Puka, “sofër” e historisë dhe e ekoturizmit

Nga Ndue Dedaj/“Sofra Pukjane” u mblodh dhe këtë diel, me 6 nëntor, në edicionin e saj të 9-të. Si përherë, me koncerte festive, promovime dhe me miq të rinj. Mbase askund tjetër nuk ka një harmoni mes elitës kulturore dhe asaj të biznesit si atje, por dhe pushtetit vendor.

Puka, si gjithë areali verior dhe bota shqiptare në tërësi, e kishte gjithmonë sofrën të shtruar, për më tepër që përshkohej nga njëra prej rrugëve kryesore veriore, Shkodër – Kukës – Prizren – Nish. “Sofra Pukjane” është një kontekst i ri social-kulturor, përbashkim i biznesmenëve, publikut, artistëve, shkollarëve, emigrantëve, turistëve, miqve të shumtë të kësaj treve. Nëse për së largu Puka mund të shihet si një masiv bjeshkësh, me Tërbunin si kryekështjellë natyrore, me pisha, ahe e minerale, pra si një hambar pasurish, mbi- e nëntokësore, kur depërton brenda ashtit të saj, kupton se ky rajon së pari është një rezervat kulturologjik dokesh, ritualesh, besimesh, rapsodish, vallesh, veshjesh, zejesh, ku veçon tradita unike e punimit të enëve prej balte të pjekur të Gojanit, që shtegtonin mbi mushka përtej Pukës dhe Mirditës. Mund të ndalesh në secilin vendbanim pukjan, por mjaft të sjellësh në vëmendje Dalmacen e “Kulturës së Komanit”, që ende nuk i është nxjerrë “fundi” nga arkeologët e pasionuar si Etleva Nallbani; Kabashin, një qytezë e begatë dikur, me një abaci të njohur në emrin e Shën Palit, një rrugë karvanësh që e përshkonte, një panair të pabesueshëm artizanal për kohët mesjetare, një pleqësi dybesimesh, veshjen e shënuar dhe vallen e përmendur të Kabashit, për çka atje qe zhvilluar dhe një sesion shkencor në 1978-n. Të njëjtin portret do të kishim për Kryeziun, Iballen, Dardhën, Kçirën, Qerretin, Dushin, Gojanin, Fushë-Arrësin etj., pasi “sofra” etnokulturore e trevës dhe rajonit përreth ishte autentike.

Malësorët pukjanë sfidonin dimrat me tre-katër metra dëborë, pushtimet e huaja, regjimet autokrate, varfërinë e skajshme ekonomike – me betejat për liri, karvanët tregtare nga Shkodra e Kosova, legjendën njerëzore të mbijetesës, atdhetarinë e Ismail Agë Kryeziut e Hoxhë Pukës, internacionalizmin e Ymer Pukës, rapsoditë epike të Prendush Gegës e Mat Dodë Pepës, triumfin e Lulit të Vocërr, stoicizmin punëtor prej sharrëtarësh të dorës së parë, parashikimin mitik të motit nga Plaku i Qafës së Malit, rezistencën nacionaliste të Mirakajve, disidencën e Pashk Currit e Marka Dodë Alisë, duart krijuese të të vëllait, Ndue Alija, që në fshatin e tij Kryezi do të bënte elektrifikimin e familjes së madhe prej 60 vetësh, pesë vjet para elektrifikimit të Shqipërisë, duke ngritur në lumin e fshatit një central të vogël elektrik. E sa “mrekulli” të tjera si këto, që vetëm një popullatë e paepur i kryen.

