“Qyteti plak”, realizmi magjik i Saimir Muzhakës

Në qytetin e vjetër, Berat, është përhapur një frikë e madhe, që i ka bërë qytetarët t’i mbajnë sytë nga qielli, duke pyetur: “çfarë po ndodh”?

Tre të rinj humbin jetën në mënyrë të mistershme, ndaj ngrihet një grup hetimor për të zbuluar shkaqet e kësaj tragjedie. I sapodiplomuar në kryeqytet, Geldari kthehet në qytetin e lindjes për pak ditë.

Në rrugicat me kalldrëm, ai gjen bashkëmoshatarë që i tremben një tërmeti, që sipas parashikimeve, do t’i shpjerë shtëpitë e vjetra drejt e në lumë. Por ndërsa tërmeti nuk vjen kurrë, në qytet jeta vazhdon; ka të rinj që dashurohen apo pleq që vdesin me kokë mënjanë…

Nën frymën e realizmit magjik, “Qyteti plak” i autorit Saimir Muzhaka sjell një histori që flet për prindërit (kryesisht nënat) dhe fëmijët.

Mes dëshirës së prindërve që të rinjtë mos të ikin e mos t’i lënë vetëm, dhe ëndrrës së të rinjve për të shkuar sa më larg, për një jetë më të mirë, siç është bërë zakon të thuhet në qytet, ky roman tregon se zemrat e nënave flasin krejt në heshtje, e këto fjalë, mbërrijnë të parat në vesh të Perëndisë…

SHKARKO APP