Raporti i Enverit në Byro: Ambasadorit jugosllav, Milatoviç, i thashë; pse s’na tregoni ç’ka thënë tjetër Nako Spiro kundër meje
Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor ku bëhet fjalë lidhur me një raport sekret që Enver Hoxha e kishte mbajtur në mbledhjen e Byrosë Politike të 15 gushtit 1956, ku ai informonte për një takim që kishte pasur me ambasadorin jugosllav në Tiranë, Arso Milatoviç, me të cilin kishin bërë edhe debate lidhur me marrëdhëniet që kishte pasur Tirana zyrtare me Beogradin që nga periudha e Luftës kur dy Divizione të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare shkuan dhe luftuan për çlirimin e Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës, marrëdhëniet e mira që kishin pasur Jugosllavia me Shqipërinë deri sa to ishin prishur për shkak të ndërhyrjes së Moskës në vitin 1949-të, mosmarëveshjet që erdhën më pas në mes tyre, roli i Rankoviçit, Koci Xoxes dhe Kristo Themelkos për dy Divizionet jugosllave që kërkonin të vinin në Shqipëri, letra e Naka Spiros drejtuar udhëheqjes së lartë jugosllave, ku ngrinte akuza kundër Enver Hoxhës, pse jugosllavët nuk tregonin se çfarë thuhej tjetër në atë letër dhe kush kishte firmosur bashkë me Nakon aty, akuzat që kishte bërë Radio-Beogradi ndaj Enverit si “armik i Jugosllavisë”, roli dhe implikimi i një pjesë të diplomatëve të legatës jugosllave në veprimtari armiqësore kundra Shqipërisë, si Rexhep Xhija apo Svetko Koçiçi, që shëtiste rrugëve të Tiranës me “armiken”, Liri Gega që sapo ishte arrestuar, etj.
Aty nga mesi i viteve ’50-të, kur Nikita Hrushovi i sapoardhur në fuqi nisi procesin e destalinizimit të Bashkimin Sovjetik, duke dënuar fillimisht kultin e Stalinit dhe denoncimin e krimeve të tij, një nga prioritetet e politikës së jashtme të Moskës zyrtare që ai ndoqi, ishte edhe rivendosja e marrëdhënieve miqësore e zyrtare me Jugosllavinë e marshallit Josif Broz Tito.
Për të arritur këtë gjë, në vitin 1956, Hurshovi shkoi vetë në një vizitë zyrtare në Beograd, ku dhe sheshoi të gjitha mosmarrëveshjet që kishin ndodhur në mes dy vendeve që nga viti 1948, kur udhëheqja e lartë sovjetike me anë të Politbyrosë e akuzoi Titon si të shitur tek imperializmi dhe i denoncoi publikisht jugosllavët me anë të një letre që ua shpërndau të gjitha partive komuniste kudo në botë.
Pas sheshimit të marrëdhënieve të saja me Jugosllavinë e Titos, udhëheqja e lartë sovjetike dhe Nikita Hrushovi, atë gjë ia kërkuan edhe udhëheqjes së lartë shqiptare, (dhe personalisht Enver Hoxhës), e cila që nga viti 1949, në solidaritet me letrën e Informbyrosë, kishte prishur të gjitha marradhëniet tepër miqësore që kishte pasur me Jugosllavinë.
Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve, pas insistimit të udhëheqjes së lartë sovjetike, gjatë vizitës zyrtare në Moskë në vitin 1956, Enver Hoxha u takua dhe pati një bisedë të gjatë me Svetozar Vukmanoviç Tempon, një nga udhëheqësit kryesorë të Beogradit dhe bashkëpunëtorë i ngushtë i Titos. Ky takim i Hoxhës me udhëheqësin e Beogradit, u mbajt tepër sekret, jo vetëm për publikun e gjërë, por edhe për Byronë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së.
Lidhur me atë takim dhe disa prej çështjeve kryesore që u diskutuan aty me Vukmanoviç Tempon, udhëheqja e lartë komuniste e Shqipërisë, i mësoi vetëm në 15 gusht të vitit 1956, kur Enver Hoxha raportoi në Byronë Politike, lidhur me një takim protokollar që kishte pasur me ambasadorin jugosllav në Tiranë, Arso Milatoviç.
