Që e shkuara të mos vrasë më shumë

Nga GELANDA SHKURTAJ 

Tridhjetë vjet më parë, rrë zimi i Murit të Berlinit ishte një akt që më shumë sesa lidhi dy Gjermani të ndara për bindje politike, simbolikisht kërkoi ndarjen nga krimet politike të diktaturës në vendet e kampit lindor. Memoria e Shqipërisë, në shproporcion me kohën, jo vetëm që nuk e ndëshkoi dhe harroi atë periudhë, por sot evokon komunizmin duke e përkujtuar në mënyrë pompoze dhe sfiduese. Flitet për gjithfarë dëshmorësh, ndërkohë që shajet e kuqe dhe figura e ish-diktatorit spikasin krenare në aktivitete zyrtare, duke i klithur me arrogancë dhimbjes së të persekutuarve, që ende sot nga mbështetësit e diktaturës nuk kanë marrë as një falje, qoftë edhe moralisht. Nuk kanë asnjë pendesë ndaj bashkëkombësve të vet, të cilët u ekzekutuan pa gjyqe, për fajin e vetëm se nuhatën që në risi se bolshevizmi sovjetik i mishëruar në bindjen dhe ideologjinë e liderit të paracaktuar nga serbët, jo vetëm nuk do ta çonte Shqipërinë përpara, por përkundrazi, do të izolohej deri në pikën e varfërisë dhe urisë ekstreme, sikundër ndodhi. Vjen vetiu pyetja: Pse ky rikthim dashamirës në të kaluarën që ndau shqiptarët me njëri-tjetrin dhe pse kaq mospërfillës ndaj tragjedisë që vetë kanë dëshmuar? Mos ndoshta vërtet Shqipëria dhe shqiptarët ishin mirë në diktaturë apo ndoshta krime midis shqiptarëve vetëm për bindje politike nuk u bënë asnjëherë? Mos ndoshta nuk kishim as të dënuar politikë dhe as të persekutuar politikë apo ndoshta Spaçi dhe Burreli janë vetëm produkt i imagjinatës kolektive? Apo ndoshta në zgrip të rënies së regjimit ne ishim aq mirë ekonomikisht, sa kërkojmë bukë rrugëve të botës që prej korrikut të ‘90-ës e deri më sot? Për retorikat e Shqipërisë nuk ngelet vend për përgjigje, por vetëm për pyetje, të cilat duhet të shkojnë në kahun e kundërt: është kjo një harresë pa dashje apo një ndëshkim? Përse protagonistët e së djeshmes mohojnë që në Shqipëri historia u transformua dhe nuk u tha asnjëherë e vërteta për atë çfarë ai regjim synoi që prej Luftës Nacionalçlirimtare. Në fakt, lufta u bë dhe u derdh gjak dhe mbi këtë nuk ka as dyshime dhe as mohim, por pas saj ka dokumente të pakontestueshme, mu në arkivat tona historike, se ajo luftë, e drejtë për nga pikëpamja e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesi, u shfrytëzua në idealin e saj prej një shpure njerëzish të etur për pushtet, të cilët me kapitullimin e Gjermanisë do të vinin bazat e pushtetit të ardhshëm diktatorial. Faktet dhe dokumentet historike flasin ndryshe nga sa është thënë në historiografinë tonë. Ato thonë se kjo luftë u shfrytëzua për të filluar spastrimin e kundërshtarëve politikë, të cilët u zgjuan të parët dhe e kuptuan se nën rrogozin e LANÇ-it flinte interesi për të mohuar një Shqipëri etnike dhe për të krijuar preludin e një republike të shtatë të Jugosllavisë. Lufta e Tiranës, masakrat në vijim të Tivarit e të Postribës tregojnë se disa nga heronjtë, që ne i nderojmë në festat e nëntorit, kanë vrarë vëllezërit shqiptarë në tentativat e tyre për të kundërshtuar këtë tradhti ndaj Shqipërisë, ose në rastin më të keq, kanë qenë edhe vrasës me pagesë. Historia ka detyrën më të vështirë në këtë pjesë për të thënë të vërtetën, por ndasitë e bindjeve politike me gjenezë nga e kaluara kanë prekur edhe historianë e anëtarë të Akademisë së Shkencave në Shqipëri, të cilët nuk kanë dalë kurrë nga qëndrimet formalisht kundërshtare, por thelbësisht antagoniste të përbetuara ndaj njëratjetrës, pa dhënë një libër të hapur të historisë ku secili të marrë atë që i takon. Por LANÇ-i është njëra anë e medaljes, sot nuk është vënë e vërteta në vend me persekutimet dhe dënimet politike që janë bërë që gjatë luftës e deri në fund të ‘90-ës.

