Rama i ka të gjitha, veç Shkodrës; por pa të nuk ka asgjë

Nga Alfred Lela –

Lulzim Bashës i duhet gjithë fati që mund t’i bjerë për ta kthyer në rrugë, ndërsa Edi Ramës i mjafton vetja për ta nxjerrë prej gjithë avenjuve të fatit. Në këtë tërthore, me emrin Shkodër, janë të dy shefat e partive politike më të mëdha në vend. Më anti-komunisti i qendrave shqiptare, asnjëherë i fituar nga të majtët, qyteti verior ka rihapur një betejë e cila qendërzon, edhe njëherë, atë që dukej çështje gjysmë e mbyllur, zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Kur ngjante se Basha i kishte humbur të gjitha, por kurrë armiqësinë e Jozefinës, dhe Rama i kishte fituar të gjitha, por kurrë kontrollin mbi transgresionet, jemi futur në një rematch pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit.

Nuk mund të përdorim logjikën e zonjës Topalli për t’i thënë z. Basha ‘e ke ti fajin për Shkodrën’, përpara se t’i biem njëherë nga rruga e çnderimit që z. Rama zgjodhi për kryeqendrën e veriut, për komunitetet katolike të zonës, por edhe për politikën në përgjithësi.

Janë argumente tashmë të stër-rrahura ‘dobësitë’ e z. Rama për të thirrur nën besim dhe armë, ndër katolikët, elementë me të shkuar të dyshimtë, për të mos thënë kriminale, ngaqë pretencat nuk duhet të jenë punë e gazetarëve. Rama nuk është tërhequr asnjëherë nga ky vendim për t’u futur në Veri me profile të papërshtatshme publike, deri në pikën sa i ka fyer komunitetet në Kavajë e lart, duke thënë se këta janë njerëzit që pëlqehen nga banorët e këtyre zonave.

Shkodra, megjithatë, ishte një teprim i teprimeve, apo pika që derdhi gotën e shfrenimit të kryetarit të Partisë Socialiste. Të thuash se Valdrin Pjetri është kriminel, është një teprim, por edhe më shumë i tillë është vendimi i Ramës për ta kandiduar në Shkodër, në një zonë kaq të ndjeshme elektorale, sidomos në një palë zgjedhje të kundërshtuara dhe të kontaminuara si ato të 30 qershorit.

Nuk ka rëndësi e dinte apo nuk e dinte Rama ‘njollën’ e Pjetrit para kandidimit; e rëndësishme është që publiku e di se shefi i socialistëve është në territore pëlqimi dhe abuzimi me kandidaturat e tij në nivel lokal dhe qendror. Pjetri ishte one too many, do të thonin amerikanët.

Sikur të mos mjaftonte kaq, z. Rama nuk e fut në këllëf tentacionin e marrjes së Shkodërs apo idenë e diversionit permanent me këtë qytet. Valdrini u tërhoq dhe mira e bëri, por nuk tërhiqet Rama me Tom Doshin, dhe kjo e zhbën edhe aktin e Pjetrit. E pranojmë logjkën e kryeministrit se Valdrin Pjetri nuk është kriminel, po pse, bash ai vetë, kërkon të kryejë apo përsëdysë një inkriminim politik duke kërkuar instalimin në Shkodër të një pushteti paralel dhe ilegjitim, një loje të ashpër, të pavend dhe të parrezikshme, me konstituimin e një këshilli bashkiak i cili, nën thirrjen e ngjarjeve të fundit, është një gjë e skaduar, si vetë kryetari i Bashkisë në tentativë.

Logjika e Ramës është e mbushur me arsyet e zemërimit të cilat, dihet, janë të gjitha paradhoma të tërbimit. Pas zemëratës dhe përdorimit të Doshit si ‘i dërguar special për Shkodrën’, rri frika se Bashkia e madhe nën Voltana Ademin do të jetë një minë e përherëshme në prehrin e legjitimiteti të 30 qershorit. Duke u bërë kështu një kauzë ekselente për një Bashë të cilit nuk i kish mbetur asgjë, veç një fjalori si të aleatit të tij të dikurshëm, Kreshnik Spahiut, dhe shpresës për nje deus ex machina.

Shkodra u paraqit e tillë dhe Basha ta gëzojë. Rama, në anë tjetër, ta kuptojë se teprimet janë toksike. Të nisura për të prodhuar perfeksione, ato pjellin monstra.

Politiko.al

SHKARKO APP