2

Puka si Ad Picaria (pezhve), Via Publica (rrugë publike) është dëshmuar qysh herët në hartat romake të shekujve të parë të Erës së Re, njoftimet ipeshkvnore të Frang Bardhit, apo, për shkak të problematikave të mprehta sociale, ndër të cilat dhe dukuria e konkubinatit, do të shtjellohej gjerësisht në kronikat misionare të jezuitëve të shekullit XIX, si At’ Domeniko Pasi. Gjithashtu At’ Gjon Karma do të shkruante mbi hullinë e jetës ndër male në fillimet e shekullit XX e kështu me radhë. Nuk është se dija shumë nga këto, aty nga fillimi i viteve ‘80, kur shkoja shpesh në Pukë, dhe gjithnjë mbushesha me një ndjesi të papërsëritshme kaltërsie e kthjelltësie, dhe pse e kuptoja se jeta nuk ishte aq romantike sa dukej. Nuk donim ta besonim se “legjenda e misrit” nuk kishte mbaruar. Tridhjetë vjet pas Migjenit, peizazhi malësor vazhdonte të ishte “prehistorik”. Shkrimtari Dhimitër Shuteriqi, shkruante në një reportazh të tijin të një gjysmë shekulli më parë (1966), se në Gojan, jo larg xhadesë kishte zënë parmendën një plak, i moçëm si një stërgjysh, dhe një grua e re hidhte farën përpara qeve, e veshur me tërë stolitë e nuses. Dhe tamam mbi xhadé, një vocërrak, me tufa të kuqe, si një lulëkuqe e çelur herët mbi rrugë, admiroi me sytë e tij të mëdhenj kamionin tonë dhe m’u duk se pëshpëriti diçka duke lexuar targën… Plaku dhe nusja mbjellin tokën e lashtë; stërgjyshi duket të ketë vendosur të mbyllë sytë mbi brazdë, me parmendë në dorë, djali i vogël numëron makina mbi xhade… (Dh. Shuteriqi, “Këngë në minierë, Tiranë 1968). Ne që shkruanim në shtyp asokohe përpiqeshim të rroknim pozitivën, por sidomos në bujqësi nuk e gjenim. Përkundrazi, druvarët, minatorët, gjeologët pukjanë, mirditorë, tropojanë, shkodranë e të tjerë kanë qenë për shumë mote të njohurit dhe të panjohurit e mi që i kisha kthyer në personazhe të reportazheve e përshkrimeve publicistike, veçanërisht te gazeta “Zëri i Rinisë”.

Puka dhe Mirdita ishin thuajse një areal aq më tepër në fushën e artit popullor, folkut, dokeve, martesave të ndërsjellat, të kremteve etj. Prendush Gega dhe Ndue Shyti do të mbeten dy viganët e shekullit përsa i përket fjalës rapsodike veriake dhe melodisë burimore me çifteli, fyell e bilbil. Të gjithë gjyshërit dhe etërit tanë nuk e kishin lëshuar nga dora lahutën, sharkinë e çiftelinë, por ata të dy, së bashku me Gjin Shkozën, Dervish Shaqen, Sokol Arifin, Tom Nikollën, Azis Ndreun, Dedë Ndue Lazrin, Sali Manin, Frrok Haxhinë e të tjerë iu kishin dhënë atyre humusin pasfishtian. Kësaj aradhe do t’i vinin në krah për herë të parë artiste të tilla të melosit popullor si Nexhmije Pagarusha, Liri Rasha, Fatime Sokoli, Fitnete Kurti, Davë Gjergji, Vitore Rusha, Zojë Pali, Vitore Matoshi etj. Por bjeshkët pukjane nuk do të qitnin prej flatrave të veta vetëm “zanat” e folkut vezullues, por dhe artiste të shquara të muzikës së kultivuar si sopranon e mirënjohur Mariana Leka.

Është rasti të thuhet se përpos burrave të përmendur në histori, grania e këtij rajoni kishte pasur gra simbol si Dava e Qafajva, që në vigjilje të Pavarësisë kalonte ilegalisht postën sekrete në Kosovë, apo Franga Curri, që në vitet ’30 të shekullit të kaluar, lexonte libra, fliste italisht, priste e qepte me makinë rrobat e trevës etj. Ashtu si punëtoria e maleve ka qenë një faktor emancipues, ku Raze Syla do ta ngiste skodën e ngarkuar me trupa tridhjetë vjet para se gratë e Tiranës të ngisnin veturat e tyre komode. Auditorët e universiteteve të Tiranës e Shkodrës, sidomos në vitet ’70 e mbrapa, do të gumëzhinin nga zërat e vajzave studente të rrethit të Pukës, që deri atëherë kishin shkelur vetëm nëpër shkrepa dragojsh e legjenda nusesh.

