Pse mungon pushka te munumenti i Çerçizit

Fejton

Nga Hyskë Borobojka

Disa vite më parë, kur shkoja me shërbim në Gjirokastër, një ditë po qëndroja e po vështroja përmendoren e heroit, Çerçiz Topulli, derdhur në bronx e të vendosur në krye të një mjedisi, në mes të qytetit, që gjirokastritët e quanin “Sheshi i Çerçizit”. Vështroja përmendoren e heroit, me kollanin në brez, te mbushur me fishekë, e pa dyfek. Ndërmend sillja fotografinë e tij, ku Çerçizi ishte jo vetëm me pushkë në dorë, por edhe me gunë në shpinë. Ndërsa i derdhur në bronz nuk kishte as njërën e as tjetrën. Tek vështroja me kuriozitet të madh përmendoren, vrisja mendjen pse kishte ndodhur kjo lajthitje duke e “çarmatosur” heroi e “Mashkullorës te rrapi”?!. Në këto e sipër erdhi miku im i shtrenjtë, i ndjeri Alizot Emiri, që në ato vite drejtonte librarinë e vetme në qytetin e gurtë. Si u përshëndetëm e u përqafuam me mall e pieta: Si gjirokastrit i vjetër, pse vallë e kishin lënë heroin e luftës së Mashkullorës po dyfek e gunë, ashtu si luftonte kundër armiqve pushtues në “Gurin e Capit”, në “Mashkullore te rrapi” e kudo.

-E di unë historinë e pushkës dhe gunës, por eja të rrufisim nga një kafe e shkojmë në librari të ta tregoj! – me tha miku im.

Ia plotësova dëshirën. E rrufita kafen me një frymë, s’më durohej sa të vinim në librarinë e tij të ma tregonte. Aty, si zumë vend, Zotja (si e thërrisnin shkurtimisht) mbylli derën e më tregoi me hollësi e humor, siç dinte të rrëfente ai.

Pushteti vendor i asaj kohe vendosi ta përjetonte trimërinë dhe luftën Çeços, që të mos e harrohej kurrë lufta dhe përpjekjet e tij kundër armiqve osmanllij për lirinë e Shqipërisë, duke e derdhur në bronz e vendosur në qendër të qytetit të tij. Për t’i dalë zot kësaj pune, krijuan edhe një komision, që do mblidhte paratë nga populli. Për bërjen e monumentit të tij, zgjodhën lulen e skulptorëve, Odhise Paskalin, i cili kishte realizuar dy përmendore të rralla në qytetin e Korçës, “Ushtarin e panjohur” dhe “Themistokli Gërmënjin”. Ranë në ujdi (shqip, jo konsensus) dhe e prenë pazarin se kjo punë do paguhej 800 napolona të verdha. Populli patriot i Gjirokastrës nuk i kurseu paratë për nderin e Çerçizit, por komisioni i ngarkuar për këtë punë dhe pushtetarët vendore (qenka si sëmundje ngjitëse për pushtetarët e komisionet e “zgjedhur” që të përvetësojnë paratë e miletit) i vodhën paratë e mbledhura nga populli. Nga 800 napolona mbetën 600. Skluptori shpjegoi se ky monument nuk bëhet me kaq para, pasi ka shumë detaje që kërkojnë shumë punë , kohë e shpenzime. Sipas fotografisë që më keni dhëne, Çerçizi ka pushkën në dorë. Ajo ka këmzën, shulin, harbinë, rripin për ta hedhur në sup e plot detaje të tjera…

-Ç’e do tani pushkën Çeçoja, sikur do të veje të luftojë me zaptiet e Turqisë te “Rrapi në Mashkullorë” apo t’i zërë pritë dhespotit grek te “Guri i Capit”!? Po ndodhi ndonjë “muharrebe” (luftë) a trazirë në qytet, janë xhandarët e qeverisë me pushkë në sup e kobure në brez, s’ka nevojë për pushkën e Çerçizit! – tha njëri nga anëtarët e komisionit.

Kaq u desh dhe Çerçiz Topullin, që s’e çarmatosën dot koshadhet e Turqija, e çarmatosi komisioni i qytetit të tij.

Njëri tha se kur Çerçizi luftonte maleve, mbante në sup gunën, që i shërbente për dyshek e për jorgan. Por thënien e tij e kundërshtuan të tjerët, duke thënë se ç’i duhet guna Çerçizit tani?! Sikur do bëjë dyfek maleve?!. Po zuri ndonjë vesë shi apo rrebesh, janë lokalet dhe zyrat e bashkisë të hyjë të mos laget e mos mardhë. Kështu komisioni, që hëngri paratë, vendosi e ia hoqi edhe gunën nga shpina. Por doli një problem tjetër, që duhej zgjidhur Sipas fotografisë, ai mbante në dorë pushkën. Kur ia hoqën armën i mbetej dora shtrire, ç’të bënin me të?!

-I kini vënë re gjirokastritët, kur ngjiten përpjetë në “Qafën e Pazarit” doren e mbledhin grusht e vendosin prapa kurrizit!- sugjeroi njëri nga anëtarët e komisionit.

Si duket kjo tradite e dorës mbledhur grusht e vendosur prapa kurrizit, kur gjirokastritët ngjiteshin “Qafës së Pazarit” ishte traditë, prandaj edhe diktatorin Hoxha, kur e derdhen në bronz dhe e vendosën në “Sheshin Skënderbej” dorën ia vendosën grusht prapa kurrizit.

-Ja, i dashur mik, – me tha Alizoti, -kështu që Çerçis Topulli monument i vendosur në sheshin e tij, mbeti me kollan e pa dyfek, pa gunë e me dorën grusht prapa kurrizit.

Pas këtij rrëfimi, ai vuri buzën në gaz e më foli në vesh:

-Me siguri, në grushtin e tij prapa shpine, do të jenë paratë që i hëngri apo i vodhi komisioni e pushtetarët vendorë!

Por kjo histori s’mbaroi këtu, më rrëfente Alizoti. Çerçizi përmedore shkoi e u derdh në bronx në Itali. Si mbaroi punë me sukses në shtetin fqinj u kthye të vinte vendin që i takonte në qytetin e lindjes. Por sa mbrriti në Sarandë, e burgosi dogana, pasi komisioni i kishte rufitur paratë e s’i kishin mbetur asnjë kacidhe për të shlyer doganën. Kështu që heroin Çerçis Topullin, që se zuri e s’e burgosi dot Turqia, bëri gjashte muaj burg në doganën e Sarandës, deri sa mblodhi para të tjera nga qytetarët e Gjirokastres për të paguar doganën që ta „lironte nga burgu“ .

SHKARKO APP