Pse të gjithë mendojnë se Irene Papas është shqiptare

Irene Papas, aktore legjendare me mbi 50 vite karrierë mbi supe, aludohet sërish të jetë shqiptare. Papas është e njohur për rolet e heroinës greke në “Zorba the Greek”, “Antigone”, “Odissea” përkrah Bekim Fehmiut dhe “Electra”, ndër të tjerash, dhe ka fituar një sërë çmimesh për talentin e jashtëzakonshëm.

Sot, Klan Kosova publikoi një artikull që përmban një deklaratë të aktores në të cilën thotë se “nuk mund ta lë këtë botë pa thënë të vërtetën. Unë jam shqiptare. Jam lindur në vitin 1926 dhe mbiemri im ka qenë fillimisht Leleku.” Lajmi u përhap me shpejtësi, edhe pse vjen nga një portal shqiptar, publikuar fillimisht dy vite më parë. Tentuam të gjenim burimin fillestar të deklaratës, por pa sukses.

Gjithashtu dy vite më parë, doli në dritë një tjetër intervistë misterioze e Irene Papas. “I ngjaj sime mëje. Nëna ime është esmere si unë. Ajo vjen nga Epiri, ndërsa im atë vinte sipas gjasave nga Shqipëria. Ndoshta jam shqiptare, ose gjysmë shqiptare. Peloponezi është përplot me shqiptarë,” aludohet të ketë thënë ajo. Sërish, as këtë intervistë nuk arritëm ta gjenim në internet.

Faqja në Wikipedia në anglisht e Irene Papas, lindur Irini Lelekou shkruan se babai i saj ishte arvanitas dhe si referencë është e njëjta deklaratë si në paragrafin e mësipërm, botuar në Telegrafi.com, sërish pa burim fillestar. Faqja në shqip ama sqaron që në fjalitë e para se Irene Papas “është një aktore greke, e bija e një shqiptari e një grekeje me prejardhje nga Epiri”.

Çdo provë online mbi origjinën e Irene Papas të dërgon aty ku nise, një cikël i mbyllur i pambështetur me prova. Sidoqoftë s’është tërësisht e pamundur që aktorja të ketë vërtet origjinë shqiptare, por deri kur të jetë e qartë, le të ruajmë qetësinë.

SHKARKO APP