Kishte qenë Migjeni, shkrimtari sui generis, që e kishte nxjerrë Pukën nga manteli i folklorit dhe krejt letërsinë shqiptare nga opusi heroik i traditës dhe lavdet kombëtare për gjuhën, heronjtë, flamurin, nëpër një hulli të re. Kësisoj Puka si një “bukuri që vret” për jetë e mot do të mbetet laboratori i një letërsie të pazakontë, themeluese e letërsisë moderne shqiptare. Nuk dimë se ç’do të kishte ndodhur me këtë letërsi nëse Migjeni nuk do të vente mësues në Pukë, mund dhe ta kishim humbur një letërsi të papërsëritshme. Por ky është tek e fundit gjeniu, që i mjafton një dalje në malësi për të themeluar një vetëdije të re të pashkruar, në truallin ku nuk kishte pushuar romantizmi i vonë. Duhet të vente Migjeni atje për ta ndryshuar këtë psikologji. Pastaj shkrimtari tjetër i ditur që gjithashtu do të shërbente si mësues në Pukë, Filip Ndocaj, me romanet e tij plot “vlagë jete”, karaktere malësorësh e kolorit gjuhësor verior dhe pasuesit e tij, në vitet ‘70 e mbrapa, Skënder Drini, Vito Koçi, Roland Gjoza, Prend Ukaj, Mirela Sula, Petrit Nika etj. Puka gjithashtu do të ftillohej në shkrimet e studimet e vyera të Kolë Lukës, Jaho Brahos, Xhemal Meçit, Yllka Selimit, Sabrie Nushit, Sahah Sinanit, Ismet Balës, Mark Mesulit, Sulejman Sulës, Riza Tafilakut etj.

Pukjanët i këndojnë bjeshkës së Tërbunit dhe ata besojnë se atje dielli lind më parë se tjetërkund dhe mbase kanë të drejtë. “Asht e bukur Puka jonë” përbën lajtmotivin e këngës pukjane, ashtu siç nuk mplaket zëri i rapsodit 80-vjeçar Fran Pali. Por nëse ngjarjet kulturore kanë kulmuar me kohë, lajmi është se Puka tash iu është “dorëzuar” biznesmenëve të vet dhe kjo është një vlerë që askush nuk e ka si ajo. Puka ka importuar nëpër Shqipëri kulturën e sipërmarrjes, e të bërit biznes. 23 për qind e biznesit kombëtar bëhet nga biznesmenët pukjanë dhe kjo i bën nder Pukës, e cila nuk identifikohet më vetëm me “druvarët”, ashtu si Mirdita vetëm me “minatorët” etj. Për më tepër që ky biznes është i orientuar nga ekoturizmi, kthimi i kullave muzeale në bujtina turistike etj. Puka me biznesmenët e vet ekselentë konkurron në gjithë Shqipërinë e në rajon. Mark Gjinaj, Rrok Gjoka, Tonin Alia, Lush Osmani, Ndue Kola, Dedë Maluta, Mark Luli, Xhim Begeja, Përparim Laçi, Petrit Syla, Preng Zef Deda, Viktor Delia, Lazër Mëhilli etj. janë vetëm disa nga emrat e elitës së biznesmenëve pukjanë që i ke dëgjuar vazhdimisht me miradije dhe pse shumicën e tyre nuk i njeh nga afër. “Sofra Pukjane” funksionon sipas parimit prumus inter pares (i parë mes të parëve), megjithatë juristi i elitës Arian Ndoja është kryesuesi, moderatori dhe oratori i saj i spikatur. Kur njihesh me veprimtarinë e shquar të këtyre biznesmenëve në kompanitë e tyre në Tiranë, Lezhë etj., atëherë kupton se çfarë energjish çliron dhe mundësish të pashoqe krijon ekonomia e tregut, në ç’lartësi e ngre njeriun që guxon fort dhe reklama e tij nuk është fjalë, por vetëm puna. Në regjimin monist ata ishin veçse ca nëpunës apo specialistë të thjeshtë të “provincës” që mund t’i qarkullonte zyra e kuadrit nga njëra ndërmarrje në tjetrën, gjithnjë brenda rrethit të Pukës, pa i shkuar mendja ndokujt se një ditë do të ngjiteshin në majat e biznesit shqiptar.

3

Puka është një shembull i harmonisë fetare, pos të tjerash, me një hoxhë simbol të urtësisë e tolerancës, Hafiz Elez Hoxhën, i cili priti Nënë Terezën në vitin 1991. Ajo hoqi nga qafa e vet kryqin e ia dhuroi Hoxhës diturak duke iu drejtuar mirësisht: “Ndonëse nuk e mbani të varur, siç e kisha unë, ruajeni për kujtim ose jepjani ndonjë të krishteri të devotshëm”. Hoxha, si teolog e filozof, duke e marrë medaljonin i tha: “Kryqi dhe Gjysmëhëna janë simbole të mbarësisë njerëzore”.