ÇFARË ËSHTË DREJTËSIA TRANZITORE?

Drejtësia tranzitore është një teori e së drejtës, e lindur pas Luftës së Ftohtë, e cila është zbatuar në praktikë dhe tregon se cilët janë mekanizmat ligjorë që duhet të ndërmerren nga qeveritë, në lidhje me të kaluarën e një konflikti ose regjimi të dhunshëm, me qëllimin për të lehtësuar periudhën e tranzicionit postkonfliktual, drejt një bashkëjetese paqësore midis kriminelëve dhe të persekutuarve të së djeshmes, për të jetuar në një shoqëri demokratike. Ky mekanizëm është zbatuar dhe vazhdon të përdoret në ato vende, të cilat kanë pasur një histori konfliktesh dhe luftërash të brendshme dhe për të qenë konkret, janë të vlefshëm në ato vende të globit siç mund të jetë Afrika e Jugut për problemet e Apartheid-it apo Gjermania për krimet e Stas-it, apo Shqipëria për krimet e Sigurimit të Shtetit. Ky proces, i cili në thelb sugjeron pranimin dhe vënien në jetë të disa kritereve, kërkon që paqja dhe siguria mund të vendosen vetëm kur krimet e mëparshme dhe shkelja e të drejtave të njeriut të njihen dhe t’u ngarkohen fajtorëve. A është bërë ndonjëherë kjo gjë në 30 vjet në Shqipëri? Përgjigjja është jo! Sot ndarja ideologjike mes së majtës dhe së djathtës, e cila ka nisur dhe i ka rrënjët mu te LANÇ-i, ka qenë dhe ngelet shumë refraktare. Vetëm nëse do të ishte bërë një ndarje e pastër me të shkuarën, do të ishin krijuar premisat që jo vetëm e kaluara të mos bëhej barrë e së ardhmes, jo vetëm do të bënte të mundur parandalimin e përsëritjes së krimeve në të ardhmen, por mbi të gjitha do të bënte të mundur besueshmërinë te një klasë e re politike e shkëputur totalisht nga mendësia dhe krimet e baballarëve. Dhe në fund do të bënte të mundur pajtimin njëherë e përgjithmonë midis palëve që janë në konflikt.

KU ËSHTË SHQIPËRIA NË LIDHJE ME DREJTËSINË TRANZITORE?

Në distancën e viteve ndihet se nuk është punuar në këtë drejtim dhe janë akoma të paqarta tri aspekte: Së pari, rrëfimi me vërtetësi i asaj pjese të historisë moderne, që shkon nga themelimi i Partisë Komuniste e në vijim; Së dyti, qëndrimi në lidhje me kujtesën e së shkuarës nga media audiovizive, pasi filmat me partizanët “e mirë” dhe ballistët “e këqij” vazhdojnë të transmetohen nga emitentet e valëve televizive, pa konsideruar brezat që atë periudhë e njohin vetëm me tregimet e familjarëve, ku secili vazhdon të mbajë një qëndrim subjektiv dhe të paditur mbi atë çfarë ka ndodhur; Së treti, është procesi i pajtimit ose faljes, për ta hedhur pas të shkuarën, si një detyrim moral i shoqërisë shqiptare për të ecur përpara, përndryshe njolla historike që e ka shoqëruar, vëllavrasja, do të ngelet e pafshirë.

