RAMA, RRËNOJA E LULËZIMIT TË QYTETARISË
Nga Idlir Azizaj
Sepse veten lënë në harresë, të vdekshmit, kur vrik
Dëshirat e zotave përmbushin, dhe duan me tepri
Sepse, me sytë e hapur kanat,
E gjejnë vetë rrugën e tyre
« Zëri i popullit », Hölderlin
Rama ra. Zëre se ka rënë. Është pothuajse përtokë.
Deri tani dukej ende në këmbë. Sepse erdhi tërmeti. Pastaj e shpëtoi virusi. Mandej ia zgjati jetën konfinimi.
Përfytyroje Ramën të cofur, si pushtet. Nëse s’ia del dot, atëherë imagjinata i bie që ka cofur. Kollaj ta përfytyrosh tani Ramën të cofur. Përderisa imagjinata e tij tani cofi. Sepse doli frika në sipërfaqe. Ashtu si dheja ngrihej e iu vinte në fytyrë personazheve të Homerit.
S’ka më ngjyra. S’ka më performanca publike me paratë e shtetit. S’ka më bluza lejla të Ringjalljes së vdekjes morale e politike e shpirtërore.
Sepse ndoqi frikën. Dhe sulmoi natën. Bëri një blitzkrieg në 4 të mëngjesit. Nxori me kallash artistët nga teatri. Pastaj ndërseu fadromën dhe shembi ndërtesën. E rrafshoi teatrin.
Nuk rrafshoi godinën. S’i plas kujt për një ndërtesë. Por pati frikë ; dhe i ra qëndresës qytetare. E kuptoi që protesta po zgjaste shumë. Frika i tha që protesta është rrënoja më e vjetër në botë ; e vetmja rrënojë që pjell sërish. Rrënoja i vetmi vend ku populli banon sot e mot. Rrënoja e vetmja strehë që pushteti s’e shemb më dot.
Rama është duke rënë. Duket nga mënyra si rrahin policët qytetarët. Duket nga mënyra si nxori policinë kufitare të blindonte Tiranën. Që të mos hynte asnjë protestues nga jashtë saj. Shqipëria u bë kështu diversante. Duket nga mënyra e pafalshme si e tregojnë pishmanllëkun e tyre tani ish studentët e tij. Ata që i paskan besuar atij. Që paskan marrë mësime anti-komunizmi prej tij. Të gjithë ne që kemi aq frikë nga Marxi e Lenini (sa dhe nga Rancière e Gramsci e Pasolini). Nga droja mos na klasifikojnë si komunistë. Si ata që Rama « theri » në dhjetor të 90-ës. Të gjithë ne që pamë sot izolimin e tkurrjen e kufijve të Shqipërisë rreth Tiranës. Pa qen kufiri. Pa armiq të jashtëm. Pa armik që s’fle.
Rama ra në rrënojën e pushtetit të vet. Duket nga mënyra si tubat me ujë lagën rrënojat e teatrit. Që avulli i protestës të mos ngrihej si polen. Të mos shpërndahej në ajrin e Shqipërisë socialist-esadiste.
Pluhuri është ndërtim ndaj do e durojmë, thotë poeti Walcott. Dhe me pluhurin e rrënojës së teatrit u ndërtua një parullë proteste vrik në Prishtinë : -Teatri është gracka, ku shpirti i Ramës kapet si laraska ! Një lexim i beftë e i thuktë i Shekspirit u bë kështu në Kosovë. Atë që s’e bëri as teatri jonë në vite. As gjatë viteve të qëndresës.
Po tani s’ka rëndësi. I rrënuar me vite, teatri i hapi vend rrënojës së perandorisë Rama. Rrënoja e vetmja skenë ku populli është aktor me thikën në fyt.
Rama po bie sepse tani kaloi në rang spektatori. Tani ai është aktor pa tekst. As aktor memec si në dramat e Euripidit s’është më. Duket nga mënyra si arrestoi dje aktivistët e VV-së në Tiranë. Duket nga mënyra si shqeu gjokset e grave dhe vajzave protestuese. Duket nga mënyra si e ktheu Edmond Budinën direkt në vitin 1991. Duket nga mënyra si priti vdekjen e Maks Velos, që të ndërsente fadromën ndaj objektit që kish mbrojtur ai. Duket nga mënyra si po i le territor bosh Berishës të hyjë në lojë sërish.
