Rapsodi Gjon Frroku merr urdhrin “Nënë Tereza”

Në kulmin e krijimtarisë së tij 45 vjeçare dhe për meritat e shquara në fushën e artit dhe të kulturës, veçanërisht në gjetjen, kultivimin, ruajtjen dhe interpretimin e folklorit popullor origjinal brenda e jashtë vendit, në skenat e festivaleve foklorike lokale, kombëtare e ndërkombëtare, rapsodit të njohur Gjon Frroku, iu akorduan dy dekorata nga International Day of Peace –Akademia Botërore e Paqes. Ai u vlerësua me dekoratën “Misionar i Paqes “ dhe Urdhrin “ Nënë Tereza”.

Këto dekorata janë një vlerësim i madh për veprimtarinë e tij artistike, kulturore dhe interpretuese afro 50 vjeçare në skenë brenda e jashtë vendit. Aktiviteti për dhënien e titujve të nderit, u zhvillua në ambientet e Bibliotekës Publike “Gjergj Fishta “, në qytetin e Lezhës. Pjesë e ceremonisë ishin Ambasadorët e Paqes në Botë, deputetë të Lezhës, intelektualë, krijues të fushave të ndryshme, përfaqësues të Ushtrisë, të pushtetit vendor, të institucioneve, të afërm, miq e dashamirës të rapsodit Gjon Frrokuj.

Të pranishmit kanë vlerësuar figurën e këtij rapsodi, si shok, mik, familjar, modest, artist i përmasave shumëdimesionale, si identifikues dhe përçues përmes interpretimit të tij profesional në skena të ndryshme brenda e jashtë vendit të foklorit popullor autentik.

Rapsodi Gjon Frroku, përmes emocionesh ka përshëndetur të pranishmit dhe ka falënderuar për nderimin që iu bë me vlerësimin me tituj nderi, duke premtuar se do të vazhdojë interpretimin në skenë sa të ketë jetë. Bukurinë këtij eventi artistik, ia shtoi interpretimi brilant i rapsodit të talentuar Gjovalin Ndreca, veshur me kostum popullor tradicional, me fyell, zumare, bilbil, gjeth etj. duke përbërë një simfoni melodish të bukura nga trevat dhe recitimi i dy fëmijëve, që u duartrokitën ngrohtësisht, për të vazhduar me një koktejl të shtruar nga rapsodi për pjesëmarrësit.

Jak Rrozhani

SHKARKO APP