Në mes shumë çështjesh, diskutimesh e debatesh të tjera që kishin të bënin me kontradiktat e thella që kishin ekzistuar në mes dy vendeve që nga viti 1949, (kur Shqipëria i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë) një nga gjërat kryesore që Enver Hoxha i shprehu diplomatin jugosllav në atë takim, ishte pakënaqësia e tij ndaj Partisë Komuniste Jugosllave, e cila nuk i kishte treguar se kush fshihej pas Nako Spiros, në letrën denoncuese që ky i fundit i kishte bërë jugosllavëve në vitin 1946. (Letra e Nako Spiros drejtuar jugosllavëve, ku ai jep një biografi të shkurtër të Enver Hoxhës me konsiderata tepër negative, duke e quajtur atë një njeri mediokër, u botua në atë kohë nga Vladimir Dedjer).
Pakënaqsitë e Enverit ndaj Beogradit, shihen qartë edhe në debatin e tij me ambasadorin jugosllav, Arso Milatoviç, ku mes të tjerash ai i shprehet: “Ju keni botuar një material kundër nesh, pjesën e një letre të Nako Spiros, ku ky i fundit flet kundër sekretarit të përgjithshëm të partisë. Kjo letër e cila duhet të mbajë edhe shumë çështje të tjera dhe që nuk dihen nga ana jonë se kush tjetër e ka firmuar, është mbajtur e fshehtë nga Komiteti Qëndror i Partisë t’uaj, kurse rregullisht, në rrugë marksiste-leniniste dhe në konditat e marrëdhënieve aq miqësore që ekzistonin në mes dy partive tona, Komiteti Qëndror i Partisë Komuniste Jugosllave duhej që menjëherë këtë letër ta denonconte pranë Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare. Këtë ajo as që e ka bërë, por bile më vonë këtë e shfrytëzon Sllavo Zllatiç, i cili si përfaqësues i Partisë Komuniste të Jugosllavisë akuzoi Nako Spiron përpara udhëheqjes sonë si armik”.
Po çfarë bisedoi tjetër Enver Hoxha me ambasadorin e Beogradit në Tiranë, dhe cila ishte përgjigjia e diplomatit jugosllav lidhur me atë problem që shqetësonte pa masë Sekretarin e Parë të PPSH-së, në përpjekjet e tij për të ruajtur kreun e Partisë dhe pushtetin e tij personal. Të gjitha këto bëhen të ditura në bisedën e Enver Hoxhës me ambasadorin jugosllav Milatoviç (që po e botojmë më poshtë në këtë shkrim me disa shkurtime dhe me nëntituj redaksional), e cila është shkëputur nga teksti i plotë i gjithë atij takimi, që Enver Hoxha e raportoi gjatë mbledhjes së Byrosë Politike të datës 15 gusht të vitit 1956.
I gjithë raporti i Enverit ku mes të tjerash për herë të parë flitet edhe për takimin e fshehtë të tij me Svetozar Vukmanoviç Tempon në 1956 në Moskë, ka qenë klasifikuar si tepër sekret dhe ai bëhet publik pas deklasifikimit të një pjese të dokumenteve të ish-organeve udhëheqëse të PPSH nga ana e Arkivit Qëndror të Shtetit në Tiranë.
