Protestojmë me lule…!

Nga Nikolin Sh. Lëmezhi – Artistë dhe filozofë të ndryshëm, sidomos ata të kohëve të lashta, kanë folur për një thirrje apo frymëzim, që iu është bërë nga “Muza” ose ndonjë perëndi tjetër.

Mos u çuditni, por para disa vitesh (më falni se po e publikoj me vonesë), edhe unë pata një frymëzim të veçantë; mbase bëhet fjalë për një konsiderim që lindi nga një “krizë e thellë shpirtërore…”.

Ishte marsi i 1997˗ës. Këtu në Shqipëri s’dëgjohej gjë tjetër veçse shpërthime, shkatërrime, grabitje, krisma e vrasje. Kaluan muaj dhe të dëgjoheshin krisma me ndonjë viktimë u bë gjë krejt normale për shqiptarët (për mua sigurisht po). Gjatë ditëve që erdhën pas asaj pranvere të çrregulluar krismat sikur dëgjoheshin më rrallë.

Fakti që më tronditi më shumë ishte se në fshatin ku studioja, një mëngjes të freskët, poshtë qiellit me pak re, u gjet rastësisht, në oborrin e shtëpisë së saj, trupi i pajetë i një gruaje. Një plumb qorr e kishte goditur në kokë, ˗ pëshpëritej prej të gjithëve. Bëhej fjalë për nënën 36 vjeçare të një shoqes sime. U zemërova shumë dhe nuk dija si ta shprehja zemërimin tim. Ajo kishte vdekur dhe nuk dihej se kush e kishte vrarë; padrejtësisht ia morën jetën dhe askush nuk mbante përgjegjësi për një krim të tillë. Po përse ekzistojnë armët? Përse vazhdon prodhimi i tyre kur në botë çdo ditë shtohet niveli i urisë dhe i vdekjeve të parakohshme apo i vdekjeve të fëmijëve thjesht për një aspirinë? A është e drejtë të kemi një interes për armë kur na mungojnë gjëra të ndryshme parësore, të cilat sigurisht do të mund ta shtonin cilësinë e jetës sonë?

Që atëherë fillova të besoj se plumbat po vrisnin njerëz, po vrisnin shqiptarë, po vrisnin prindër, vëllezër e motra! Sidoqoftë, kështu kaloi viti 1997!

Po sot, ç’po bëhet me Shqipërinë dhe me shqiptarët? A mund të vazhdohet akoma kështu? Vëllezërit tanë politikanë, a punojnë për Shqipërinë? Apo tallen me shqiptarët? Qeveritë e qeveritarët, herë pas here ndërrojnë, e ne këtu poshtë vazhdojmë t’iu bëjmë tifozllëk.

Besoj se ka ardhur koha që të mos ndikojë situata mbi ne, por ne të ndikojmë mbi situatën. E situata sigurisht duhet marrë në dorë! Jo me dinakëri, me dhunë e armë, apo me terror, siç mendojnë disa… Është e mundur të protestojmë me lule… Ju duket çudi ndoshta! Besoj se lulet do të jenë arma më e fortë, me të cilën do të luftojmë për qeveri me të vërtetë demokratike e për një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Një lule më shumë, një vrasës më pak!

Ka ardhur koha, dhe kjo është, që të gjitha energjitë tona të vihen në shërbim të së mirës, madje në shërbim të më të mirës për ne dhe për të tjerët: ka ardhur koha që edhe aspektet tona më negative të punojmë që t’i shndërrojmë në një forcë të re për të bërë mirë.

Është e mundur të ndërtojmë një botë pa armë, atë botë të re që e ëndërruan paraardhësit tanë dhe që kaq shumë e duam edhe ne: unë besoj se kjo utopi do të bëhet realitet. Edhe Fjala e Zotit, thotë: “Shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë e heshtat në drapërinj. Një popull nuk do të ngritë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë”. (Is. 2, 4)

Jezusi, Princi i Paqes, Ai që “shpinën ua solli atyre që e rrihnin… dhe fytyrën e Tij nuk e largoi nga të sharat e pështymat” (krhs. Is. 50, 6), na ndihmoftë që të ushtrohemi gjithmonë dhe kudo për paqe dhe njësim!

Dhe do të shohim me sytë tanë tek realizohet pak e nga pak, në mënyrë të mahnitshme, ajo fjala profetike: “Shkretëtira… do të lulëzojë…!” (Is. 35, 1) Po, Shqipëria do të lulëzojë!

 

SHKARKO APP