Që të parandalojmë pandeminë ekonomike

Nga Eduard Zaloshnja –

Ndryshe nga Italia fqinje (nga ku e importuam koronavirusin), pandemia COVID-19 nuk e mbuloi Shqipërinë si një dallgë e madhe. Ajo pati vetëm disa kreshpërime të vogla në 27 mars, 2 prill dhe në 24 prill (shihni grafikun shoqërues). Maksimumi i rasteve ditore të konfirmuara me COVID-19 u arrit tek njëra nga këto kreshpa (në 24 prill), me 11.5 raste për milion banorë (34 gjithsej).

Nga ana tjetër, kurba e Italisë i ngjan një dallge shumë më të lartë, që e arriti kulmin më 21 mars, me 108 raste ditore për milion banorë, dhe që ka njohur ulje graduale qysh atëherë. Gjithashtu, numri i hospitalizimeve, reanimimeve dhe vdekjeve ditore në Shqipëri ishin ndjeshëm shumë më të ulta se sa në Itali.

Por ky sukses i Shqipërisë për mbajtjen nën kontroll të efekteve shëndetsore të valës së COVID-19 ka patur një kosto shumë të lartë ekonomike. Karantina (e cila u vendos e plotë qysh me konfirmimin e dy rasteve të para me COVID-19) paralizoi pothuaj gjithë ekonominë e vendit. Familjet që e bazojnë jetesën në punën që bëjnë në sektorët e mbyllur të ekonomisë gjatë karantinës, mbijetuan falë borxheve, rezervave të veta financiare dhe ndihmave shtetërore e individuale (në lekë e natyrë).

Tani që ekonomia po rihapet, njerzit po kthehen në punë dhe të ardhurat nga puna do të vijnë gradualisht. Sado që ato të ardhura do të jenë më të vogla se sa para karantinës, pritet që konsumi të fillojë ta marrë veten. Një paketë e tretë e qeverisë për bizneset që i punësojnë mijërat e shqiptarëve që po dalin nga karantina, do ta ndihmonte edhe më tepër rikthimin në normalitet të ekonomisë në muajt në vijim.

Sidoqoftë, të gjitha sakrificat e derisotme individuale dhe të shoqërisë në tërësi do të shkonin dëm, në qoftë se rikthimi në jetën normale do të bëhej pa kujdesin e duhur, në kushtet kur koronavirusi ende qarkullon ndër ne.

Përdorimi i maskave në ambjente të mbyllura (dyqane, zyra, ambjente prodhimi, transport publik etj.) duhet të jetë i detyruar për këdo, pa përjashtim. Pikërisht në ambjente të tilla virusi mund të qarkullojë më gjatë dhe të infektojë ata që janë brenda. Dhe në këtë mënyrë, nga infektimi familjar (si deri më sot) mund të kalojmë në infektimin komunitar. Dhe është pikërisht infektimi komunitar ai që i stërmbush spitalet dhe repartet e reanimacionit…

Në një skenar të tillë, mund të rikthehet përsëri karantina dhe mbyllja pothuaj e plotë e ekonomisë. Ekonomia familjare dhe kombëtare do ta kenë shumë të vështirë të rimëkëmben edhe pa një karantinë të dytë. Një e tillë thjesht do ta hidhte përfundimisht nokaut…

SHKARKO APP