Dokumenti me raportin e Enverit në Byronë Politike
Në mbledhjen e datës 15 gusht 1956, Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të P.P.SH. shoku Enver Hoxha, vuri në korent Byronë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë për komunikimin që i bëri ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Bashkimit Sovjetik në Shqipëri, shoku L.I. Krillov. Kur shoku Mikojan, antar i Presidiumit të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Bshkimit Sovjetik, ishte në ishullin Brioni të Jugosllavisë, në mes të tjerave, Presidenti i Jugosllavisë, Josif Broz Tito, i tha se:
“Me Shqipërinë marrëdhëniet nuk po përmirsohen për arsye se shqiptarët nuk u afrohen propozimeve të tyre miqësore dhe se shoku Mehmet Shehu, pengon realizimin e ketyre marrëdhënieve, kurse nga ana e tij shoku Enver Hoxha nuk pret në takim ministrin jugosllav”. Shoku Mikojan, sikurdoherë, mbrojti çështjen tonë duke i thënë në mes të tjerave shokut Tito, se: nuk është e vërtetë se shqiptarët nuk dëshirojnë marrëdhënie të mira me Jugosllavinë; ata janë për këto marrëdhënie dhe punojnë në këtë drejtim, vetëm se njerzit t’uaj në Tiranë, ndërhyjnë në punët e brendëshme të Shqipërisë në rrugë agjenturale etj.
Rankoviçi iu përgjigj shokut Mikojan, se: kemi dhënë urdhër të prerë që të pushohet veprimtarija agjenturale në Shqipëri dhe se neve nuk mund të mos interesohemi për “heronjt” e luftës nacional-çlirimtare etj. Tito e ndërpreu Rankoviçin duke i thënë se nuk duhet të ndërhyjmë në punët e brendëshme të Shqipërisë. Gjithashtu Kardeli i tha Mikojanit, se: Enver Hoxha qahet nëpërmjet jush. Në fund shoku Mikojan u tha jugosllavëve se sipas mendimit të tij, bisedimet në një nivel të ulët nuk japin gjë, prandaj duhet shikuar mundësia që bisedimet të bëhen të nivelit të lartë dhe solli si shëmbull takimin e shokut Enver me shokun Tempo në Moskë, ku këta jo vetëm që biseduan mire, por edhe u përqafuan.
Tito me buzëqeshja i tha Mikojanit se: Tempo është bërë pishman që e bëri atë. Mikojani iu përgjigj me të qeshur se; mundet që ju bëni presion mbi Tempon, prandaj ai është bërë pishman. Mikojani shtoi se qëndrimi juaj mund të merret si qëndrim shovinist nga ana e Shqipërisë, se duhet të keni parasysh që Shqipëria është një vënd sovran, indipendent dhe ka edhe ajo prestigjin e amorpropin e saj, dhe se Partija e Punës Shqipërisë si parti marksiste-leniniste ka punuar dhe punon mirë. Ju i keni parsysh- i tha Mikojani- gabimet e Federatës së Republikës Socialiste Ruse dhe sëmundjen ruso-madhe karshi republikave të tjera. Ky ishte komunikimi që ambasadori i Bashkimit Sovjetik i bëri shokut Enver.
Milatoviç: Enver, kërkoni falje
Shoku Enver Hoxha pati me të dërguarin e jashtëzakonshëm dhe ministër fuqiplot të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, Arso Milatoviç, një takim protokollar më datën 4 gusht 1956. Në mes të tjerave ministri jugosllav ngriti këto çështje, duke theksuar se se flet në emër të udhëheqjes së partisë dhe qeverisë jugosllave: “Kur ju mbajtët raportin tuaj në Kongresin e III të Partisë, shokët tonë udhëheqës kur lexuan pjesën për sa i përket marrëdhënieve me Jugosllavinë, u habitën, mbasi nuk janë të drejta për sa flitet atje. Aty thuhet se gjatë periudhës 1945-1948, Jugosllavija ka bërë karshi Shqipërisë gabime parimore dhe se fajet i ka Jugosllavija, kurse nuk është kështu.
Gjatë kësaj periudhe ne kemi pasur mërrëdhënie të mira dhe duke luftuar tok, kundër të njëjtit armik, të dy vëndet tona kanë kaluar nëpërmjet një rruge specifike dhe pa patur ndonjë shembull tjetër u çliruan e ndërtuan pushtetin popullor. Pas çlirimit marrdhëniet tona u thelluan akoma dhe më shumë në rrugë normale në drejtim të marrëdhënieve ekonomike, kulturale etj. Çdo jugosllav është i kënaqur kur lexon fjalimet e shokut Enver para periudhës së prishjes së marrëdhënieve. Pastaj këto marrëdhënie u prishën për gabimet e Stalinit që ndërhyri në punët e brendëshme të Jugosllavisë etj.
