Pse testet janë të rëndësisë së parë
Nga Dorian Matlija –
Falë Worldometerit po shohim testimet që bëhen në vende të ndryshme. Bie në sy që një numër i madh testesh janë bërë në SHBA, Gjermani e Itali. Por në këto vende edhe shkalla e infektimit është shumë e lartë.
Me rëndësi është të shihet numri i testimeve në raport me rastet që rezultojnë pozitive. Nëse shumë të testuar rezultojnë pozitive, do të thotë që testet po kursehen. Ndërsa në ato vende ku numri i testeve është shumë i madh dhe pozitivët janë pak, do të thotë që testet nuk po kursehen aspak. Për shembull, në Itali del pozitiv 1 person në 5.
Në SHBA gjithashtu. Në Spanjë më keq, 1 pozitiv në pothuajse 3. Në Francë 1 në 2.5. Mbase në këto vende nuk është çështje parash, por prakticiteti sepse numri i testeve në vlerë absolute është shumë shumë i madh. Por ka edhe vende si Zvicra me 1 në 8, Kanadaja 1 në mbi 20, Korea e Jugut me 1 në mbi 40, Rusia me 1 në 130, apo Emiratet Arabe me 1 në mbi 140. Madje Vietnami ka bërë 88.500 testime dhe kanë rezultuar pozitive vetëm 241 persona, ose 1 ne 367. Shqipëria, e cila ka 361 pozitive deri me sot, ka bërë 2396 teste, ose afro 1 në 6…
Sigurisht që nëse nuk testohen njerëzit, pra duke testuar vetëm ata që kanë simptoma të rënda (shih edhe reagimin e Dr. Genta Dedej në facebook) dhe duke lënë jashtë vëmendjes ata më pak ose aspak simptoma, vijnë shumë pasoja, ndër të cilat:
- Vdekshmëria do rezultojë e hatashme, në vlera mbi 5% dhe kjo ka ndikim në psiqikën e popullatës.
- Vdekshmëria e lartë statistikore i jep të drejtë liderëve populisto-punisto-psikopatike (lexo PPP) që të legjitimojnë masa të rrepta që zhdukin të drejtat e njeriut dhe nuk diskutohen dot as në gjykata sepse këto mbyllen nga lideri, ose edhe kur lihen hapur nuk kanë b… sepse trysnohen nga presioni publik.
- Projeksionet e vendeve me vdekshmëri të lartë i japin legjitimitet liderëve PPP që t’u kallin datën njerëzve dhe pastaj t’u thonë se nga çfarë masakre po i shpëtojnë, duke rritur popullaritetin dhe duke budallallepsur masat. Këtu shtohet edhe një varg mjekesh apo akademikesh që lodrojnë me fjalët në të njëjtin pentagram me atë të këngës së liderit.
- Të sëmurët e orëve të para nuk u jepet ndihme e duhur mjekësore dhe duke u kapur sëmundjet në faza të avancuara shanset për vdekje rriten ndjeshëm.
- Të sëmuret e patestuar rrinë nëpër shtëpia dhe infektojnë familjen, komshinjtë, njerëzit nëpër pazare etj, duke e bërë të paefektshme karantinën, në vend që të izolohen shpejt dhe pa pasoja.
- Duke dalë pak të sëmurë, nga pak testime, lideri PPP ngrefet në ekran si shpëtimtar i situatës, por situata, duke mos qenë e shpëtuar, zgjat pa fund sepse nuk ka një strategji daljeje. Liderit PPP nuk i del dot nga goja që tani dilni se vetëm 30 raste në ditë kemi, kur i ka bërë kokën vrimë popullit çdo dy javë se kemi hyrë në javën e zjarrit me 20 raste në ditë.
- Duke zgjatur agonija e masave, shteti nuk funksionon, të drejtat nuk respektohen, ekonomia frenohet dhe viktimat e para janë të varfëritë, pavarësisht se më të hidhëruarit duket sikur janë të pasurit.
Ka edhe një të keqe shumë të madhe parimore. Pa bërë testime, me variantin “ec e gjeje, 1 në 10 mijë, apo 1 në 6?”, të gjithë ne po prezumohemi sikur jemi me Covid (sipas variantit 1 në 6) dhe jetojmë nën masën e arrestit të shtëpisë, ndërkohë që shumë të tjerë, vërtet me Covid, dalin pazareve sepse prezumohen si të shëndetshëm (sipas variantit 1 në 10 mijë). Ndërmjet këtij marzhit 1 në 6 apo në 10 mijë, lideri PPP bën kërdinë. Shkurt testet dhe shpëtojnë jetë njerëzish, ngushtojnë hapësirën e liderit PPP dhe zgjerojnë tonën.