“Sofra e Pukjane” priret nga vlera të tilla morale, rrezatuese për të gjitha kohërat, teksa pjesë e debatit, nismave dhe projekteve të saj janë dhe ato problematika që i përkasin qeverisjes vendore e qendrore. Parë me sy realist, investimet e pakta, mungesa e një infrastrukture moderne gjithandej, papunësia janë shkaku kryesor i varfërisë dhe ritmeve të ngadalta të zhvillimit, si dhe rrugët e prishura e të pavëna dorë, si ajo e Gjegjanit, ndotjet e minierave të Munellës e Tuçit duke “helmuar” banorët e bimët, ani se pa dashjen e sipërmarrësve. Po ashtu Pukës i mungon turizmi sportiv, pistat e skive, alpinizmi, garat me kuaj etj. Pasuri të sajat nuk janë vetëm mineralet dhe pyjet, por gjer qërshiglat (boranica) e kërpudhat, për të të cilat ka filluar të ketë një industri të lehtë përpunuese e tregtuese. Kësisoj për “Sofrën Pukjane” asgjë nuk është e huaj, pasi për punët e hallet flitej dhe në sofrat e traditës.

Njerëzit që kanë ditur të krijojnë sipërmarrje të suksesshme biznesi në të gjithë republikën, me siguri që duan ta shohin dhe vetë Pukën si një “sipërmarrje” të tyren, fitimi i së cilës nuk shkon te ata, por te komuniteti. Nëse Albania-Austria Përtnerschaf, e drejtuar nga Marianne Graf e Skënder Thaçi, investon prej më se dy dhjetëvjeçarësh në spektrin social – kulturor e human pukjan, shoqata si “Agropuka” kultivojnë te banorët frymën e një panairi të ri prodhimesh bujqësore e blegtorale në përshtatje me ekonominë e tregut, ashtu si famullia e Kçirës që ka ngritur linjë të prodhimit të disa produkteve bujqësore, apo gratë e Gjegjanit që kanë krijuar një ekspozitë etnografike me interes. Por nëse për t’u marrë masivisht me prodhimet e vendit ka ende mëdyshje, se mos mbetemi prapë në një bujqësi primitive, si me thënë te parmenda, ende aty-këtu “eksperimentohet” negativisht me kanabis- sativa, nëpër qoshet e fshehta të maleve. Puna është të dilet nga mendësia sot për nesër. Vetë zhvillimet e derisotme po e konfigurojnë Pukën si një areal të ekoturizmit, nisur nga gjeografia e saj pyjore e mjedisore e rrallë, etnokultura dhe traditat e larmishme autentike, thënë ndryshe, një botë e lashtë ngërthyer në të renë, aq sa nesër do t’i gëzoheshim një “metropoli” të turizmit shqiptar në këtë rajon.

***

Së fundi një vëzhgim. Puka ka dy rrugë që të ngjisin për atje, nga Vau i Dejës dhe nga Rrësheni. Por ka kohë që kjo e dyta, “Rruga e Gjegjanit”, edhe pse lidhet me “Rrugën e Kombit”, nuk është në asnjë parametër për të qarkulluar makinat dhe njerëzit. Një tunel do të ishte zgjidhja ideale, e përhershme, por dhe në mungesë të tij, rruga kërkon rikonstruksion të plotë e të shpejtë, pasi bëhet fjalë për frenimin e ikjeve të banorëve dhe nxitjen e investimeve. Ajo i shërben jo vetëm rrethit të Pukës, por krejt aksit kryesor të Veriut, që lidh Fushë-Arrësin me Tropojën. Nuk mund të jetë gjithnjë kalimi më i mirë për në Tropojë ai nga Gjakova, pasi lihen në shkretí territore veriore e verilindore nga më të lakmueshmet për turizmin, sportet dimërore, pylltarinë, mjedisin, blegtorinë, gjuetinë, rrjetin hidrografik etj. Një rrugë që është kërkuar shumë dhe ende nuk është bërë asgjë! Me asfaltin e prishur gjithandej, pa mbrojtëse anësore, e shembur në disa vende, me një koleksion aksidentesh të rënda vitet e fundit, e rrezikshme sidomos në dimër.

Pukjanët, gjegjanakët, gojanësit e presin këtë rrugë, të tjerat i bëjnë vetë. Askush nuk duhet të “shqetësohet” se po u bë ajo, njerëzit do t’ia mbajnë nga Rrësheni!? Sigurisht që një rrugë bëhet për t’u përshkuar në të dy krahët e saj, ama në kushtet e sotme të turizmit malor, rruga do të sjellë në Pukë më shumë se sa do të “nxjerrë” prej saj.

Thuhet se së fundi ka një premtim qeveritar për rrugën problematike, dhe mbase kësaj here do të ndërhyhet, aq më tepër që viti i ardhshëm është elektoral!…

 

SHKARKO APP