Pushuesit e parë në Vlorë, hotelet ende bosh, qytetarët në plazhe publike
Sezoni turistik ka disa ditë që ka filluar, por në Vlorë pushuesit ende mungojnë masivisht. Bizneset ndërkohë vijojnë përgatitjet, me shpresat se hapja e kufijve do të ndryshojë situatën.
Pas heqjes së kufizimeve për shkak të pandemisë së koronavirusit, në Vlorë kanë mbërritur pushuesit e parë.
Por në numër mbeten të paktë.
“Unë jam nga tiranë për disa ditë pushime. Nëse do të ketë kohë të mirë do të rrijmë disa ditë. Po nuk shohim njerëz, nuk bëjnë njerëzit plazh.”
Edhe për shkak të kushteve atmosferike të fundjavës, në plazhe këtë të diel mbizotëruan vendasit.
“Gjithë bregu është i vdekur, s’ka turistë.”
Operatorët turistikë ndërkohë në të gjithë vijën bregdetare të Vlorës janë në fund të përgatitjeve për pushuesit.
Pas hapjes së kufijve më 1 qershor, lëvizjet kanë nisur edhe në Radhimë, por prenotimet mbetën të ulta.
Sipas të dhënave, prenotimet në qytetin e Vlorës shkojnë në 20% të kapaciteteve , ndërsa operatorët turistikë këtë vit shpresojnë tek turizmi patriotik. /Ora News