Qemal Deliallisi, patrioti i lënë në hije nga komunizmi

 

Nga Nikolla  Sudar*

Që në fëmijëri, në raste festash apo dasmash, më tërhiqte vëmendjen një këngë e veçantë, tepër prekëse, por edhe burrërore që këndohej dendur, saqë s’kishte orkestrinë popullore që të mos e shoqëronte me kënaqësi të madhe. Jo thjesht melodia e bukur, por teksti i saj evokon tiparet aq karakteristike shijakase: burrërinë, trimërinë, besën, mikpritjen, të mishëruara aq bukur në figurën e kreshnikut Qemal Deliallisi (Dushkaziu), të cilit i kushtohej. Ndër të tjera, në të thuhet:

“Po vijnë kamionat, o nji nga nji,/Jalla, Zot, ç’asht kjo fuqi?/ Kanë rrethue nji djalë të ri,/                                                            Që ban luftë me qeveri./Djalë të ri, o prej Shijaku,/ S’iu tremb syu, s’iu prish gjaku”.

Ajo qe kënduar lirisht në rreshtat partizane e në të gjithë Shqipërinë e Mesme e më pas, gjatë viteve të para të vendosjes së diktaturës. Por më vonë, në fillim nën zë e më pas hapur, u dha “porosia nga lart” të mos këndohej më kjo këngë, sepse “rebeli” Qemal Deliallisi “nuk paskësh vepruar sipas direktivave të Partisë” (kurse e vërteta ishte se atë vazhdonte ta urrente Myslym Peza). Por vegjëlia e Shijakut dhe e gjithë Shqipërisë së Mesme, ku hapur e ku fshehur, do të vazhdonte ta këndonte këngën kushtuar birit të vet, që tashmë kishte hyrë në legjendë. Cili ishte Qemal Deliallisi? Çfarë e bëri atë aq të dashur për popullin? Ai lindi më 1917 në Shijak kur i ati, Qazimi, akoma nuk ishte shëruar nga plagët e rënda të marra gjatë Luftës së Shkodrës, të viteve 1912-13. Varfëria e madhe e familjes e detyrojnë të pajtohet punëtor tipografie në Tiranë. Që nga ajo kohë librat u bënë i vetmi gëzim në jetën e tij. Bashkëmoshatarët e kujtojnë me simpati të veçantë djaloshin me trup atleti dhe me fuqi prej divi, por me zemërbardhësinë e një fëmije. Tipografi i vjetër, antifashisti dhe demokrati i orëve të para, i paharruari Luigj Filipi, tregon:      “Isha fare i ri kur në tipografi dallova një djalë me trup atleti, me një buzëqeshje fëminore, por që “s’ta bënte të gjatë”. Shokët e mi tiranas më thanë se quhej Qemal Deliallisi dhe ishte nga Shijaku. Ai bënte punët më të rënda dhe asnjëherë nuk qahej. Si më të rinj, ne kishim shumë dëshirë të rrinin me të, të luanim futboll dhe t’i ngjanim atij. Tek ura e Brrarit, ku shkonim shpesh për t’u larë, askush nuk ia diltej me not. Qemalit i pëlqenin shumë librat, prandaj edhe lexonte vazhdimisht. Për shokun apo hallexhiun ai jepte gjithçka, prandaj e donin dhe e respektonin të gjithë. Më vonë mora vesh për rënien e tij heroike. Për mua Qemali do të mbetet kreshnik i vërtetë”. (Luigj Filipi, ky burrë i rrallë dhe fisnik, pati guximin që në vitin 1971 të kërkonte me këmbëngulje shpalljen dëshmor të trimit shijakas). Padrejtësitë e mëdha shoqërore e revoltonin pa masë Qemalin, prandaj në një rast të tillë, në vitin 1936, godet rëndë një xhandar, prandaj dhe dënohet me 30 vjet burg. Në kujtesën e kohës do të mbetet e skalitur aventura e jashtëzakonshme e këtij trimi, e cili tronditi të gjithë kryeqytetin në vitin 1936. Gjykimi tij do të bëhej në ish Gjykatën e rrethit të Tiranës (në rrugën e Durrësit). Shokët kishin marrë të gjitha masat që Qemali të arratisej dhe nëpërmjet një xhandari e kishin informuar. Plani qe i thjeshtë, por… ai dështoi. Në momentin që jepet vendimi, siç ishte ulur midis dy xhandarëve në sallën e gjyqit, Qemali ngrihet me vrull dhe sulet drejt dritares nga ana e rrugës, e cila qëllimisht ishte lënë hapur. Që nga dritarja e katit të tretë ai hidhet poshtë. Por për fat të keq humb ekuilibrin dhe nuk bie mbi grumbullin