Pra, duke shikuar këto çështje në këtë prizëm dhe që të mundim që të zhvillojmë marrëdhënie të mira në mes vëndeve tona, të shëkëmbejmë delegacione parlamentare, të zhvillojmë tregëti, të shkëmbejmë delegacione kulturale etj. Komiteti Qëndror i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, mendon se Komiteti Qëndror i Partisë së Punës të Shqipërisë duhet të dali me një komunikatë ku të njohi se Jugosllavia nuk ka gabime karshi Shqipërisë në periudhën 1945-1948, se çdo gjë që është thënë për Jugosllavinë në gjyqe të ndryshme duhet të hiqet, se neve nuk interesohemi për njerzit shqiptarë që janë dënuar etj.
Enveri: Kush fshihet pas Nako Spiros
Shoku Enver vazhdoi: “Por fakti është që neve, komunistët shqiptarë, e kemi dashur sinqerisht popullin jugosllav, partinë t’uaj dhe shokun Tito, dhe fjalimet e mija që përmënde e vërtetojnë këtë tezë. Është e vërtetë se marrëdhëniet tona u prishën në saj të tradhëtisë të agjentit Beria, por gabimet e juaja në periudhën 1944-1948, nuk mund të shlyhen. Më lejoni të them vetëm disa prej tyre: Me 1944 një farë oficeri i Ushtrisë Jugosllave, Velimir Stojniç, që më vonë u emërua mabasador i Jugosllavisë, ndërhyri në mënyrë të palejueshme në punët e Partisë sonë. Për këtë gjë vërtetojnë protokollet e Komitetit Qëndror të Partisë sonë.
Ju keni botuar materiale kundër nesh, pjesën e një letre të Nako Spiros, ku ky i fundit flet kundër sekretarit të përgjithshëm të Partisë. Kjo letër e cila duhet të mbajë edhe shumë çështje të tjera dhe që nuk dihen nga ana jonë se kush tjetër e ka firmuar, është mbajtur e fshehtë nga Komiteti Qëndror i Partisë t’uaj, kurse rregullisht, në rrugë marksiste-leniniste dhe në konditat e marrëdhënieve aq miqësore që ekzistonin në mes dy partive tona, Komiteti Qëndror i Partisë Komuniste Jugosllave duhej që menjëherë këtë letër ta denonconte pranë Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare.
Këtë ajo as që e ka bërë, por bile më vonë këtë e shfrytëzon Sllavo Zllatiç, i cili si përfaqësues i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, akuzoi Nako Spiron përpara udhëheqjes sonë si armik. Që nga Berati filluan krimet e Koci Xoxes kundra Partisë dhe shtetit tonë. Të gjitha këto ç’farë janë shoku ministër i Jugosllavisë, Arso Milatoviç?- e pyeti shoku Enver. Pse keni vepruar kështu? Ai u përgjigj se: shokët tanë kanë bërë gabime taktike dhe kemi marrë masa.
Shoku Enver i tha se: ju mund të keni marrë masa dhe kjo neve nuk na intereson, por neve na intereson çështja e vijës së Partisë s’uaj që ka ndjekur kundra Partisë sonë dhe këto neve i quajm gabime t’uaja. Neve dimë se shoku Tito ka njohur që kërkesa e dërgimit të Divizionit jugosllav në Shqipëri, ka qenë një gabim nga ana e Jugosllavisë.
Ministri jugosllav tha se dërgimi i këtij Divizioni, u kërkua nga Kristo Themelko në Beograd, se gjoja situata në Shqipëri ishte e rëndë etj. Shoku Enver ju përgjegj se neve i njohim gabimet e tij, por ne kemi një telegram nga Rankoviçi, i cili i kërkonte Koci Xoxes dërgimin e Divizionit në Shqipëri. Por se mos ishte vetëm çështja e një Divizioni për të dërguar në Shqipëri-vazhdoi shoku Enver-po ishin shumë Divizione.