Rrënoja i vetmi truall ku Shqipëria po merr ca madhësi. Rrënoja prona e vetme e popullit pa zë. Rrënoja zëri i ashpër i qytetarisë që ha dhé përditë. Rrënoja e vetmja pronë që s’e kthen njeri me ligj. Rrënoja prej shkrumbit të banorëve të Kukësit që Rama i qau me ligje përkohësisht.
Rama është duke u rrëzuar. Hampti Dampti ynë i qeverisë. Duket nga mjekra fallco prej Ismail Qemali që e gërvisht. Që e duron vetëm se ndryshe imazhi i tij pjerdh. Rama rrënoja e vetë imazhit të tij. Që e ngriti dhe e ndërtoi me ndihmën e sa e sa të rinjve zemërkëllirë elitistë, Ramajunge.
Rama, e reja që shembet ! Gërmadha që lulëzonte në çdo ballkon pallati. Graffiti pushtetar më i madh në histori.
Deri atëherë imagjinata punonte ende. Sado e mbrapshtë. Kur theu protestën e parë të aktorëve dikur ministër: -Ata të mbajnë vendin ku janë e të marrin vesh ç’është shteti ! Kur ende ia dilte që i madh e i vogël, me furça e me bojë, t’na vinte në rresht të retushonim ca shpirtin tonë gri.
Por dje imagjinata i vdiq. Imagjinata e pashtershme e Ramës vdiq, imagjino ! E paimagjinueshme kjo nga Spiropali. Dishepujt po e humbnin Shën Palin. Atëherë Rama e vuri kufirin e Shqipërisë rreth Tiranës. Sa për t’i vënë një sinor qoftë edhe fiktiv imagjinatës. Qoftë edhe të përkohshëm. Përderisa ideja e përkohësisë së pushtetit e kish braktisur me kohë. Në këtë sforcim nxori fadromat natën. (Se natën është pjellor artisti !) Dhe polli vërtet : një rrënojë që pandehu se i mbuloi frikën. Rrënojën të vetmin shtrat perandori ku telekoset tani imazhi i fundit të tij. Rrënoja e vetmja banesë e popullit që kërkon emër. Banesa e vetme gjendje civile e shqiptarit të zmadhuar sa s’e rras dot në polici. Rama rrënoja e së vetmes Shqipëri « të madhe » në trajektoren e beftë të protestës. Rrënoja kombi i vetëm ku gjeografia jonë e harruar lulëzon mes rrënojave të historisë ku Rama mendoi të ndrijë.
Rama dhe pak e po bie. Duket nga mënyra si vodhi natën e Tiranës për të kaluar kufirin e vendit. Ku është vetë qeveri. Për t’u arratisur në « ligjshmëri ». Duket nga mënyra si kalecët e tij rrahin qytetarë. Të pajisur me maska anti-virus. Rrënoja e vetmja skenë ku Rama luan tamam më në fund rolin e virusit.
Kështu dolën në protestë « barbarët » e dhunuar për vite. Vetëm barbarët autentikë pranuan t’ia marrin oshtimën fadromës. Që nuk e do asnjë oligark i ndërtimit.
Këtë oshtimë e ndolli heshtja e konfinimit në Tiranë. Ish nxënësi i Ramës, dhe oponenti i tij, Gentian Shkurti, e « ndjeu » këtë oshtimë. Artisti në fjalë, ditët e konfinimit, xhiroi nga dritarja plakun e pallatit përballë. Që bënte vajtje-ardhje të dëshpëruara. Dhe recitonte hap më hap këtë fragment të Kavafit, përshtatur ngjarjes që po gdhinte :
Pse kjo heshtje, pse kanë ikur në plazhe shtetarët ?
Sepse barbarët pritet të vijnë…
Ku janë vallë barbarët, ku shkuan ?
Ishin njëfarë zgjidhje ata në këtë zbrazëti.
Gjatë protestës dje, ai u rrah jo nga policia, por nga militantët PD-LSI. Meqë kërkoi shporrjen e tyre nga skena e protestës civile.
© 2020, Idlir Azizaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: fotogram nga videoja Suspense e Gentian Shkurtit.
Burimi: Peisazhe te fjales