e rërës, që kishin vënë shokët, por në trotuar, duke thyer të dyja këmbët. Në atë kohë afrohet me veturë shoku i tij i ngushtë nga Shijaku, Qamil Gashi, për ta marrë, por qe e pamundur. Për shkak të këmbëve të thyera dhe të gjakosura ai nuk lëvizte dot. Duke mposhtur dhimbjet, trimi mbledh forcat dhe i drejtohet mikut të vet: “Qamil, unë s’luj dot vendit, prandaj largoju se do të kapin edhe ty!” Veprimi befasues i Qemalit për disa çaste i shtangu të gjithë në gjyq, pastaj xhandarët u sulën shkallëve dhe e gjejnë të shtrirë mbi trotuar. Në atë gjendje e dërgojnë në spital, ku iu desh të qendrojë gjatë për mjekim, derisa filloi të ecë përsëri. Në korigjimin që iu bë vendimit të gjyqit u theksua: 30 vjet burg “i rëndë”. Në Tiranë Qemalin do ta mbështesnin dhe ndihmonin kushërinjtë e vet, atdhetarët Hamdi e Halil Deliallisi, të cilët më vonë do të bëheshin antifashistë të vendosur (si punonjës i administratës së spitalit të shtetit në Tiranë, Halili do të ndihmonte luftën antifashiste edhe me materiale të shumta mjekësore, të cilat dërgoheshin në mal).  Nga burgu Qemali doli më 6 prill të vitit 1939 e pas ca kohësh e shohim të inkuadruar në Çetën e patriotit Myslym Peza, ku shquhet për trimëri e atdhetari. Me dhjetra janë dokumentet e armikut që nxjerrin në pah alarmimin e madh të tij nga aktiviteti i “shijakasit rebel”. Në shkresën Nr. 763, datë 18.04.1941, Shijaku njofton prefekturën e Durrësit: “… Komanda e Tenencës së Karabinierisë Mbretërore këtu, ka parasysh se i arratisuni kriminel Qemal Deliallisi po vazhdon tue ba ngjarje të tjera si në Kavajë, Ndroq, Shijak … Ai ka marrë pjesë edhe në konfliktin e Pezës së Madhe dhe në atë të Shahinajt…”. Për hakmarrje fashistët i plaçkisin shtëpinë dhe familjen e internojnë në kampin famëkeq të përqendrimit në Porto-Romano.  Por në Çetën e Pezës lindën mosmarrëveshje të mëdha midis Qemalit dhe Babë Myslymit. Duke mos duruar më situatën e krijuar, ai largohet nga Peza dhe vendoset në fshatrat e Shijakut, ku krijon një çetë prej pesë vetash. Në të bënin pjesë Qemal Deliallisi (komandanti), Fadil Vezi, Bajram Tusha, Rexhep Bermuça dhe Xhemal Troplini, që u bënë tmerr për amikun dhe shpresë për vegjëlinë e robëruar. Kjo qe arsyeja që për kapjen ose asgjësimin fizik të Qemalit të merret drejpërsëdrejti edhe qeveria kuislinge e kohës. Në një shkresë që Ministria e Punëve të Brendshme i drejtonte Zyrës Politike thuhet: “… meqenëse i përmenduni asht ba nji element i rrezikshëm…, të caktohet për vrasësin një shpërblim prej fr. ar 2000 (dy mijë)”. Pritat e organizuara pasojnë njëra-tjetrën. Në Rromanat, në shtëpinë e nënë Zelie Bermuçës (bazë e çetës), ai u sulmua nga forca të shumta fashiste. Në përleshje morën pjesë të gjithë pjesëtarët e kësaj familjeje patriote, ku njëri nga djemtë, akoma i ri në moshë, mbeti i vrarë.  Më 1 qershor të vitit 1942, Qemali u gjend i rrethuar në fshatin Sallmonaj së bashku me byrazerin e tij, Fadil Vezin, Pas disa orësh luftimi ai çan rrethimin, por Fadili mbeti brenda. Atëherë trimi futet përs&eum
l;ri në luftim dhe, pasi merr mbi vete të gjithë zjarrin, i jep mundësi Fadilit të dalë jashtë rrezikut. Por gjatë tërheqjes Qemali plagoset rëndë në këmbë dhe nuk qe në gjendje që të lëvizë. Ai e detyron Fadilin të largohet drejt bregut të lumi Erzen dhe i vetëm i përgjigjet zjarrit armik. Për të mos rënë i gjallë në dorën e milicisë ai shpërthen bombën, kur ata ishin fare pranë tij. Kështu e mbylli jetën, trimi i Shijakut dhe i gjithë Shqipërisë, Qemal Deliallisi. “Papritur shtëpia u gjend e rrethuar nga forca të shumta të milicisë, – do të tregonte më vonë nënë Tiku, motra e kreshnikut Qemal