Enveri: s’jam armik i Jugosllavisë?
Më në fund shoku Enver i tha se këto çështje që u thashë janë kryesoret dhe këto kanë qenë gabime nga ana e juaj. Por ka dhe shumë gjëra të vogla që unë nuk dua t’i përmënd. Por Partija dhe Kongresi jonë, dëshirojnë që të gjitha këto të mbyllen, t’ju vëmë kryqin pse nuk shërbejnë për përmirsimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë, pse po t’i hapim këto, do të çirremi nëpër ferra.
Megjithkëtë, nëqoftë se udhëheqja Jugosllave dëshiron t’i diskutojë këto, ne jemi gati, neve nuk humbasim. Për këtë arsye unë thashë-vazhdoi shoku Enver- se ato që janë thënë në Kongresin e Partisë sonë, jo vetëm që janë të drejta dhe marksiste-leniniste, por janë dhe shumë të urta. Ministri jugosllav u shpreh se: ky bisedim ishte shumë interesant e sqarues, se misioni i tij ishte që t’i përmirësojë marrëdhëniet me vëndin tonë.
Shoku Enver i tha ministrit jugosllav se redaktorët e Radio Beogradit edhe tani kohët e fundit akuzojnë Partinë tonë dhe personalisht mua si armik të përhershëm të Jugosllavisë. Duhet ta dijë redaktori i Radio Beogradit dhe të gjithë ata që punojnë si ai, se urdhërin që dha Partia jonë Divizioneve të Ushtrisë Nacional-çlirimtare, për të çliruar Malin e Zi, Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën, e kam firmuar unë, dhe po të isha armik i popujve të Jugosllavisë, nuk do ta bëja atë.
Dhe duhet të dihet nga të gjithë se Partija jonë dhe udhëheqja e saj, e kanë dashur dhe e duan popullin jugosllav, jo për hatrin e ndokujt e të Radio Beogradit, por pse ashtu na mëson Partija jonë dhe interesat e Partisë sonë. Ministri jugosllav, u pergjegj se Radio Beogradi ka bërë një gabim të madh për këtë çështje, dhe se Jugosllavija e ka çmuar shumë ndihmën e popullit shqiptar dhe Partisë së tij, dhe prandaj i vetmi njeri që është dekoruar jashtë Jugosllavisë me urdhërin e Heroit të Popujve të Jugosllavisë, jeni ju shoku Enver.
Enveri: Diplomati juaj, shetit me Liri Gegën
Shoku Enver i tha gjithashtu ministrit jugosllav, që mos shkoni më larg, por kohët e fundit gazeta satirike Jugosllave “Jexh” në kohën kur Marshalli Tito priti ministrin shqiptar në Beograd, ajo nxorri një karikaturë të poshtër kundër udhëheqjes sonë. Gazeta “Jexh” dhe të gjithë ata që mendojnë si “Jexhi”- tha shoku Enver-gabojnë rëndë, ata duhet të dinë se uniteti në Partinë dhe udhëheqjen tonë është i çeliktë dhe nuk ka forcë në botë që ta rrezikojë.
Udhëheqja e jonë që në krye e deri poshtë, është për marrëdhëniet me Jugosllavinë në rrugën marksiste-leniniste dhe jo në tjetër rrugë. Ministri jugosllav, u përgjegj se gazeta satirike “Jexh” ka bërë gabim të madh, se ai e ka parë këtë dhe ka protestuar energjikisht pranë Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Jugosllavisë.
Shoku Enver i tha se edhe ne dimë të shkruajmë, por do të jeni shumë të fortë në rast se gjeni një fjalë kundër Jugosllavisë gjatë kësaj kohe që marrëdhëniet tona janë përmirsuar. Shoku Enver iu lut ministrit jugosllav, që në raportin e tij të jetë objektiv, pse neve e kuptojmë rolin shumë të rëndësishëm të përfaqësuesit të një shteti, për përmirësimin e marrëdhënieve.
