Punë e paguar apo vullnetarizëm?

Nga Gëzim Hoxha –

“Në Shqipëri punohet më tepër se vendet e tjera, produktiviteti i punës është më i ulët se sa vende të tjera, sigurisht dhe pagat janë më të ulëta”, kështu shprehet në një intervistë për Top Channel Kolë Nikolla, kryetari i Konfederatës së Sindikavate të Shqipërisë. Dhe vërtetë ato që tha ai në këtë intervistë janë mëse të vërteta. Tek ne punohet plot 48 orë sipas Instat -it e njerëzit nuk paguhen aq sa duhen. Për këtë mund të shihet edhe niveli i pagës minimale që është dukshëm më i ulët se paga minimale e çdo vendi tjetër evropian.
Të jetë thjesht çështje produktiviteti dhe page? Po të pyesësh këdo në Shqipëri: – A të del rroga që merr? – të gjithë do të fillojnë të ankohen se nuk iu del. Po nuk duket se është thjesht çështje page. A lidhet vallë produktiviteti me pagat? Një lidhje duhet të ketë mes këtyre dy faktorëve ekonomikë, po nuk duket se kjo është thelbësore? Kryesorja duhet të jetë se me sa dëshirë ti e bën një punë të caktuar. Pastaj edhe orët e zgjatura të punës domosdoshmërisht e rrislin produktivitetin. Asnjë nuk mund të kundërshtoj se një person që shkon në punë përditë ka të njëjtin rendiment në orët e para të punës në mes të një dite pune dhe në fund të saj. Nëse ndokush do të mundohej ta paraqesë grafikisht rendimentin e një X dite pune, patjetër që ai do i përngjante një kurbe të lakuar që është në 0 në momentin që ti shkon në punë, vazhdon të rritet duke u ngjitur për të arritur në pikën më të lartë aty nga ora 11 dhe pas orës 12 kjo vijë e lakuar fillon të bjerë.
Madje edhe në ditë të ndryshme të javës rendimenti i punës tënde ndryshon. Kështu të hënën ti vjen i dërmmuar në punë pas një fundjave, që sido të ketë qenë më tepër të ka lodhur se të ka shlodhur. Të martën ti e rrit me patjetër rendimentin se përfshihesh nga rutina e punës që bën. Të mërkurën ti jep maksimumin tënd dhe përsëri të enjten ti i lodhur mezi sa pret që të vijë fundjava. Të premten ti se ke mendjen pothuajse fare për punë se nis e bën plane se si do e kalosh fundjavën.
E megjithatë unë këmbëngul se nuk është thjesht çështje parash apo thjesht produktiviteti. Diçka tjetër është në lojë, diçka shumë më e thjeshtë se kaq. Psh çfarë i shtynte ato edukatoret në shtëpinë e foshnjave në Vlorë të silleshin aq keq me fëmijët. Puna e vështirë apo paga e ulët? Të thuash puna e vështirë nuk ke thënë asgjë. Së pari sepse për një fëmijë kujdeseshin dy edukatore. Të thuash paga e ulët, përsëri nuk ke thënë asgjë. Së dyti, ato me siguri duhej të merrnin një pagë të respektueshme për punën që bëjnë. Po atherë çfarë?
Atherë duhet të kthehemi aty ku ligjet e ngurta të parasë dhe të ekonomisë në përgjithësi nuk të bëjnë punë. Duhet të kthehemi tek dëshira, duhet të kthehemi tek pasioni. Le të bëjmë një pyetje të thjeshtë: – Kush është ai që shkon me dëshirë në punë? Ose le ta ndryshojmë këtë pyetje: – Çfarë ju shtyn që të punoni? Nëse pyetjes së parë njerëzit do iu fshihen e do lodhen për të gjetur një përgjigje, për të dytën të gjithë, përgjigjen e kanë në majë të gjuhës. Dhe njerëzit e kanë shumë më të vështirë t’iu përgjigjen pyetjes së parë se sa të dytës sepse iu