Puna jashtë vendit – Shqiptarët morën 160 milionë euro për 6 muaj

Të ardhurat nga puna jashtë vendit po bëhen një burim gjithnjë e më i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Sipas Bankës së Shqipërisë për 6-mujorin e parë të këtij këto të ardhura kishin vlerën e 160 milionë eurove, në rritje me 5.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo shumë përfshin të ardhurat nga punësimi sezonal i shqiptarëve jashtë vendit ose nga puna në distancë që shqiptarët kryejnë për subjekte që ndodhen jashtë Shqipërisë. Puna në distancë lidhet me të ashtuquajturat shërbime outsourcing, që shumë kompani i kontraktojnë në vendet ku kosto e punës është më e lirë.

Për gjithë vitin 2018, të ardhurat nga puna kishin vlerën e 285 milionë eurove, ndërsa duke parë tendencën e 6-mujorit gjasat janë që kjo shifër të jetë më e lartë për këtë vit.

Shifrat dëshmojnë se të ardhurat nga jashtë tashmë nuk lidhen vetëm me remitancat dhe emigracionin e përhershëm, që gjithsesi ngelen në përmasa të rëndësishëm, madje kanë nisur një cikël të ri rritjeve gjatë viteve të fundit. Për gjysmën e parë të vitit 2019, vlera e remitancave të dërguara në Shqipëri ishte 336 milionë euro, pesë milionë euro më shumë në raport me gjashtëmujorin e parë 2018.

Por, përveç kontributit të remitancave, shqiptarët po kërkojnë mundësi punësimi jashtë qoftë në mënyrë të përkohshme apo edhe duke punuar nga Shqipëria. Për një ekonomi si ajo shqiptare, me një deficit të thellë tregtar në mallra, gjetja e mënyrave për të ngushtuar deficitin e pozicionit të jashtëm ngelet e rëndësishme. Burimet që e reduktojnë deficitin e llogarisë korrente janë remitancat, turizmi, sektori fason dhe eksportet e shërbimeve në përgjithësi. /scan

SHKARKO APP