Deliallisi, – dy ushtarakë më urdhërojnë pa më sqaruar që të shkoja me ta. E tronditur fort hipa në makinë, e cila u nis menjëherë. Në Sallmonaj pashë dikë të shtrirë përdhe e të mbuluar me çarçaf. Atëherë e kutpova se…duhej të ishte ai, vëllai i motrës. Zemra sa s’po më dilte nga vendi. Mua nuk më lejuan t’ia shof fytyrën (më vonë e mora vesh se ajo ishte dëmtuar rëndë nga shpërthimi i bombës). Por unë e njoha nga çorapet dhe nga shenja në këmbën e majtë. Ashtu, duke mos e përmbajtur veten, u sula mbi trupin e Qemalit. “O shpirti i motrës, si mësove kështu!!” Këtë munda të them e ndërkohë më mbytën lotët”.  Për sqarimin e figurës së Qemalit ne, një grup arsimtarësh, në qershor të vitit 1971, në bazë të dokumentacionit të bollshëm që kishim gjetur në Arkivin Qendror të shtetit si dhe të kujtimeve të veteranëve e të moshuarve, iu drejtuam z. Nexhmije Hoxha. Në ato vite ajo ishte drejtoreshë e Institut të studimeve marksiste-leniniste, që merrej edhe me periudhën e LNÇl. Pikërisht në këtë kohë punonjësi kurajoz i Arkivit Qendror të Shtetit, veterani trim Dhimitër Andoni, boton një artikull në gazetën “Zëri I Rinisë” kushtuar Qemalit. Njerëzit e thjeshtë, prej disa dekadash të vrarë në ndërgjegjen e tyre për mohimin total të Qemalit, i dërgojnë me dhjetra letra falenderimi gazetës, që ringjalli figurën aq të dashur popullore, të përjetësuar edhe në këngë. Por i tërë ky zgjim mbarëpopullor do të alarmonte në kulm piramidën partiako-shtetërore. Grupi i punës me mua në krye u quajt nxitës dhe organizues i kësaj “revolte”, që po cënonte rëndë “vijën e Partisë”. Ndonëse kanë kaluar shumë vjet nga ajo kohë, në asnjë mënyrë nuk mund të harrohen kërcënimet, thirrjet në Durrës në mes të natës, ofendimet e rënda, që nga drejtuesit në bazë e deri në rreth. Kjo fushatë denigruese u shoqërua dhe me izolimin shumëmujor për shkak të “guximit të tepruar” për të propozuar shpalljen dëshmor të trimit shijakas. Por popullarizimi i madh i çështjes na shpëtoi të gjithëve nga arrestimi i sigurtë. Gjithmonë më del pra syve qendrimi burrëror i të vëllait të trimit shijakas, partizanit të orëve të para, bamirësit të njohur Murat Deliallisit, i cili për dekada me rradhë luftoi pa u lëkundur asnjëherë për nderin dhe dinjitetin e Qemalit, duke marrë ndëshkim pas ndëshkimi. Po i tillë u tregua vëllai tjetër i Qemalit. trimi i rrallë Enver Deliallisi, që rastësia e kishte shpëtuar dikur nga kampi nazist i përqendrimit. Nuk mund të harrohet kontributi i paçmuar i veteranit të paepur, Sherif Keçi, i cili e mbrojti me zjarr figurën e kreshnikut shijakas, duke iu kundërvënë hapur udhëheqjes së partisë në Shijak dhe në Durrës. Pasojat do të ishin fatale: pas një kurthi të sajuar, atë e përjashtuan nga Partia, e izoluan, deri sa kaloi edhe në paralizë. Por edhe në këtë gjendje nuk kishte forcë që ta mposhtte atë. Ky gjendje vazhdoi për një kohë të gjatë, deri sa zhurma përkohësisht do të fashitej, por për të mos lejuar më që as të përmendej emri i Qemal Deliallisit.  Pas një mohimi prej 50 vitesh, tashmë emri i Qemalit, më i nderuar se kurrë, do të  vendosej në lapidarin e qytetit, kurse kënga aq e dashur kushtuar atij do të ushtonte si asnjëherë në çdo gëzim popullor. Në motivacionin e Urdhërit Patriotik të Klasit I (të parë), akorduar me rastin e 80-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, legjendës së Shqipërisë së Mesme, Qemal Deliallisit, thuhet: “Për heroizmin e rrallë dhe vendosmërinë e treguar si komandant çete atdhetare, duke u bërë tmerr për pushtuesit fashistë dhe shpresë për vegjëlinë e robëruar, e cila e përjetësoi në  këngë”

*Historian dhe përkthyes.

 

SHKARKO APP