Në ndryshim nga të gjitha vendet e kampit socialist, pas një kalvari të gjatë gati 25-vjeçar, ne kemi një ligj për lustracionin, i cili rregullon aktivitetin e një institucioni siç është Autoriteti për Informim të Dosjeve, i cili vetëm prej vitit 2017 mori të drejtën të ketë edhe dosjet e Sigurimit famëkeq të Shtetit, të cilat ishin të klasifikuara si “sekret shtetëror” dhe që iu ishin lënë në dorë Shërbimit Informativ Kombëtar. Përse kaq vonë?! Hapja e dosjeve dhe njohja me to do të krijonte pa dyshim lot dhe mllefe, por në distancën e shumë viteve do të kishte minimalisht më shumë qartësi dhe seriozitet në përballjen me problemin. Drejtësia në këtë kontekst nuk do të ishte thjesht njohja me të shkuarën, e cila patjetër do të ndihmonte pjesën e paqartë të shqiptarëve të dinin realisht se çfarë kishte ndodhur, por do të na kishte krijuar terrenin e përshtatshëm sot drejt një pajtimi.

ÇFARË NGELET PËR TË BËRË?

Disa nga instrumentet që janë përdorur në vendet që janë përballur me të njëjtin fenomen social, por që dhe mendohet se do të mund të evitonin përplasjet, janë për shembull: Kërkimi i së vërtetës nëpërmjet hapjes së dosjeve pranë Autoritetit të Informimit; Ndjekja penale e kriminelëve nga gjykata (ose seksione) ad hoc; Kompensimi i viktimave në formën e rehabilitimit, dëmshpërblimit financiar dhe kthimit të pasurive; Kryerja e reformave në nivel institucional dhe shkarkimi i bashkëpunëtorëve, sidomos “gardën” e vjetër nga pozicionet sociale të rëndësishme; Përkujtimi nëpërmjet teksteve të historisë, muzeumeve apo memorialëve. Në fakt, ndër të gjitha këto kritere kemi përmbushur aspak ose shumë pak, por ndërsa shkrimi e historisë apo kryerja e reformave, ose procesi i hapjes së dosjeve që duheshin bërë me vite, nëse do të bëhen do të kërkojnë kohë, mjeti më i rëndësishëm që kemi në dorë, duke kërkuar minimalisht që të mos e ndikojmë, është botëkuptimi i të rinjve nëpërmjet televizionit apo mjeteve të tjera që përhapin informacionin. Nuk ka terren për të diskutuar faktin se sa i rëndësishëm është ky mjet për të influencuar edukatën, kulturën dhe mendimin e lirë. Në fakt, televizioni lind si i tillë. Kështu që, edhe pse në Shqipëri ka akoma fanatikë të atij regjimi, të cilëve ndoshta edhe nuk u intereson të kuptojnë të shkuarën, ka ende një pjesë “gri” si edhe të rinjtë, të cilët do të kishin shumë nevojë të njihnin faktet kokëforta, siç historianët e vërtetë dinë të bëjnë. E derisa një kohë e tillë të vijë, do të ishte krejt e arsyeshme që të sanksionohej edhe me ligj shfaqja e çdo forme mesazhi nga koha e regjimit nëpërmjet filmave të Kinostudios apo simboleve të diktaturës, siç janë pankartat me emrin e diktatorit nëpër evente publike. Nga cilado pozitë t’i gjykojmë ngjarjet, fakti i ndodhjes së krimeve monstruoze të një diktature të pashembullt dhe i 6 mijë shqiptarëve të ndëshkuar vetëm për bindje politike, është një fakt i pamohueshëm dhe një njollë e paheqshme në Shqipëri. Ajo që mund të bëjmë është vetëm të shkurtojmë distancat ideologjike duke vënë drejtësinë dhe në këtë mënyrë, duke u pranuar më shumë me njëri-tjetrin!

SHKARKO APP