duhet thjesht të gënjejnë. Patjetër që askush nuk do të punoj. Këtu përjashtim mund të bëjnë ndonjë pushtetar apo ndonjë ofiqar se për të tjerët s’kam as më të voglin dyshim. Askush nuk do të donte të punonte. Madje edhe ATA vetë nuk do të donin. Ndërsa për pyetjen e dytë ata e kanë përgjigjen gati e motivet që të DETYROJNË të punosh janë nga më të larmishmet. Mund të përmendet këtu mundësinë për tu veshur, për tu dukur, për të dalë nga shtëpia, për tu marrë me diçka e deri tek “më të rëndësishmet” që mund të jenë mundësia për të paguar kredinë e shtëpisë, për të rritur ushqyer dhe edukuar fëmijët, për të blerë një makinë, për të ndryshuar botën e ndoshta por edhe për tu bërë më social.
Janë me qindra motive që e detyrojnë njeriun të punojë, ndoshta nuk është këtu vendi por nëse i analizon, të gjithë faktorët social – ekonomik janë të stisur, vetë ne i kemi shpikur. Marrim më të rëndësishmen ndër to se me të tjerat nuk ia vlen të merresh, motivi për të ndryshuar botën. Pushtetarët e kujtdo vendi që paguhen për të ndryshuar botën, çfarë kanë arritur? Thjesht ASGJË! Ata e kanë mbyllur këtë botë dhe e kanë bërë edhe më të pajetueshme atë. Ata predikojnë gjithmonë lirinë politike, në një kohë që kësaj lirie i ka ikur koha. Prandaj është shtuar edhe numri i krimeve. Po, aq të lirë e ndjejnë veten njerëzit politikisht, sa mund t’ia marrin jetën një tjetri. A nuk u vranë 10 nxënës në Amerikë?
E krimi, sidomos ai i organizuar rritet e rritet dhe pse, a e dini pse? Njerëzit merren me gjëra të ndaluara se duan të jenë të pasur, ose e thënë ndryshe, duan të jenë të lirë. Kjo lloj lirie nuk përmendet fare nëpër fjalimet e asnjë politikani, nuk përmendet se është tabu. Njerëzit duan të jenë të lirë EKONOMIKISHT!!! Meqë jemi këtu tek nddryshimi i botës mund të bëhet një pyetje: – Kush e ka ndryshuar me të vërtetë botën? Martin Luterkingu nuk paguhej për të ndryshuar Amerikën, por fjalimi i tij me titull “I have a dream” e ndryshoi me të vërtetë Amerikën. Mund të përmenden me qindra emra të tjerë dhe e përbashkëta e përpjekjeve të tyre është fakti që ata nuk janë paguar për ta bërë këtë botë më të mirë.
E këtu vijmë tek dy koncepte që i bëjnë karshillëk njëra – tjetrës, puna e paguar dhe e detyruar e vullnetarizmi. Vullnetarizmi është diçka e cila të përfshin natyrshëm, ti nuk ke nevojë as të paguhesh dhe as të jesh i detyruar që ta bësh një gjë të tillë, ti je i ndërgjegjshëm që mjedisi ku ti jeton duhet mirëmbajtur dhe së bashku me të tjerët ti e mirëmban atë, ti je i ndërgjegjshëm që ajri që thith është i ndotur dhe ti shëtit në vend që të kapardisesh në majë të një makine, ti je i ndërgjegjshëm që pemët i duhen njeriut dhe ti e mbjell një të tillë, ti je i ndërgjegjshëm që do shkosh të lahesh një ditë në lum apo në det dhe ti nuk e ndot atë ose pastron e mbledh hedhurinat e të tjerëve, ti je i ndërgjegjshëm se burimet po mbarojnë dhe ti i konsumon më pak ato se nuk ke pse të bëhesh i pasur e kështu mendon edhe për të tjerët që do të vijnë pas teje, ti je i ndërgjegjshëm që është dikush tjetër diku që vuan dhe e ndihmon. Ja kaq e thjeshtë është dhe këshu bota shndërohet nga e keqe në e mirë.

SHKARKO APP