Ministri jugosllav e siguroi shokun Enver, se ai do të jetë objektiv, se qëllimi i tij është që të përmirsohen marrëdhëniet në mes dy vëndeve.
Shoku Enver iu përgjigj se ka besim në thëniet e tij dhe dëshiron që gjithë personeli i legatës jugosllave, të punojë në këtë drejtim, se shumë nga personeli i legatës jugosllave, nuk veprojnë në këtë frymë. Por në mënyrë armiqësore karshi vëndit dhe Partisë sonë.
Ministri jugosllav iu lut shokut Enver t’i thotë se ç’farë kishte karshi këtyre personave.
Shoku Enver i tha se kishte një tok gjërash karshi, Rexhep Xhihës dhe të tjerëve, por do të përmëndëte vetëm një fakt, për sekretarin e parë të legatës jugosllave, Svetko Koçiçit, i cili shëtit rrugëve të Tiranës krah për krah me armiken e Partisë, Liri Gega, e cila është arrestuar kohët e fundit.
Në fund, ministri jugosllav e siguroi shokun Enver Hoxha, duke i thënë se kishte mbetur i kënaqur nga bisedimi i hapur dhe shpreson se kjo do të lehtësonte përmirësimin em marrëdhënieve midis dy vëndve tona.
Sekretari i parë i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë
Enver Hoxha
Preçedenti: “Enveri ia diktoi vetë stenografistit raportin për Byronë”
Një nga gjërat më të pazakonta që bie në sy në dokumentin arkivor të nxjerrë nga fondi i organeve udhëheqëse të PPSH-së, është një shënim i shkurtër me vetëm një rresht në fund të proces-verbalit të mbledhjes së Byrosë Politike të datës 15.8.1956, ku thuhet: “(Protokolli për këtë çështje është diktuar nga vetë shoku Enver dhe mban Nr. 26 / A, datë 15.8.1956).
Ky shënim është dhënë pas pikës 6. të mbledhjes së Byrosë, ku thuhet: “Mbi takimin e shokut Enver Hoxha me Ministrin Jugosllav, Arso Milatoviç”. Pas kësaj pike, aty thuhet: “Shoku Enver Hoxha informoi Byronë Politike të Komitetit Qëndror mbi bisedimet që ka pasur në takimin protokollar me ministrin jugosllav, Arso Milatoviç. Në fund vendoset që për këtë çështje të dalë një protokoll i Byrosë Politike i cili t’u dërgohet për njoftim Sekretarëve të parë të komiteteve të partisë të rretheve dhe qarqeve dhe të vihen në dijeni kuadrot kryesorë të partisë dhe të shtetit”.
Pra siç shihet dhe më lart në këto shënime të nxjerra nga dokumenti arkivor për mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së, takimi protokollar i Enver Hoxhës me ambasadorin jugosllav në Tiranë, Arso Milatoviç, nuk i është paraqitur Byrosë Politike sipas proçes-verbalit të mbajtur gjatë atij takimi, por raporti që është lexuar në Byro, është bërë nga ajo që vetë Enver Hoxha i ka diktuar stenografistit.
Po kështu edhe materiali që iu është shpërndarë më pas komiteteve të partisë dhe atyre të qarqeve, nuk është ai origjinal i protokollit të nxjerrë nga takimi i Enverit me ambasadorin Milatoviç, por një raport tjetër i përpunuar nga Byroja.
Të gjitha këto hedhin hije dyshimi dhe të bëjnë të besosh apo të dyshojmë se: Enveri, tjetër gjë ka biseduar me diplomatin jugosllav, dhe tjetër gjë ka raportuar në Byronë Politike. Kjo gjë duhet parë në kontekstin e asaj periudhe kohe, kur Enver Hoxha fillimisht ishte dakord me vijën e re politike që po ndiqte Hrushovi në kuadrin e destalinizimit të Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera të Europës Lindore, por kur ai pa se i rrezikohej seriozisht pushteti i tij personal, ai e ktheu menjëherë kursin, duke marrë flamurin e luftës në mbrojtje të Stalinit./Memorie.al