ata kanë ngritur një industri të tërë të keqkuptimit të lirisë me zemëratën.

Nëse liria kërkon mendim, zemërata kërkon bulçi, muskuj e numra.

Nëse liria kërkon kokë për drejtim, zemërata kërkon gojë për sharje, pështyma e mallkime.

Nëse liria bën shumë pyetje, zemërata i urren pyetjet.

Pika e konfuzionit mes lirisë dhe zemëratës është e drejta për kundërshti, revoltë, kryengritje.

Nëse liria e sheh këtë të drejtë si shërbëtore të qëllimeve e brendisë së saj, zemërata e bën këtë të drejtë si Zotin e saj.

Dhe këtu fillin ndarja dhe loja.

Kush i shërben lirisë vuan moskuptimin sepse duhet të shpjegojë.

Kush punon për zemëratën gëzon të gjitha shtigjet e hapura të çdo zemre e mendjeje që dëshiron ndryshimin.

Ky është momenti kur Politika Kënetore hedh para, ngre ushtri me mercenarë dhe hap media për Antipolitikën.

Antipolitika është shprehja politike e kujtdo që ka për Zot zemëratën.

Ata mund të jenë njerëz e qytetarë të mrekullueshëm, por që me a pa dashje kanë hyrë a janë shtyrë në Faltoren e Gabuar ku adhurohet Zemërata si Zot.

Pra askush nuk duhet të gjykoje e as flasë keq apo cënojë besimtarët e zemëratës.

Puna jonë është të dëftojmë se Zoti Zemëratë nuk është as më shumë e as më pak veçse një skllav i ndytë i Politikës Kënetore.

Kam dëgjuar këto ditë psh, se mrekullia e protestës studentore është fakti se ajo nuk ka Drejtues, nuk ka Përfaqësi, nuk ka Kokë.

Madje ideologë të zemëratës e kanë quajtur edhe si Fundin e Demokracisë Përfaqësuese, duke e theksuar këtë si një lajm të mirë.

Ta zhveshim pak argumentin nga të gjitha petkat e agjipropit dhe të përpiqemi të kuptojmë si qëndrojnë sendet.

Kemi të gjitha TV-të Kombëtare, të gjitha TV-të lokale, çdo portal, çdo gazetë, të gjithë analistët, të gjithë gazetarët, vetë Kryeministrin, të gjithë Opozitën, që pohojnë se studentët kanë të drejtë, se 8 a 9 kërkesat e tyre duhen plotësuar, etj, etj.

Studentët na shkundën thonë analistë e gazetarë.

Studentët na dhanë një shpullë, thotë KM.

Studentët rrëzuan gjysmën e Qeverisë, thotë Opozita.

A janë të vërteta këto pohime apo është Politika Kënetore që synon ti projektojë si të vërteta në trushplarjen e përditshme?

Me gjasa fakti e ndodhia sociale nuk lënë vend për ta dyshuar asnjërin prej këtyre pohimeve si të vërtetë.

Veçse disa pyetje të mëdha kanë nevojë për përgjigje.

Nëse studentët na shkundën, nëse studentët rrahën me shpulla Qeverinë e me shkelma Opozitën, nëse studentët rrëzuan gjysmën e Qeverisë, nëse studentët kanë të drejtë, atëherë pse kaq shumë konflikt, zulm e hakërrime për një protestë e ca kërkesa për të cilat të gjithë janë dakort?

Është rast unik në botë, që shoqëria duket sikur është në pikun e përplasjes dhe konfliktualitetit për një protestë e ca pika për të cilat të gjithë janë dakort.

Pyetja tjetër që më buçet në kokë është edhe më e thjeshtë se kjo e para.

Ta zemë se po e besojmë se protesta nuk ka kokë, nuk ka përfaqësi, nuk ka drejtues, atëherë kush i ka shkruar, kush i ka hartuar, kush i ka njehsuar, 8 apo 9 kërkesat e studentëve? Kush i njofton oraret, qëndrimet, vendin e protestës, kush jane truprojat e mikrofonit, kush i organizon grupet e “policimit të protestës” të cilët fishkëllejnë a duartrokasin ata që duan të shkojnë të flasin aty, etj, etj, etj?

Që aty ka disa grupe që janë në tërheqje të vazhdueshme litari për të marë kontrollin e asaj proteste studentore, kjo është e dukshme për gjithëkënd.

Megjithatë asgjë nuk e bën të vërtetë e aq më pak si risi, pakokësinë e protestës, ngase janë gjithësesi Administratorët e Zemëratës që po përplasen në atë shesh proteste për të siguruar kontrollin.

Pakokësia është pafuqia e vërtetë e asaj proteste.

Është edhe udhërrefyesi i plotë sesi në atë shesh komandojnë vetëm Administratorët e Zemëratës.

Zoti Zemëratë ka shpërndarë aty “klerikët” e tij dhe po shpall si heretik, të çmendur, të mallkuar këdo që punon për lirinë dhe bën pyetje e ngre dyshime.

Si shpjegohet që Partizani i Panjohur zëvendësohet në 2018 me Protestuesin e Panjohur dhe kjo gjë e gëzoka Qeverinë?

Si shpjegohet që Protesta Studentore nuk pranon asnjë politikan të Opozitës që të qaset aty, madje nxjerr meme me kryqmohime mbi kokat e Opozitarëve dhe kjo gjë e gëzoka Opozitën?

Si shpjegohet që të gjithë janë dakort me protestën studentore, të gjithë janë të sharë nga protesta, të gjithë janë të goditur nga protesta, e në fund të gjithë janë të gëzuar me protestën dhe protesta e ka ngritur në maksimum konfliktualitetin në shoqërinë shqiptare?

As Samuel Beckett nuk do të mund të shkruante një Teatër më absurd.

Si përfundim, them se Antipolitika ka “klerikët” e saj të Zotit Zemëratë.

Zoti Zemëratë është skllavi i Politikës Kënetore.

Politika Kënetore ka frikë lirinë dhe drejtësinë.

Prandaj ka nxjerrë në sheshe “klerikët e zemëratës” që duke gjuajtur me topa sharjesh e pështypmash Shefat e Politikës Kënetore, të fshehë snajperat që po vrasin ngadalë e pa u vënë re të gjithë veprimtarët e lirisë.

SHKARKO APP