Punësohet si mjeke e përgjithshme pas aplikimit në portal

Doktoreshë Valbona Salko është një nga 79 mjekët e përgjithshëm të cilët i janë bashkuar sistemit shëndetësor publik përmes portalit “Mjekë për Shqipërinë”. Salko është diplomuar në vitin 2010 në universitetin e Tiranës, në fakultetin e Mjekësisë. Më herët, ajo nuk mundi të punonte në profesionin e saj dhe këtë gjë e realizoi vetëm pasi aplikoi në portalin e punësimit të mjekëve.

“Jam diplomuar në vitin 2010 në universitetin e Tiranës, në fakultetin e Mjekësisë. Pikërisht, aty ku unë mendoja që isha gati për të dhënë kontributin tim dhe për t’u përballur me sfidat e profesionit , m’u desh të përballesha me sfida të tjera të pamenduara. Realiteti ofronte një tablo ndryshe nga ajo që kisha menduar. Për disa vite kam punuar në një profil jashtë profesionit të mjekut derisa m’u dha mundësia për të punuar në sektorin shtetëror. Konkurrova përmes portalit pa patur besim se do të më sillte punësim në fushën e Mjekësisë dhe profilin shtetëror. Por ja, që për herë të parë përmes portalit arrita më në fund të punësohem dhe sot punoj si mjeke e përgjithshme pranë qendrës nr.10 në Tiranë”, -thotë doktoreshë Salko.

Nga ana e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thotë se portali “Mjekë për Shqipërinë”, është një dritare për çdo mjek që dëshiron të punësohet në qendrat shëndetësore dhe spitalet publike. “Dr. Valbona Salko i është bashkuar sistemit shëndetësor publik përmes portalit https://mjeke.shendetesia.gov.al/një dritare për çdo mjek që dëshiron të punësohet në qendrat shëndetësore dhe spitalet tona. Vetëm gjatë këtij muaji u punësuan 79 mjekë të përgjithshëm në qendrat shëndetësore”, -thotë ndër të tjera, Manastirliu.

SHKARKO APP