Rastësisht me Xhon Lenon

“Njeriu në përgjithësi dhe krijuesi në veçanti asnjëherë nuk janë njëdimensionalë…” (Ibrahim Kodra)

Nga Xhevair Lleshi

Në Stamboll nuk është e lehtë të përballesh me rastësitë, edhe pse është viti 1977. E tillë qe edhe ajo ditë plot diell në një nga kafet e sheshit “Tahsim”. Njerëz që hyjnë e dalin me ngut. Salla plot. Askujt s’i vete në mendje se aty është një piktor me emër e me plot letra në çantën e madhe, që dukej si i harruar në një kënd të këndshëm të kafenesë. Dhe kur kanë mbaruar klientët e parë, vijnë të dytët, pushojnë, hidhen në veprim, qeshin, lëvizin, ndërsa mendimet rrjedhin vetiu dhe atje mes tyre një shpërthim zërash. Dikush, një djalë me syze, këndon. Magjike. Nuk zë zot vend. Maestro Kodra rrëmben letrën  e trashë, lapsat me majë të trashë hapur mbi tryezë. Nuk e njeh artistin, ndonëse nga larg, ku është ai, vijnë pëshpërima përplot drithërimë: Hero i madh! Si askush tjetër! Bllokohet kafeneja. Do ta paguaj! Ç’më bëre! Qofsh i përjetshëm! S’do të harrojmë kurrë! Maestro Kodra e hodhi skicën menjëherë. Mrekulli. Sa pak do të jenë si ty! Dhe sa me fat qenkam sot! Edhe kafeneja! Ta kem parë, thua? Po, me siguri! Një nga djemtë e tavolinës ku bënte vokalica dhe lëshonte zëra të shkëputur e puthi në buzë. Jam i lumtur, bërtet djali. Të zotëroj si burrë. Ndihem zot!…

Maestro Kodra ka nxjerrë fletën e dytë dhe vizaton mrekullisht shpejt. E bukur! Ky do të ishte një artist i madh! Çfarë lëvizjeje! Të dritësonte me sy, me aq shkëlqim dhe ngacmim. Unë nuk të njoh. Unë të kam zbuluar vetëm tani. Një lëvizje e çmendur. Edhe vijat e skicës konfigurojnë po atë lëvizje. Për herë të parë, belbëzon Kodra, nuk po kap thelbin e përmbushur në dëshirë, njohja është patjetër një armë. Dritëhijet, duhen dhënë shpejt. Asnjëherë s’kam qenë skllav i instinktit, kam bërë punën sipas natyrës. Dua që me krijimin tim të dëfrejnë. Ai edhe punonte, me nxitim sigurisht, edhe fliste si me vete, me zë. Një tingull i ëmbël, drithërimë e lehtë dhe padyshim një mungesë e madhe. Një vizatim i thjeshtë por me shijen e instinktit, thjesht sa për të shuar urinë e krijimit. Dhe m’u shfaq ky artist, që me siguri do të jetë emër i madh. Dhjetëra vajza e djem vraponin nëpër kafene, flisnin, potere, kumt i një fati të ri, diçka që mund ta klasifikosh edhe si mbretërore, pa mish e pa verë, mund të zgjidhje ç’të mundje, seks me teprí, po sidomos lëvizja, eleganca, zërat harmoniozë, grinta me aq nerv, buzëqeshje të bardha e pa një rrudhë, shkëlqim ngashënjyes. Jo, për asgjë, nuk mund ta vësh dorën në zjarr. Ç’të të them tjetër, more djalë, do ta mbyll tani, jam edhe unë në afsh, jam si një tronditje e pamendueshme, si të jem i sëmurë. E di, kam ethe të mëdha kur jam në punë. Të vizatuarit më fal kënaqësi të rrallë, i thoshte vetes Maestro Kodra. Ç’tjetër mund t’ia forcojë jetës kuptimin?…

Dëgjoi që po këndonin. Pastaj zërat sërish u fashuan. Nuk po e shihte dot. Rrëmujë e vërtetë artistike. Erdhi aty pranë kamerieri dhe i solli një ujë. Pastaj kanellë. Sa bukur, tha. E di kush është? Turma po largohej me ngut të madh. Sërish brohorima. Fluturonin foto dhe shami të bardha. Gjuhë e kuptueshme, gjeste në ajër, të shtyra, ca ikona që fluturonin andej këtej, aromë e bukur dhe me aq seks. Mund t’ia vije fajin seksit, mund të ekzagjeroje pëshpërimën, mund të shfreje habí plot frymëzim, mund të krenoheshe edhe me djersën dhe pastaj, shkrepën mijëra blice dhe një gaz i ngjyruar. E pa edhe kur po hynte në holl atë fytyrë të bukur që ngrihej përplot madhështi. Edhe syzet e djaloshit nuk reshtnin së qeshuri, vajza e djem që e puthnin, kakofoni lëvizjeje, dhuntia e përmbajtur që e fal natyra, pamje tërësisht befasuese… Është Xhon Lenon! Nuk e njeh? Maestro Kodra ngriu. Sa mirë që i besoi instinktit. Spikaste një dozë e madhe frymëzimi me një ëndje triumfuese. S’mund të mos e vinte buzën në gaz. Faleminderit, Xhon Lenon, s’do të harroj kurrë këtë rastësi dhe këto dy vizatime. Kamerieri i fotografoi. Fotografoi edhe Maestro Kodrën, aty në kafenenë Tahsim në një ditë të nxehtë e plot dritë!Vuri dorën në zemër dhe iu bë se po falënderonte edhe instinktin.

SHKARKO APP